PS përjashton Saimir Tahirin nga grupi parlamentar

Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që nga e hëna paradite nuk do te jetë më deputet i grupit parlamentar të Partisë Sosialiste. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS u vendos përjashtimi i i deputetit Tahiri, duke e lënë deputet të lirë deri në përfundim e procesit hetimor të ngritur nga prokuroria për trafikimin e drogës drejt Italisë me grupin kriminal “Habilaj”.

“Tahiri do të jetë një njeri i lirë dhe një deputet i lirë, jashtë forumit të Partisë Socialiste dhe jashtë grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në momentin që Tahiri do ta mbyllë këtë ҫështje në favor të tij, ai është prapë i mirëseardhur në PS”, tha kryetari i PS.

Hapi që ndërmori Kryemnistri dhe grupi parlamentar socialist ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të liderit të opozitës së djathtë, kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Ai i ka drejtuar një thirrje të hapur Komisionit  të BE-së dhe qeverisë së SHBA-së, kundër asaj që ai e quan “një fushatë kërcënimesh dhe sulmesh ndaj drejtësisë, të nisur të premten e kaluar”, në ditën e takimit të parë të Këshillit parlamentar të Mandateve dhe Imuniteteve. Në thirrje Basha u kërkon që: “të bëjnë presion ndaj Kryemnistrit dhe shumicës qeverisëse që ta ndërpresin këtë fushatë, që ka për qëllim gjunjëzimin e drejtësisë dhe garantimin e pandëshkueshmërisë për politikanë të ekspozuar publikisht si të lidhur me krimin. Tahiri duhet t’i nënshtrohet ligjit si çdo qytetar tjetër dhe nuk duhet të mbrohet nga imuniteti parlamentar dhe mbrojtja politike e shumicës në pushtet”, ka thën Basha.

Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve po përgatit dy raporte për ҫështjen Tahiri që do të paraqiten për t’u votuar në seancë plenare, të mërkurën (25.10). Maxhoranca socialiste e vulosi qëndrimin e saj të prerë kundër heqjes së imunitetit të Tahirit. Votimi do të bëhet me shumicë të thjeshtë të deputetëve të pranishëm në sallë. Votat e 74 deputetëve socialistë fitojnë kundrejt vetëm 59 votave të opozitës, që nuk arrin të dominojë edhe nëse asaj i bashkohen 7 deputetë të pavarur.