Taksa mbi pronën – Nga 1 janari banesat 0.5% të vlerës, bizneset 0.15%

Nga 1 janari i vitit që vjen qytetarët do të paguajnë si taksë për ndërtesën e banueshme, 0.5 % të vlerës, ndërsa për ndërtesat që përdoren për veprimtari ekonomike, kjo taskë do të llogaritet sa 0.15% e vlerës.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) përmes ndryshimeve në ligjin “Për taksat vendore”, propozon sistemin e taksimit të llogaritur mbi vlerën e tregut nga taksë me bazë fiske që aplikohet aktualisht. Ky është një ndër sygjerimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar që nga viti 2014.

Për shkak të vështirësive të aplikimit të sistemit mbi bazë vlere, MFE ka hartuar një plan implementimi me faza për kalimin nga taksimi mbi bazë sipërfaqe në taksimin mbi bazë vlere.

Në fazën e parë është parashikohet ngritja e Kadastrës Fiskale. Procedura për ngritjen e kadastrës do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Njëkohësisht me ngritjen e Kadastrës Fiskale, do të taksohen fillimisht mbi bazën e vlerës vetëm ndërtesat.

Detyrimi i taksës mbi ndërtesën sipas dispozitave të këtij ligji mund të mblidhet nëpërmjet agjenteve të taksave, të cilët kanë shtrirje territoriale. Agjenti i autorizuar përfiton 2% të të ardhurave të arkëtuara nga taksa e ndërtesave.

Të ardhurat e mbledhura nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme derdhen për llogaritë buxhetit përkatës të njësisë së veteqeverisjes vendore në territorin e së cilës ndodhet pasuria.

 

Të dhëna

Sipas të dhënave të Censusit të vitit 2011, ndërtesat në qytet llogariten me rreth 30.6 milion m2, ndërsa ndërtesat në fshat llogariten rreth 27.0 milion m2. Mbi bazën e ligjit aktual, vlerësimi i të ardhurave të përfituara nga kjo taksë, për vitin 2011 kur është bërë Censusi, do të ishte 1,696.85 milion lek, e përkthyer në 0.13% të GDP. Ndërkohë që potenciali i vlerësuar i të ardhurave nga sektori tregtar shkon nga 3,625 milion lekë në 4,592 milionë lekë, me një vlerësim 0.32% të GDP.

Rreth 90% e të gjitha pronave është e regjistruar në ZRPP, dhe të gjitha pronat e regjistruara e kanë një vlerë në regjistrin e pronave. Po kështu, në bazë të ligjit “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” vlera është e rivlerësuar dhe e njëjtë me vlerën e tregut

 

Kush përjashtohet

Përjashtohen nga taksa mbi ndërtesat pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore që përdoren për qëllime jofitimprurëse, ndërtesat e banimit që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara, banesat sociale në pronësi të bashkive si dhe ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare. ata