Rruga e Arbrit, e para që do të ndërtohet nëpërmjet PPP-së

 

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka firmosur kontratën e koncesionit për rrugën e Arbrit, ose siç njihet ndryshe “Rruga e detit për në Dibër”.

Firmosja u bë paraditen e sotme nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Presidenti i kompanisë fituese në garë.

Ministri Gjiknuri në fjalën e tij shprehu bindjen se shoqëria, nga çfarë prezantoi gjatë negociatave të kontratës i ka marrë të gjitha masat që brenda afateve të përcaktuara në kontratë, pra brenda këtij viti do të realizohet pjesa e financimit dhe fillimi i punimeve.

“Është një nga veprat e rëndësishme, një lajm shumë i mirë për qytetarët shqiptarë por mbi të gjitha për qytetarët dibranë të cilët prej shumë vitesh e kanë pritur këtë rrugë”, u shpreh Gjiknuri.

Ai tha se është një vepër që do të kushtojë 240 milionë euro dhe në këtë kontratë është parashikuar që shteti do të marrë përsipër të likujdojë kontraktorin brenda një periudhe 13 vjeçare.

Gjiknuri deklaroi se kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge gjatë gjithë periudhës së koncesionit”, theksoi Gjiknuri.

Duke sqaruar se kjo është eksperienca e parë e firmosjes së një kontrate të tillë, ministri Gjiknuri sqaroi se do të vazhdohet edhe me projektet e tjera të mëtejshme të Partneritetit Publik-Privat.

 

***

 

Partneriteti Publik – Privat (PPP)

Partneriteti Publik-Privat (PPP) në përgjithësi përkufizohet si formë bashkëpunimi e sektorit publik dhe privat, me qëllim zbatimin e projekteve në fushën e financimit, ndërtimit, menaxhimit, mirëmbajtjes, shërbimit. Një PPP formësohet nëpërmjet një sërë marrëveshjesh të lidhura midis sektorit publik e privat, në të cilat përcaktohen të drejtat dhe përgjegjësitë e palëve.

 

Çfarë siguron ky partneritet ?

– Metoda novatore ndaj sfidave të zhvillimit dhe zhdukjes së varfërisë,

– Mekanizma të rinj për të aftësuar secilin sektor të tregojë kompetencat e kapacitetet për të arritur qëllimet e përbashkëta dhe plotësuese më efektivisht, legjitimisht dhe në mënyrë të qëndrueshme,

– Akses në më shumë burime, duke përdorur burime teknike, njerëzore, fizike, financiare të të gjithë sektorëve,

– Rrjete të reja dinamike, duke i ofruar secilit sektor rrugë më të mira angazhimi në një komunitet më të gjerë dhe kapacitet më të madh për të influencuar axhendën politike,

– Perceptim më të mirë të vlerave e tipareve të çdo sektori për të ndërtuar një shoqëri më të integruar dhe më të qëndrueshme.

 

Partneriteti midis Qeverisë-Sektorit privat-Shoqërisë civile konsiderohet faktor i rëndësishëm për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm global dhe qeverisjen e mirë. Në këtë kontekst lidhja midis Qeverisjes dhe Partneritetit sjell një ndikim reciprok. Qeverisja e mirë përmirëson Partneritetin dhe Partneriteti përmirëson Qeverisjen. Lidhjet midis Qeverisjes dhe Partneritetit vendosen përmes konsultimit,  koordinimit, pjesëmarrjes dhe dialogut.

Partneriteti publik-privat është një mënyrë financimi, nëpërmjet së cilës një autoritet publik u bën thirrje investitorëve privatë për të financuar dhe menaxhuar një instalim, që siguron ose kontribon në shërbimin publik. Partneri privat merr si kundërparti një pagesë prej partnerit publik dhe/ose prej përdoruesve të shërbimit që ai menaxhon. Kjo mënyrë pagimi përdoret në shumë vende në forma të ndryshme.

Gjëndja aktuale e borxhit të lartë publikë në shumë vende i shtyn ato të përdorin gjithnjë e më shumë formulës së partneritetit publik-privat. Një gjë e tillë është mbështetur prej shumë vitesh edhe prej institucioneve financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore, OCDE dhe Banka evropiane e investimeve. Kjo mënyrë financimi është kritikuar shumë nga shoqëria civile Sipas saj, ky mekanizëm është i dëmshëm për demokracinë dhe nuk sjell një përfitim real në koston ose efikasitetin e menaxhimit. Ai konsiderohet si një mjet për të imponuar një ideologji dhe për tu fshehur instancave të kontrollit (institucionet ndërkombëtare, tregjet financiare) një pjesë të borxhit publik, sidomos në vendet e zonës Euro, ku kriteret e konvergjencës vendosin tavanin e 60% të PPB.

E drejta komunitare nuk rregullon partneritetin publik-privat, megjithatë ai zbatohet  në tregjet publike ose në koncesionet. Komisioni evropian dallon partneritetet publik-privat të institucionalizuar (PPPI), që veprojnë nëpërmjet vendosjes së një kapitali të përbashkët dhe PPP kontraktore (PPPC), që bazohen vetëm mbi lidhjet kontraktore.

