SHBA pezullon dhënien e vizave jo-emigruese në Turqi

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar përkohësisht të gjitha aplikimet për viza jo-emigrimi nga Turqia, njofton ambasada në Ankara.

Deklarata e ambasadës amerikane sot thoshte se, “ngjarjet e fundit e kanë detyruar qeverinë amerikane që të rishqyrtojnë angazhimin e qeverisë turke lidhur me sigurinë e objekteve të misionit dhe personelit amerikan”.

Deklarata nuk i qartësonte arsyet për të cilat ajo po e rivlerëson angazhimin e Turqisë dhe po ashtu nuk sqaron se sa do të zgjasë pezullimi.

Në deklaratë po ashtu thuhet se, “për të minimizuar numrin e vizitorëve në ambasadë dhe konsullata ndërsa vazhdon ky vlerësim, efektivisht menjëherë pezullohen të gjitha shërbimet për viza jo-emigrimi në të gjitha objektet diplomatike amerikane në Turqi.”

Mosmarrëveshja e fundit vjen pasi mediat turke raportuan se një punonjës lokal i Konsullatës amerikane në Stamboll u arrestua më 4 tetor, nën akuzat se ka lidhje me grupin e klerikut fetar, Fethuallah Gulen, për të cilin Ankaraja thotë se ka orkestruar përpjekjen për grushtshtet ndaj Qeverisë, korrikun e kaluar.

Ankaraja i ka kërkuar Uashingtonit ta ekstradojë Gulenin, i cili me vite jeton në mërgim në SHBA. Kleriku ka mohuar se ka ndonjë lidhje me puçin e dështuar.

Punonjësi i arrestuar i Konsullatës amerikane, i identifikuar si Metin Topuz, është akuzuar formalisht për spiunim dhe përpjekje për të rrëzuar Qeverinë turke, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anadolu.