Trump-Netanyahu: Jo më domosdoshmërisht  “Dy Popuj – dy Shtete”

Konflikti Izraeliano – Palestinez nën dritën e vizitës së Fundit të Kryeministrit Natanyahu në Washington.

Siç ishte edhe planifikuar, Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu po zhvillon këto ditë një vizitë zyrtare në Washington ku edhe u prit me nderimet më të mëdha nga Presidenti Trump. Pas elozheve reciproke takimi kaloi në rendin e ditës të bisedimeve, temat më të spikatura të të cilit janë dhënia fund e konfliktit izraeliano-palestinez, terrorismi islamik dhe ai ndërkombëtar, Irani si dhe, natyrisht, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat.

Çështja e kofliktit izraeliano-palestinez është edhe ajo më e ndjeshmja për opinionin publik botëror. Është tashmë konflikti më i gjatë në historinë moderne, zgjidhja e të cilit është ravijëzuar në idenë e dy popujve dhe dy shteteve, të pavarur dhe të njohur reciprikisht e në bashkëpunim me njëri tjetrin për administrimin e resurseve të përbashkët. Këtij opzioni i është përmbajtur e gjithë diplomacia ndërkombëtare qysh pas Akordeve të Oslos (1993). Pas këtyre akordeve, në Territoret Palestineze është ngritur struktura e Autoritetit Palestinez e cila në një farë mënyre kryen funksionet administrative të një shteti, pa qënë ende i tillë. Për shkak të mosmarrëveshjeve të thella të brendshme, një pjesë e territoreve palestineze, Rripi i Gazës, administrohet nga formacioni politiko-paraushtarak Hamas që për Izraelin, SHBA, BE, Kanadanë, Australinë, Egjiptin, Jordaninë, Japoninë dhe disa shtete të tjerë është një organizatë terroriste, ndërsa nuk është e tillë për disa shtete të tjerë si Arabia Saudite dhe Irani, financuesit e parë të kësaj organizate, Siria e gjer edhe Turqia e cila ka lidhje historike në botën arabe.

Nga pikpamja formale, edhe Izraeli e ka njohur zgjidhjen “dy popuj-dy shtete” si opsion për dhënien fund të konfliktit të gjatë, por me kushtin që njohja e tij si shtet duhet të jetë e plotë dhe përfundimtare nga të gjitha fraksionet palestineze të përfaqësuar vetëm në Autoritetin Palestinez.

Deri më tani, kjo nuk ka qënë e mundur. Fraksionet palestineze, në konflikt të vazhdueshëm midis tyre, kanë qëndrime të ndryshme ndaj shtetit të Izraelit. Hamas mban ende qëndrimin më ekstremist të mundshëm. Kjo organizatë vazhdon t’i përmbahet linjave politike klasike të saj, atyre të luftës pa kompromis kundër Izraelit dhe hebrejve në tërësi. Në Statutin e kësaj organizate terroriste islamike thuhet:

«Megjithëse […] shumë pengesa u kanë dalë përpara luftëtarëve nga ata që veprojnë me urdhër të sionistëve, aq sa ta bëjnë ndoherë të pamundur vazhdimin e Jihadit, Lëvizja e Rezistencës Islamike është përpjekur që t’i përgjigjet gjithnjë Premtimeve të Allahut, pa pyetur se sa kohë do të ishte e nevojshme. Profeti – bekimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin me Të – deklaroi: Dita e Fundit nuk do të vijë derisa të gjithë myslymanët nuk do të luftojnë kundër hebrejve dhe myslymanët nuk do t’i vrasin të gjithë dhe gjer kur hebrejtë do të fshihen pas një guri o pas një peme dhe guri dhe pema do të thonë: “o myslyman, o shërbëtor i Allahut, është një hebre i fshehur pas meje – hajde dhe vrite atë. (Artikulli 7)».

Me këto premisa negative, jo vetëm Izraeli, por as vetë Autoriteti Palestinez nuk ka mundur të përparojë në bisedimet e paqes, megjithë forcaturën diplomatike të përdorur nga administrata e mëparshme amerikane e Presidentit Obama dhe veçanërisht nga ish Sekretari i Shtetit Kerry për arritjen e një akordi paqeje midis dy palëve. Diferencat substanciale të pikpamjeve dhe opsioneve në këtë trekëndësh ecejakesh dhe bisedimesh Kerry – Netanyahu – Abas, nga Washingtoni në Jerusalem – Ramallah e anasjelltas, bënë që misioni dhe roli i administratës Obama në zgjidhjen e konfliktit izraeliano-palestinez të bjerret gjithnjë e më shumë, aq sa vetë Kerry u kthye në një personazh qesharak për mediat e të dyja palëve.