 

 

***

 

Rruga e Arbrit – Rruga e detit për në Dibër

Pozita e përshtatshme gjeografike e trojeve tona, që prej kohëve më të vjetra ka përshtatur trasimin në to të shumë rrugëve të njohura në histori.

Më e njohura ka qenë Via Egnatia e shekullit II p.e.s e ndërtuar nga romakët, e cila nga Durrësi-Elbasani-Ohri e Selaniku shkonte në Konstandinopojë. Veç Egnatias, nga Durrësi drejt brendësisë niseshin dhe rrugë të tjera që degëzoheshin në fushën e Tiranës, siç kanë qenë ajo Durrës-Lissus-Naissus, rruga Tiranë-Kërrabë-Elbasan, degë e Egnatias, etj.

Veç këtyre nëpër Tiranë kalonte dhe rruga e detit për në Dibër, e njohur me emrin “Rruga e Arbrit”. “Rruga e Arbrit” ka origjinën nga Periudha Romake, shekulli I dhe II, siç dëshmojnë stacionet rrugore “Mansion” (Mansaj) të Gurit të Bardhë.

Në shekullin XI, rruga përmendet nga kronistja bizantine, Ana Komnena, ndërsa në vitin 1257 këtej kaloi komandanti britanik Gjergj Akropoli.

Normanët e Boemundit kalonin në këtë rrugë gjatë luftimeve. Në defterin turk të 1467-s Guri i Bardhë etj., përmenden si fshatra “Dervene” që ruanin e mirëmbanin rrugën. Stacione të rëndësishme të rrugës kanë qenë Zall-Dajti në Malësinë e Tiranës dhe Guri i Bardhë. Guri i Bardhê, i njohur për traditat arsimdashëse, kulturore e mikrpitëse ështe shumë i njohur nga banorët e zonës së Dibrës. Në këto fshatra ndodhen mjaft gjurmë të rrugës si hane, karakolle, kalldrëme, ka shumë ura, etj.

 

Pasuritë natyrore të zonave ku kalon Rruga e Arbrit

Në rajonin e Dibrës takohen shumë vendburime, objekte e shfaqje të mineraleve të dobishme metalore e jo metalore. Minerali i kromit përbën një nga pasuritë më të mëdha që gjendet në rajonin e Dibrës. Atë e takojmë në masivet ultrabazike perspektivë lindore të vendit tonë, në atë të Bulqizës dhe të Lurës. Në masivin Bulqizës janë zbuluar vendburimet më të mëdha të kromit siç janë: Vendburimi Bulqizë-Batër, Qafë-Buall, Almarinë, Tërnovë, etj.

Në pjesën veriore gjenden disa objekte kromi siç janë: Objekti Zabeli, Majat e Bregut, Kodra e Lerës, Fushë-Balgjaj, Kepat e Dik-Nelit, Liqeni i Dervishit, Selishta Veriore, Selishta Jugore, Bataçet e Kacnisë, Fushë Shtrungëza, Rrënja e Milloshit, Maja e Hurdhës, Druni i Boshtive, Qafë-Murra, etj. Në veri-perendim jane të njohura vendburimet e Shkallës, Cërujës, Majës së Kunorës, Majës së Burrelit e Qafës së Burrelit. Vendburimi i Shkallës është një ndër vendburimet e masivit tê Bulqizës ku përmabjtja në % e Cr në minaralin e kromitit është më të lartat.

Në masivin e Lurës janë kryer më pak punime të kërkim-zbulimit e megjithatë janë zbuluar disa objekte e shfaqje të mineralizuara kromi si në Krej Lurë, Kesule, Blac, Kumbull, Lajthize, Dodaj, etj.

Në rajonin e Dibrës janë zbuluar edhe disa minerale të tjerë metalorë si minerali i Manganit në Topojan e në zonën e Gollobordës, minerali i hekurit pa nikel në zonën e Korabit, minerali i bakrit në zonën e Pregj Lurë-Arrmollës dhe të Peshkopisë (Pilafe, Zimur, Cerjan), minerali i hekur-nikelit në zonën Lajthizë-Nome, shfaqje e shenja të arsenik-polimetaleve në zonën e Dipjakës e Radomirës dhe shenja të mineraleve të rrallë e të çmuar për të cilët nevojiten punime e studime të mëtejshme.

Rajoni i Dibrës është i pasur edhe me minerale e shkëmbinj industriale jo metalore, shumë të rëndësishëm për ekonominë e tregut si: Gurët dekorative karbonatike dhe ofiolitike e mermeret, shkëmbinjtë gëlqerorë si lëndë e parë ndërtimi për prodhimin e inerteve karbonatike, gëlqeres e çimentos, të Gjipseve e anhidriteve si lëndë e parë ndërtimi për prodhimin e parafabrikateve të gjipsit, allçisë, çimentos së bardhë, etj. Argjilat si lëndë e parë ndërtimi për prodhimin e tullave, qeramikës, e çimentos, ranorëve, kuarciteve, travertinave, inerteve lumore e shkëmbore (karbonatike), bojërave të dheut, pirofilitit, squfurit, kryprave minerale në evaporitet, grafiteve, shapeve, rrasave, etj.