Vota kundër Jeruzalemit kryeqytet, PD rezolutë Kuvendit: Të ndryshojmë votën në OKB

Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend kërkesën e mocionit me debat pas votës pro të qeverisë shqiptare për rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit” të miratuar më 21 dhjetor 2017 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Partia Demokratike gjykon se miratimi nga ana e qeverisë shqiptare e këtyre rezolutave, godasin vendimin e ShBA-së, si një akt flagrant në kundershtim me interesat kombëtare.

“Qeveria ka vepruar pa informuar Kuvendin e pa u konsultuar me Komisionin të Punëve të Jashtëme, si dhe duke perjashtuar Presidentin e Republikës nga procesi konsultativ-vendimmmarrës. Për këtë arsye, Partia Demokratike kërkon rishikimin e votës pro të qeverisë shqiptare dhe të deklarojë një qëndrim jo miratues ndaj kesaj rezolute”, thuhet në kërkesë.

 

 

Kërkesa e PD për Kuvendin

Të distancohet zyrtarisht e publikisht nga Komunikatat Finale e Deklarata e Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik më 13 dhjetor 2017.

Të rishikojë votën për rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit” të datës 21 dhjetor 2017 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB e në përputhje me rregullat e OKB të deklarojë një qëndrim jo miratues ndaj kësaj rezolute.

Të informojë brenda një muaji Kuvendin lidhur me sa më lart.

 

Rezoluta e propozuar nga PD

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Duke synuar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ne Lindjen e Mesme dhe në Botë.

Duke qenë të vetëdijshëm për rolin e pazëvendësueshëm që SHBA luajnë e do të luajnë për tejkalimin e konflikteve, bashkëkzistencen dhe vendosjen e demokracisë në atë Rajon.

Duke pasur një besim të patundur të pozicionimit amerikan në mbrojtje të vlerave, lirisë e parimeve universale.

Duke konsideruar SHBA si partneri kryesor gjeo-strategjik i vendit ton, Kosovës së lirë, shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e kudo ku janë.

Duke provuar konkretisht këtë rol të padiskutueshëm amerikan si faktori kryesor i arritjeve madhore jo vetëm për kombin tone, por edhe për të gjithë rajonin tonë.

Duke shprehur miqësinë ndaj Shtetit të Izraelit, një vend mik dhe demokratik në Lindjen e Mesme.

Duke shprehur miqësinë ndaj popullit palestinez e duke përkrahur të drejtën e tij për të patur një shtet të qëndrueshëm përmes negociatave e marrëveshjes.

Duke mbështetur pa rezerva procesin e paqes përmes negociatave mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, bazuar në vizionin e dy shteteve fqinjë e në paqe me njeri-tjetri e me vendet e rajonit.

Duke apeluar OKB, SHBA, BE dhe të gjithë aktorët ndërkombëtarë që të angazhohen në procesin e paqes në mënyrë aktive e konstruktive në Lindjen e Mesme.

Duke konstatuar se disa komunikata e rezoluta të miratuara në dhjetor 2017 për këtë çështje janë të njëanshme, jokonstruktive, me gjuhe të papërshatshme dhe nuk i shërbejnë procesit të paqes e gjetjes së një marrveshjeje mes palëve.

Duke qenë të shqetësuar nga miratimi nga ana e qeverisë shqiptare i komunikatës finale dhe deklaratës së samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik të mbledhur në Stamboll më 13 dhjetor 2017, e cila përmban veprime të njëanshme lidhur me statusin e Jeruzalemit, sulme të padrejta e të padobishme ndaj SHBA, si dhe përjashtimin e tyre nga procesi i paqes në Lindjen e Mesme.

Duke qenë të shqetësuar nga vota pro e qeverisë shqiptare për rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit” të miratuar më 21 dhjetor 2017 në Asamblenë e Përgjithshme te OKB, përmbajtja e së cilës nuk ndihmon në procesin e paqes dhe i kundërvihet qëndrimit të një vendi sovran, thelbësor për zgjidhjen e problemeve aty, SHBA-së.

Duke gjykuar se miratimi nga ana jonë e këtyre rezolutave, që godasin vendimin e SHBA është edhe një akt flagrant ne kundërshtim me interesat tona kombëtare.

Duke shprehur keqardhje që këto veprime të qeverisë u bënë pa informuar Kuvendin e pa u konsultuar me Komisionin të Punëve të Jashtme, si dhe duke përjashtuar Presidentin e Republikës nga procesi konsultativ-vendimmmarrës.

 

I kërkon qeverisë:

Të distancohet zyrtarisht e publikisht nga Komunikatat Finale e Deklarata e Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik më 13 dhjetor 2017

Të rishikojë votën për rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit” të dates 21 dhjetor 2017 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB e në përputhje me rregullat e OKB të deklarojë një qëndrim jo miratues ndaj kësaj rezolute.

Të informojë brenda një muaji Kuvendin lidhur me sa më lart.