Presidenti Trump nuk mbajti qysh në fillim asnjë qendrim të stilit diplomatik ndaj këtij konflikti. Ai, qysh në fushatën elektorale u shfaq hapur e sipas traditës amerikane,  pro Izraelit. Pas ardhjes në pushtet, Trump u duk se bëri një hap mbrapa lidhur me zhvendosjen e ambasadës  së SHBA nga Tel-Avivi në Jerusalem, gjë që do të ishte një njohje e drejtpërdrejtë e Jerusalemit si kryeqytet vetëm i Izraelit. Ai bëri edhe disa kritika të vakta ndaj vendimit të Izraelit për të vazhduar me ndërtimin e kolonive të reja në Cisjordani. Në të njejtën kohë, Trump ka dënuar qëndrimin më të fundit (Dhjetorin e kaluar) në OKB të admnistratës Obama, falë abstenimit të përfaqësuesit të përhershëm të së cilës, Këshilli i Sigurimit aprovoi një rezolutë që dënon Izraelin për legalizimin e më shumë se 4000 ndërtimeve që janë bërë në Cisjordani pas vitit 2011, nga ana e kolonëve hebrej.

Po ashtu Trump,i cili të jep përshtypjen e  njeriut të letrave të hapura mbi tavolinë, nuk pati asnjë skrupull kur emëroi dhëndërin e tij, Jared Kushner, një pjestar i komunitetit hebraik më ortodoks të New Yorkut, si Këshilltar për zgjidhjen e konfliktit izraeliano-palestinez apo, e thënë ndryshe,  për proçesin e paqes midis tyre.

Vizita e Netanyahut pritej me ngut, si në Jeruzalem, ashtu edhe në Washington. Pas një periudhe relativisht të gjatë ftohjeje gjatë administratës Obama, krerët e dy vendeve përfituan nga rasti t’i komunikojnë botës se kjo periudhë e sapokaluar i përket tashmë së shkuarës. Dhe nuk mungoi surpriza nga ana e Trump në konferencën e përbashkët për shtyp: “do të më pëlqente zgjidhja me dy shtete apo me një shtet të vetëm”; “ do të isha i lumtur me çka do t’u pëlqente të dyja palëve. Jam si me njërën, ashtu edhe me tjetrën zgjidhje”. Presidenti Trump ia la në derë “palëve” zgjidhjen e konfliktit, pa dashur të ndërmjetësojë më shumë se ç’duhet. Është e para herë që pas 1993 që SHBA ndërrojnë qëndrim  dhe nuk i qëndrojnë më linjës “dy popuj-dy shtete” si e vetmja për t’u ndjekur në procesin e paqes midis izraelianëve dhe palestinezëve.

E menjëhershme përgjigjia nga ana e përfaqësuesve të Autoritetit Palestinez: Numri dy i tij, Saeb Erekat, e përkufizoi qëndrimin e ri amerikan si tentativë për të “varrosur zgjidhjen me dy shtete duke eliminuar atë të Palestinës”. Nëse një gjë e tillë do të ndodhte, sipas Erekat, “opsioni që mbetet është ai i një shteti të vetëm të përbashkët, demokratik e që do të garantonte të drejtat e të gjithëve; hebrejve, myslymanëve dhe të krishterëve”. Me fjalë të tjera, Erekat insinuoi se në një shtet të përbashkët, pa Palestinë, nuk do të mund të kishte as Izrael, ngaqë shteti i sotëm i izraelit vetëkonsiderohet hebraik.

Ideja e një shteti të vetëm gjithsesi nuk është e re dhe nuk është origjinale e Presidentit Trump. Kjo ide është hedhur edhe herë të tjera mbi tavolinë, madje janë bërë edhe studime shumëplanëshe e shumëdisiplinore për realizimin e mundshëm të saj, por ajo është vlerësuar gjithnjë si një ide e parealizueshme, për shkak të diferencave substanciale midis dy popujve dhe raportit demografik midis tyre. Nuk është e qartë se çfarë entiteti ka parasysh Presidenti Trump kur deklaron se do të ishte i lumtur edhe me zgjidhjen me një shtet, por me siguri ai, ndërsa shprehet kështu, është krejtësisht i përditësuar me gjendjen politikisht e moralisht të mjeruar brenda Autoritetit Palestinez. Thjesht, ajo mund të përshkruhet me pak fjalë: atë çka lë pas lufta midis fraksioneve, e mbaron korrupsioni apo anasjelltas. Presidenti i këtij Autoriteti, për shkak të korrupsionit në diell të hapur (vila e tij shumëmilionëshe në Ramallah i bën karshillëkun më të keq varfërisë së popullsisë palestineze përreth e nuk është e vetmja), bën sikur mban Autoritetin, por ka humbur autorevolecën. Për të mos folur për paraardhësin e tij, Arafat, i cili vodhi hapur miliarda dollarë të destinuar për popullin e tij, shuma me të cilat, pas vdekjes, është gruaja e tij ajo që mendon se si t’i konsumojë duke bërë një jetë luksoze.

