Shtyhet votimi për Demarkacionin me Malin e Zi

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka shtyrë shqyrtimin dhe votimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, për shkak të mungesës së një konsensusi.

Demarkacioni është marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar në vitin 2015 ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe për ta ratifikuar atë duhet 80 vota nga 120 deputetë që ka parlamenti i Kosovës. Kryesia e kuvendit në një mbledhje të saj e shqyrtoi këtë pikë, por nuk e procedoi demarkacionin për në seancën, që do të zhvillohet ditën e enjte.

Marrëveshjen e nënshkruar që në vitin 2015 e ka ratifikuar Kuvendi i Malit të Zi, ndërsa Kosova ende e mban pezull.

Partitë opozitare e kanë kundërshtuar gjerësisht marrëveshjen, duke argumentuar se “Kosova humbet territor”.