Rritet bashkëpunimi ushtarak SHBA-Shqipëri, Lu: Po investojmë në të ardhmen e FA

 

Rritja e buxhetit të Mbrojtjes dhe faza e re e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve ishin mesazhet kryesore  të ministres së Mbrojtjes  Olta Xhaçka dhe ambasadorit amerikan Donald Lu, gjatë ceremonisë së dorëzimit të 12 mjeteve të blinduara nga qeveria amerikane për Forcat e Armatosura shqiptare.

Në fjalën e tij, ambasadori Lu vlerësoi ministren për punën e saj në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, për të cilën ai ofroi mbështetjen e qeverisë amerikane, si dhe njoftoi ftesën për ministren e Mbrojtjes për të vizituar Pentagonin.

“Ministrja Xhaçka po investon në të ardhmen. Ne i ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për këto investime. Për ushtarët dhe marinarët heroikë të Shqipërisë. Kam nderin të njoftoj që në muajin Janar, Departamenti i Mbrojtjes do të pres ministren tuaj të re të Mbrojtjes, ministren Olta Xhaçka dhe një delegacion të nivelit të lartë në Pentagon për të diskutuar se si mund të zgjerojmë marrëdhëniet tona ushtarake dhe të rrisim mbështetjen tonë për FA shqiptare.”– u shpreh ambasadori Lu, i cili çmoi vendimin e qeverisë shqiptare për të rritur ndjeshëm buxhetin për Mbrojtjen dhe gjithashtu njoftoi edhe rritjen e buxhetit të qeverisë amerikane për trajnimin e ushtarakëve shqiptarë në SHBA. “Për herë të parë që kur Shqipëria u anëtarësua në NATO në vitin 2009, po shohim një rritje të madhe në buxhetin e propozuar të mbrojtjes, mbi 8 miliardë lek më shumë se vjet. Kjo është një kohë e shkëlqyer të qenë ushtar ose marinar në Shqipëri. Jam krenar që sot njoftoj se vitin e ardhshëm do të rrisim buxhetin tonë për trajnimin ushtarak për Shqipërinë mbi 35 milionë lekë në vlerësim të angazhimit të Shqipërisë ndaj NATO-s.”

Nga ana e saj, ministrja Xhaçka falënderoi qeverinë amerikane për mbështetjen e treguar ndaj Forcave të Armatosura shqiptare, si dhe theksoi fazën e re të marrëdhënieve me SHBA, të cilat ajo i cilësoi si aleat strategjik. “Shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e mia dhe të qeverisë së Republikë s së Shqipërisë, ndaj aleatit dhe mikut tonë strategjik, SHBA-ve, për mbështetjen e përhershme, bujare dhe të pakufizuar ndaj FA. Dua të nënvizoj faktin se këto marrëdhënie tashmë kanë hyrë në një fazë të re dhe më cilësore.”– tha ministrja Xhaçka, e cila nënvizoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të modernizuar më tej FA shqiptare.”Qeveria e Republikës së Shqipërisë, dhe Ministria e Mbrojtjes është e angazhuar në një proces modernizimi të FA-ve, me synim rritjen dhe përmirësimin cilësor të kapaciteteve operacionale të strukturave tona ushtarake dhe veçanërisht të atyre strukturave që janë pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO-s.”

Më pas të pranishmit panë nga afër jo vetëm 12 mjetet e blinduara, por edhe mjetet dhe pajisjet e tjera që i janë dhuruar në vite Forcave të Armatosura shqiptare nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

12 mjete e dorëzuara sot e çojnë në 18 numrin e mjeteve të blinduara, të cilat janë pjesë e paketës prej 248 mjetesh me vlerë 12 mln dollarë që qeveria e SHBA do t’i dhurojë FA-ve shqiptare.