Programi i ri Ekonomik, 17 reformat deri në 2020-ën

Në programin e ri ekonomik për periudhën 2018-2020, i cili u miratua këto ditë nga qeveria, parashikohet zbatimi i 17 reformave. Ky program reformash do dorëzohet në Komisionin Europian për t’u monitoruar më pas prej tij.

Lista e tyre fillon me krijimin e një kadastre fiskale, e cila sipas ekspertëve të qeverisë do të hapet së pari në Tiranë, Durrës, Fier dhe Korçë. Dhe deri në vitin 2020, parashikohet të shtrihet në 61 bashkitë e vendit. “Megjithëse aktivitetet e saj ishin parashikuar në periudhën 2016-2017, ato nuk u përmbushën sipas afatit”, pranojnë vetë ekspertët e qeverisë. Për të shtuar më tej se kur ajo të bëhet funksionale, përfitimi ka për të qenë deri në nivelin e të ardhurave shtesë prej 0.3%-0.5% e PBB-së.

Gjithsesi, ata parashikojnë edhe një risk në mosrealizimin e kësaj reforme, duke e lidhur këtë me ristrukturimin që iu bë administratës publike pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2018.

Kurse sa u përket reformën tjetër të rëndësishme, e cila ka të bëjë me sektorin elektro-energjetik të vendit, në tre vite synohet që prodhimi i energjisë të rritet duke dhënë sa më shumë koncesione për ndërtime të hidrocentraleve të reja.

Nga ana tjetër, parashikohet që deri në vitin 2020 të jetë realizuar edhe një studim i plotë i fizibilitetit për Korridorin Adriatik-Jonian. “Korridori i Fierit, që është pjesë e tij, është në ndërtim e sipër dhe do shihet pjesa e mbetur e tij, prej 58%”, saktësohet në Programin e ri Ekonomik të vendit.

Kurse sa i përket liberalizimit të tregut të energjisë, Shqipëria sheh para së gjithash si të domosdoshëm krijimin e Bursës shqiptare të Energjisë. Por edhe ndarjen e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), për të cilin, kujtojmë se vendi ynë mori së fundmi një vërejtje edhe nga Sekretariati i Energjisë në Vjenë, mbi vonesën e këtij procesi, i cili sipas tij duhej që të ishte realizuar prej kohësh. Por pa harruar në këtë sektor, edhe linjën e interko-njeksionit të linjës 400 KV, me Maqedoninë, ndërtimi i së cilës do të nisë së shpejti, teksa ajo është përfshirë tashmë në Listën e Projekteve të Interesit të Komunitetit të Energjisë, i konceptuar si pjesë e një korridori të transmetimit të energjisë Lindje-Perëndim, midis Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë. “Në Shqipëri, një linjë transmetimi 400 KV do të lidhë Fierin me Elbasanin dhe prej aty, deri në kufirin me Maqedoninë”, saktësojnë ekspertët lidhur me këtë projekt, kostoja financiare e të cilit është 70 milionë euro. Për të përfunduar me sektorin elektro-energjetik, me miratimin e Master-Planit të Gazit për Shqipërinë. Si edhe miratimin e një studimi të lidhjes së gazsjellësit TAP me termocentralin e Vlorës. Apo përgatitjen e projektit për pjesën shqiptare dhe malazeze të tubacionit IAP. Si edhe studimin për ndërlidhjen e gazit Shqipëri-Kosovë (ALKOGAP) etj. Që të gjitha këto, projekte të cilësuara pa risk, pasi aktualisht financimet rreth tyre janë të miratuara dhe janë donacione nga struktura të ngritura prej Bashkimit Evropian.

 

Më poshtë lista e reformave:

1-Krijimi i një kadastre fiskale

2-Liberalizimi i mëtejshëm i tregut të energjisë

3-Diversifikimi i burimeve të energjisë (gazifikimi)

4-Studim fizibiliteti për ndërtimin dhe përmirësimin e Korridorit Adriatik-Jonian

5-Rehabilitimi dhe ndërtimi i segmentit hekurudhor Durrës-Rinas-Tiranë

6-Konsolidimi dhe defragmentimi i tokës bujqësore

7-Politika për zhvillimin e industrisë joushqimore

8-Reforma në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve

9-Reduktimi i barrierave për biznesin

10-lmplementimi efektiv i planit kombëtar për uljen e nivelit të kredive të këqija në sektorin bankar

11- Përmirësimi i kapaciteteve institucionale të sistemit për kërkimin shkencor dhe inovacion

12- lmplementimi i kuadrit ligjor dhe rregullator për zhvillimin e infrastrukturës të bandës së gjerë (broadband).

13- Lehtësimi i tregtisë dhe arritja e sinergjisë në implementimin e masave kombëtare lehtësuese se për tregtinë.

14- Hartimi dhe implementimi i kurrikulave të bazuara në kompetenca dhe trajnimi i mësuesve

15-Përmirësimi i cilësisë dhe mbulimit të AFP duke siguruar lidhje me tregun e punës

16- Modernizimi i shërbimeve publike të punësimit, rritja e punësimit për gratë, të rinjtë dhe grupet e cenuara

17- Forcimi i mbrojtjes sociale dhe masat për përfshirjen sociale