Referendumi në Turqi: Surprizoi rezultati, por jo “fitorja”

Nuk surprizoi aspak “fitorja” e Erdoganit në referendumin e fundit; ajo çka me të vërtetë përbën një surprizë është rezultati i ngushtë – diçka rreth 51 përqind Pro e 49 Kundër –  avantazh i diskutueshëm edhe në rastin e zgjedhjeve të çfarëdoshme, por jo bindës për të kryer ndryshime kushtetuese që do të ndërrojnë krejtësisht modelin politik mbi të cilin është themeluar Turqia moderne. Po t’i shtojmë kësaj edhe votat e kontestuara dhe manipulimet, është e qartë se “ftorja “ e Erdoganit është e diskutueshme në të gjitha planet. E po t’i shtojmë edhe faktin se pjesa më e zhvilluar e Turqisë së sotme, Stambolli, Ankaraja, Izmiri, Bursa votuan përgjithësisht “Kundër”, atëherë “fitorja” e Sulltanit të ri të Bosforit bëhet edhe më pak bindëse akoma.

Në fakt, si Partitë e opozitës turke, ashtu edhe shumë nga aleatët e Turqisë jashtë vendit i kanë kontestuar paregullsitë e shumta që çuan në  rezultatet e këtij referendumi që do të shënojë kalimin e Turqisë nga një Republikë Parlamentare në një Republikë Presidenciale, në të cilën, Presidenti, në këtë rast zoti Erdogan, do të ketë kompetenca të gjera mbi ekzekutivin, legjislativin, ushtrinë, policinë, organet e sigurisë, etj.. Për një vend si Turqia, ku mbajtja e balancës politike rezulton gjithnjë e gjithsesi e vështirë, marrja në dorë e një pushteti të tillë nga ana e një njeriu të vetëm, me tendenca të qarta autokratike siç është zoti Erdogan, do të thotë hyrja në një fazë të re e konfliktuale të historisë së saj.

Që vendin e ka ndarë ekzaktësisht më dysh, këtë Erdogan e di fort mirë:  nga njëra anë popullsia rurale e hinterlandit turk dhe nga ana tjetër popullsia europianofile e qyteteve të mëdha me dalje në Mesdhe, kryeqyteti Ankara i lidhur fort me modelin e Ataturkut, popullsia e territoreve kurde dhe ajo e disa pakicave të tjera në verilindje të vendit. Një ndarje të tillë vetëm Erdogan arriti ta realizojë. E për t’i dalë para situatës së shizmës së krijuar, ai zgjedh një argument dominant: atë të “kryqëtarëve” të Europës, të cilët na paska dashur “dorëzimin” e kombit turk! Një absurditet të tillë vetëm një si Erdogan mund ta prodhojë! Në shërbim të kësaj dominance artificiale Erdogan ndërmorri qysh para referendumit disa sulme absurde, sidomos ndaj Gjermanisë dhe Hollandës që, për arësye sigurie,  nuk i lejuan atij dhe emisarëve të tij të mbajnë fjalime publike për emigrantët turq që jetojnë në këto vende.

Erdogan forcoi mbajtjen e referendumit për ndryshimin e strukturës politike të vendit në kushtet e gjendjes së emergjencës në të cilën ndodhet ende vendi pas grushtit të dështuar të shtetit të korrikut të kaluar, të cilin Erdogan ia ka faturuar krejtësisht ish aleatit dhe mbështetësit të tij, klerikut Fetullah Gulen me bazë në SHBA. Pas këtij grushti shteti të dështuar, qindra njerëz kanë përfunduar në burgje; dhjetëra mijëra të tjerë, nëpunës, gjykatës, ushtarakë, mësuesë, janë pushuar nga puna dhe i janë nënshtruar me forcë proceseve gjyqësorë të sajuar, dhjetëra gazetarë janë keqtrajtuar dhe vënë nën proçese gjyqësorë të sajuar enkas për ta. Gjithashtu dhjetëra biznesmenëve antierdoganistë të njohur u është bllokuar aktiviteti i tyre dhe janë dënuar për motive nga më të ndryshmet. Ky proçes spastrimi nuk ka kursyer personalitete dhe ligjvënës.

Vëzhguesë të ndryshëm politikë dhe njohës të çështjeve turke vënë në dukje polarizimin e madh të shoqërisë turke aktuale dhe ndarjen e saj më dysh. Ata theksojnë se për një shoqëri ku instabiliteti politik ka një histori të pasur, këto lëvizje të Erdoganit paralajmërojnë veçse stuhi të brendshme. Përpos kësaj, Erdogan po e gjen veten gjithnjë e më të izoluar jashtë vendit. Për të përballuar këtë, Erdogan po përpiqet ta heqë veten si lider i një kombi që nuk do t’ia dijë se ç’mendojnë dhe ç’thonë të tjerët në Perëndim. “Shqetësimi ynë nuk është ajo çka thotë George ose Hansi ose Helga. Shqetësimi ynë është ajo çka thotë Hysejni, Hatixheja, Aishja, Ahmeti, Mehmeti, Hasani”, shprehet ai në një takim. Duket sikur ka të drejtë, por vetëm sikur, pasi në të vërtetë injoron faktin se Hysejni, Hatixheja, Aishja, Ahmeti, Mehmeti, Hasani dhe gati 70 milionë turq të tjerë e kanë lidhur jetën dhe zhvillimin, direkt apo indirekt, falë edhe institucioneve demokratike të derimëtanishme të Republikës së Turqisë të ngritur mbi modelimin perëndimor, me kursin e përgjithshëm të Perëndimit të “kryqëzatave”.

Por Erdogan nuk ndalet, jo vetëm në retorikën e tij antieuropiane, por edhe në hapat mbrapsht drejt një shteti gjithnjë e më autokratik: pas referendumnit për ndryshimet në kushtetutë, do të vazhdojë me rivënien e ligjit të dënimit me vdekje. Këtë rradhë, jo në emnër të Demokracisë së tij, sui generis, por në emër të Allahut !!!. “Ajo që Allahu thotë. Kjo është arsyeja pse parlamenti ynë do të marrë këtë vendim.”, është shprehur ai.

Aprovimi i një ligji të tillë do të thotë edhe mbyllje e menjëhershme e të gjitha negociatave shumëvjeçare për t’u anëtarësuar në BE. Por rrënimi i këtij investimi të madh politik të vendit në dekada nuk përbën asnjë problem për Erdogan. Fakti që edhe Britania e Madhe ka dalë tashmë jashtë BE-së i jep krahë retorikës së tij antieuropiane dhe presioneve për  kërkesa  ekonomike në rritje ndaj BE-së.

Edhe po të konsiderohej si një rezultat real dhe i padiskutueshëm, fitorja me vetëm 1 përqind dëshmon, përkundrazi, për një humbje për Kalifin e Bosforit. Kishte imagjinuar dhe kishte investuar shumë për një fitore të thellë, por dështoi. Dështoi kundër të tjerëve, por edhe ndaj vetes e kjo e bën Erdoganin, si njeri e si politikan,  dy herë më të dobët se më parë. Në rastin e tij do të jemi shumë shpejt dëshmitarë se si tahmaja e madhe të lë gjithnjë pa gjë!

 

Istambul, 16.04. 2017