UISH: Infermierët, edukimi në vazhdim mbetet sfidë

Përgatiti Impakt - 24/12/2013
1

Tiranë, 24 dhjetor 2013, impakt.al- Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, ka mbledhur Aktivin e tij Kombëtar, në kuadër të të cilit ka marrë në shqyrtim të gjitha problematikat, por edhe ato që ka mundur të realizojë si institucion gjatë vitit 2013. Duke parashtruar nga ana tjetër, edhe objektivat për vitin e ardhshëm 2014.

Nga ana e tij, presidenti i UISH-së, Sabri Skënderi, ka bërë me dije se gjatë këtij viti kanë funksionuar grupet e mbikëqyrjes së kujdesit dhe janë vënë në lëvizje të vazhdueshme komisionet e gjykimit profesional në të gjitha rajonet. Të cilat kanë dalë edhe me rezultate konkrete lidhur me të gjithë elementët që janë gjykuar se bien ndesh me kodin etik-deontologjik dhe në tërësi, sjelljet e profesionistëve të kujdesit.

Sikundër, sipas tij, me rëndësi ka qenë gjatë këtij viti që po mbyllet, edhe vijimësia në mënyrë të suksesshme e regjistrimit, licencimit dhe rilicensimit të profesionistëve të tillë të kujdesit, të tillë si infermierët, mamitë, fizio-terapistët, teknikët e laboratorit dhe imazherisë.

Pa harruar as edhe zhvillimin e dy sezoneve të provimit të praktikës për ta, në kuadrin e ligjit për profesionet e rregulluara. Sa u përket rezultateve të Provimit të Shtetit, duhet thënë se ato kanë ardhur duke u përmirësuar nga viti në vit. Kujtojmë se deri tani janë dhënë disa herë Provime Shteti, ku në të parin, profesionistët kanë dalë shumë dobët, në nivelin e kalueshmërisë 23%; në provimin e dytë 47% dhe në të tretin vetëm 54%. Kjo tregon që kemi një rritje edhe pse akoma niveli i tyre lë për të dëshiruar. Sipas Skënderit, ka filluar të vlerësohen seriozisht edhe këto profesione të cilëve avash-avash do t’u jepet rëndësia e duhur.

Gjithsesi, sipas tij, për UISH-në dy objekte mbeten kryesoret dhe më shqetësueset: Ai i përmirësimit të sjelljeve etiko-profesionale të  profesionistëve të kujdesit infermieror. E në të njëjtën kohë, edhe ngritja e nivelit të tyre profesional në nivelin që kërkon koha, në një nivel evropian.

Dhe në kuadër të kësaj, Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, parashtron se për vitin e ardhshëm, 2014, sfidë e këtij institucioni mbetet vijimësia e edukimit në vazhdim të profesionistëve, si edh perfeksionimi i sjelljeve etike të tyre, gjithmonë nën moton, “pacienti mbi të gjitha”.

Puna e institucionit të i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë në të ardhmen, do të jetë gjithashtu e fokusuar në arritjen e standardeve të kujdeseve infermierore në nivelin e kohës dhe të kolegëve tanë evropianë. Për këtë, UISH në vazhdimësi, ai do të vijojë të punojë përmes këtij edukimi të vazhdueshëm për përmirësimin e kujdeseve infermierore dhe ka hartuar një plan të posaçëm për këtë edukim. Ku në të gjithë vendin, gjatë vitit në vazhdim, në të gjitha rrethet, do të zhvillohen seminare përkatës me tema dhe sipas nevojave e kërkesave të hartuara në bazë.

Ndërkaq, nga ana e tyre, infermierët e pranishëm në këtë Aktiv Kombëtar, parashtruan shqetësimet e tyre lidhur me atë që e kanë cilësuar si mosmbrojtje të tyre dhe kërkuan një vëmendje më të madhe ndaj punës që ata kryejnë. Duke e cilësuar veten si “punëtorë të heshtur” dhe që i dedikohen tërësisht jetës së pacientit, ata pohuan se ka ardhur koha që të vlerësohen siç duhet dhe që fjala e tyre të dëgjohet edhe kur bëhet fjalë për vendim-marrje në rangjet e larta të kujdesit shëndetësor.

Në fund të këtij aktivi, u nderuan me trofeun “Nënë Tereza”, personalitete të njohura të infermierisë në qarqet kryesore të vendit, si Miltiadh Naçi, Mihallaq Kondi, Mimoza Allanidhi, Juliana Xhindoli dhe Alpina Koçi.