Ushtarakët shqiptarë diskutojnë për statusin e tyre

Ushtarakët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës të mbledhur në Tiranë, kanë themeluar shoqatën e përbashkët, “Bashkimi mbarëkombëtar i ushtarakëve shqiptarë”. Qëllimi i këtij organizmi veç të tjerash është dhe zgjidhja e statusit të ushtarakut, trajtimit dinjitoz finaciar i tyre, veçanërisht të ushtarakëve nga Republika e Shqipërisë, të cilët pretendojnë se janë të nëpërkëmbur për vite të tëra.

Gjeneral Dilaver Goxhaj ish-ushtarak thotë për RTSH se statusi i ushtarakut nuk është zbatuar pothuajse fare. “Një pjesë e oficerëve dhe nënoficerëve nuk e kanë marrë trajtimin, madje edhe po nëpërkëmben” u shpreh ai.

Ndërsa Hasan Gaxholli ish-ushtarak, thotë jo pa indinjatë se autoritetet serbe kanë emëruar ish komandantin e korpusit të tretë të Prishtinës që kreu gjithë masakrat në Kosovë, si Komandant të Akademisë Ushtarake në Beograd, ndërsa autoritetet shqiptare nuk na kanë pranuar. “Unë kam takuar tre presidentë me kërkesën për tu kthyer në ushtri për të siguruar bukën e gojës jo për shpërblim” tha ai.

Por si vlerësohetn ish-ushtarakët e vendeve anëtare të NATO-s, ku pjesë e saj është edhe Shqipëria? Prof.Dr. Sulejman Abazi ish-ushtarak, thotë se “Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, çka do të thotë që objekti që kanë ushtarakët, qëllimi i tyre, nevojat e tyre tashë nuk duhet të jenë fakultative, por të standartizuara” thotë ai.

Nga ana tyre ish-ushtaraktët që shërbyen në luftën për çlirimin e Kosovës, shprehen të kënaqur me vlerësimin që shteti më i ri, u bën atyre për kontributin që ata dhanë në këtë luftë. Gjeneral Gjon Lleshaj ish-ushtarak thotë se ata trajtohen më mirë për kontributin e dhënë në luftën e Kosovës se sa për detyrat në ushtrinë shqiptare.

Dy shtetet shqiptare kanë standarde të ndryshme të vlerësimit dhe trajtimit financiar të ish-ushtarakëve të tyre. Krijimi i shoqatës, “Bashkimi mbarëkombëtar i uashtarakëve shqiptarë”, synon që kjo shtresë e madhe sociale të fitojë të drejtat e saj.