Qendra zvicerane për shërbimet e emergjencës përuron ambiente të reja

Ambasadori zviceran dhe zv.Ministrja e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social ishin sot Pezë për të përuruar ambiente dhe pajisje të reja në Qendrën e Trajnimeve për Shërbimet e Emergjencës – një nisëm e Fondacionit Zviceran për Inovacion (SFI).

Një zgjerim i ambienteve dhe instalim i pajisjeve dhe mobiljeve të dhuruara nga Policia Federale e Zvicrës do të mundësojnë më shumë trajnim dhe arsim të vazhduar për shërbimet shëndetësore, policinë dhe zjarrfikësit. Në përurimin e ambienteve morën pjesë Ambasadori zviceran Christoph Graf, Zv. Ministrja e Shëndetësisë Ardjana Jaku, dhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare për Edukimin në Vazhdim, Entela Shehu.

“Kjo Qendër do të trajnojë profesionistë shqiptarë të shëndetësisë, policisë dhe shërbimeve zjarrfikëse, dhe gjithashtu edhe kompani dhe institucione që kanë nevojë të trajnojnë stafin për shërbime emergjence. Cilësia zvicerane është e garantuar: në këtë qendër unë ndihem si në Zvicër. Disa nga vlerat më të mira zvicerane duken qartë në punën e kësaj qendre dhe të fondacionit: cilësia; preçizioni dhe inovacioni”, tha Ambasadori Christoph Graf.

Zv. Ministrja e Shëndetësise Ardjana Jaku shprehu falënderime të ngrohta për punën që kryen kjo qendër. “Edhe në emër të Ministres ju deklaroj që dera e Ministriës është gjithnjë e hapur për bashkëpunim me Fondacionin Zviceran për Inovacion”, tha Zj. Jaku.

Qendrën e Trajnimeve për Shërbimet e Emergjencës u ngrit në 2007 nga Fondacioni Zviceran për Inovacion dhe ka ofruar kurse trajnimi mbi shërbimet e emergjencës dhe sigurinë teknike gjatë këtyre 10 viteve. Qendra ofron trajnim profesional sipas modelt ‘dual’ zviceran: një kombinim i teorisë me praktikën e llojit ‘duart në punë’ e cila është provuar superiore ndaj modelit kryesisht teorik.

Profesionistët që punojnë në shëndetësi, polici, ushtri, brigadat zjarrfikëse ose në sigurinë teknike, do të përfitojnë nga kurrikulumi i një standardi të lartë të kësaj qendre. Po ashtu shumë kompani apo institucione të cilat duan të përmirësojnë kapacitetin për të trajtuar emergjenca apo rreziqet në punë, po marrin kurse të shkurtra për të trajnuar punonjësit.

Motoja e deklaruar e Qendrës së Trajnimeve për Shërbimet e Emergjencës është ‘të shpëtojmë jetë dhe të parandalojmë dmëtimet dytësore’. Duke rritur ndërgjegjësimin mbi mënyrën se si duhet përgjigjur ndaj aksidenteve, çfarë duhet bërë dhe çfarë nuk duhet bërë gjatë rasteve të emergjencës, qendra synon të përgatisë profesionistët dhe qytetarët për raste të tilla.