Spitali i Traumës tashmë me 11 salla operatore të rehabilituara

 

Në Spitalin Universitar të Traumës (ish Spitali Ushtarak) kanë përfunduar investimet për rehabilitimin e ambjenteve. Tashmë Spitali i Traumës ka 11 salla operatore krejtësisht të rehabilituara dhe me pajisje mjekësore të reja si dhe të gjitha instrumentet mjekësore, procesin e sterilizimit dhe gjithë zonat e reja të pritjes, të trajtimit, të rehabilitimit.

Në këtë spital kishte dekada që nuk ishin bërë investime, Reanimacioni dhe Urgjenca e Politraumës kishin pajisje mjekësore të vjetra, që datonin prej vitit 1970 dhe kushtet e papërshtatshme rrisnin rrezikun e infeksioneve spitalore. Barnat ruheshin në kushte të papërshtatshme, fizioterapia dhe rehabilitimi ishin thuajse jashtë funksionit, me vetëm dy pajisje të vjetëruara dhe ambientet laboratorike nuk siguronin funksionimin sipas standardeve.

Në fjalën e saj ministrja Manastirliu tha se, “në Spitalin e Traumës, që prej ndërtimit të tij asnjëherë nuk është investuar”. “Janë dy investime radikale që janë kryer për ndryshimin e të gjithë shërbimeve, nga Urgjenca, Reanimacioni, shërbimet pritëse dhe pastaj është realizuar gjithë pajisja e plotë me aparaturat biomjekësoe dhe pajisjet spitalore”, u shpreh Manastirliu.

Një nga mjekët më të vjetër të këtij spitali vlerësoi se “ky është një investim realisht i madh”. “Unë kam 30 vjet që punoj në Reanimacion dhe Anestezi. Kemi shpëtuar edhe ne tani, me këto aparaturat e fjalës së fundit, jemi më të sigurt, më të qetë, punojmë më lehtësisht. Sigurisht, edhe të sëmurët janë më të garantuar. Edhe pse unë jam duke ia lënë stafetën të rinjve, meriton falenderime, sepse do të punojnë shumë më qetë e shumë më mirë”, u shpreh ai. Ndërsa një tjetër mjek u shpreh se “ka ndodhur një revolucion teknik i paparë. Sot mund të krahasohemi me spitalet bashkohorë që kemi parë në Itali e Gjermani”.

Sot, Reanimacioni është rikonstruktuar dhe pajisur me instrumente të reja. Spitali ka një shërbim bashkëkohor fizioterapie, laboratorësh dhe imazheri të fuqizuar me pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë.

Duke u ndalur në palestrën e repartit të Fizioterapisë, një shërbim unikal në sistemin tonë publik me të gjitha pajisjet e riaftësimit, Drejtori i spitalit, Gjovalin Bushi theksoi se me këtë investim janë fuqizuar kapacitetet e tij. “Llogarisim rreth 16 të sëmurë, vetëm të spitalit dhe ata që kanë mbaruar periudhën akute, do shkojnë në shtëpi por përsëri do vijnë të ushtrohen këtu”.