Dixhitalizimi, vlerësimi në dogana bëhet vetëm online

U inaugura në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, njësia e re e vlerësimit në qendër, një proces transformimi për shërbimet ndaj sipërmarrjes. Në kuadër të reformës për lehtësimin e shërbimeve për qytetarët dhe sipërmarrjen, vlerësimi në qendër, është hapi kryesor dhë më I rëndësishëm i një zinxhiri nismash që do të vijojnë.

Procedura e vlerësimit të dokumentacionit doganor tashmë do të bëhet në qendër, më një procedurë standarde, të unifikuar, transparente dhe tërësisht online, duke eleminuar dokumentacionin fizik, reduktuar kohën dhe kostot për sipërmarrjen e duke shmangur mundësitë për abuzime.

Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Belinda Ikonomi shpjegoi se ngritja e këtij sistemi modern shmang praninë fizike të doganierëve dhe kontaktin e tyre me sipërmarrësit, duke ulur ndjeshëm mundësinë për korrupsion dhe eliminimin e dokumentacionit në letër.  “Kjo zyrë do të kryejë të gjithë vlerësimet doganore në sistem. Deri më sot, agjentët komunikonin direkt me punonjësit doganorë dhe dorëzonin të gjithë dokumentacionin në letër. Në momentin që ne sigurojmë deklarimin online, do të thotë që automatikisht doganierët do të kenë mundësi të shikojnë çdo gjë në sistem dhe do të bëjnë vlerësimin doganor.”

Ndërsa Ministri Ahmetaj theksoi se përmes këtij sistemi do të mundësohet unifikimi i respektimit të metodologjisë së vlerësimit doganor, i cili deri dje nuk kishte standarde të caktuara. “Ka pasur një problem me territorin, që për shkak të vlerësimeve në terren kishte vlerësime dhe jo standarde. Pra, për të njëjtin kod, kishte një vlerësim ndryshe, p.sh. në Kapshticë dhe një vlerësim ndryshe në Durrës. Qendra e unifikuar, së pari, shkëput marrëdhënien e drejtpërdrejtë mes doganierit dhe sipërmarrjes, eliminon dokumentacionin në letër dhe standardizon gjithë trajtimin e kodeve në këtë qendër. Si rezultat,  shpejtësia e shërbimit, – në kuadër të derregullimit dhe thjeshtimit të procedurave, – është shumë herë më e madhe,” u shpreh ai.