Nëse do të përllogariteshin shumat e mëdha të parave që Autoriteti Palestinez ka marrë çdo vit, për dekada me rradhë,  në formë ndihmë nga SHBA, BE, shumë vende arabe e vende të tjerë për ndërtimin e infrastrukturës, spitaleve, shërbimeve publike, në Territoret Palestineze sot do të shihnim spitale me pesë yje, ujë të pijshëm dhe energji me impjante të rregullt inxhinierikë, shërbime sociale funksionalë, rrugë të rregullta e me kanalizime, zyra administrative në shërbim të njerëzve, linja transporti funksionale. Në të vërtetë nuk ka asgjë të tillë, përveç disa strukturave të përçudnuara ku, siç thotë një shprehje shqiptare, “ bie miu e thyen kokën”.

Autoriteti Palestinez është i përbërë nga shumë fraksione në konflikt të përhershëm më njëra tjetrën. Ky autoritet nuk ka asnjë kontroll mbi Gazën, këtë rrip toke me dalje në Mesdhe të cilin, sipas marrëveshjeve të viteve mëparshme, Izraeli ia dorëzoi pikërisht Autoritetit Palestinez, por që përfundoi totalisht në duart e Hamasit. Në vitet e parë të administrimit të Gazës, Hamas investoi shuma të mëdha në sektorin social, motiv për të clin edhe fitoi simpatinë e popullsisë lokale. Më pas korrupsioni dhe dasitë e brendshme bënë të tyren dhe sot mbështetja ndaj Hamasit është në rënie drastike. Nga kjo zonë vjen tashmë pjesa më e madhe e sulmeve nga toka apo nga ajri, ndaj qyteteve izraeliane.

Kjo është shkurtimisht tabloja e zymtë e situatës politike e sociale në Territoret Palestineze. Donatorët e huaj tashmë e dinë se Autoriteti Palestinez është gjithnjë e më pak incisiv në jetën e përditshme të popullsisë palestineze e cila jeton me  sakrifica jo të pakta në këto territore; dhjetëra mijëra palestinezë kalojnë çdo ditë kufirin me Izraelin, pasi kanë siguruar atje një vend pune dhe me të ardhurat e fituara mbajnë familjet; dhjetëra mijëra të tjerë ndodhen në emigracion, në vendet e tjerë arabë, në Europë, SHBA, Kanada, etj., remitancat e të cilëve janë një ndihmë e madhe për familjet që jetojnë në Territoret: papunësia midis të rinjve është shumë e lartë dhe në përgjithësi njerëzve u mungon perspektiva.

Në planin e marrëdhënieve më Izraelin ky Autoritet është gjithnjë e më i zhveshur nga forca dhe nga idetë dhe nuk është më në gjendje t’i ofrojë popullsisë së vet një perspektivë zhvillimi demokratik dhe progresist. “Ujqërit e vjetër” brenda këtij Autoriteti kanë ndjekur politikën e “mbytjes që foshnjë” të zërave të emancipuar dhe me edukim perëndimor që herëpashere dalin në sipërfaqe dhe kërkojnë ndryshimet e duhura politike, veçanërisht ecjen në rrugën e paqes me Izraelin.

Sa gjasa ka që zgjidhja me një shtet dhe jo ajo me dy shtete të marrë përparësi?

Pavarësisht se në cilin drejtim do të ushtrojë ndikimin e vet administrata e re amerikane, asgjë nuk mund të ndodhë pa pjesmarrjen e opinionit dhe të shoqërisë civile në të dy anët, si në Izrael, ashtu edhe në Territoret Palestineze. Një sondazh i shpejtë dhe i përbashkët izraeliano-palestinez i mbajtur menjëherë pas njoftimit se SHBA i është larguar zgjidhjes me dy shtete si zgjidhja e vetme e mundshme për këtë konflikt të gjatë, nxorri në pah se 55% e izraelianëve dhe 44% e palestinezëve janë për zgjidhjen me dy shtete. Sipas sondazhit, të organizuar nga Bashkimi Europian, vetëm 24 për qind e izraelianëve dhe 33 përqind e palestinezëve janë për një shtet të përbashkët izraeliano-palestinez.

Deklarata e Trump mbi  mundësinë e një shteti të vetëm izraeliano-palestinez është, në mos tjetër, një mënyrë, një thirrje për të qënë fleksibël në gjetjen e zgjidhjeve që çojnë drejt paqes. Presidenti kërkoi pikërisht fleksibilitet nga të dyja palët, karakteristikë shumë e rrallë në këtë pjesë të Mesdheut. Në këtë kuptim, eventualiteti i një entiteti shtetëror të përbashkët izraeliano-palestinez, kuptohet, mbetet thjesht një ide, një deklaratë e hedhur në një konferencë shtypi, nga ana e Presidentit Trump. Në hipotezën  më të mirë të mundshme, kjo ide do të nxiste studiuesit e zhvillimeve të perspektivës ta konsideronin si një temë interesante studimi pasi, gjithsesi, vështirë se do të merrte brenda një kohe të shkurtër  trajtat e një programi politiko-diplomatik e të një programi real zhvillimi.