Presidenti Thaçi nderon qytetin e Kukësit me “Urdhërin e Lirisë”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar qytetarët e Kukësit me medaljen “Urdhri i Lirisë”.

Presidenti Thaçi ka thënë se është në Kukës për të shprehur falënderimin e madh për të gjithë qytetarët e Kukësit, të cilët me zemërgjerësi dhe bujari të pakrahasueshme strehuan rreth 500 mijë vëllezër dhe motra të tyre nga Kosova, të shpërngulur dhunshëm në vitet e luftës.

“Në periudhën më kritike të shqiptarëve të Kosovës, Kukësi i ri, Kukësi i vogël në dukje u bë Kukësi i madh, i hapur, i dashur dhe thellësisht bujar e fisnik”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi tha se lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sukseset e NATO-s e bënë edhe më të egër politikën antishqiptare të Beogradit, i cili filloi spastrimin etnik përmes vrasjeve, ndjekjeve, dëbimeve dhe gjenocidit.

“Popullatën e paarmatosur, gra, burra, pleq dhe fëmijë i larguan me forcë nga vatrat e tyre në drejtim të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Në Kukës zunë vend rreth gjysmë milioni të dëbuar. Falë solidaritetit, dashurisë dhe ndjenjës së pastër atdhetare, kosovarët e dëbuar në Kukësin tuaj gjetën ngrohtësinë e vatrës shqiptare dhe me durim pritën përfundimin e luftës”, shtoi presidenti Thaçi.

Banorët e Kukësit dhe lumjanët në përgjithësi, presidenti Thaçi ka thënë se janë pjesë e përbashkët e historisë së Kosovës.

“Gjatë viteve ‎1998-1999, Kukësi u bë bazë e UÇK-së. Qyteti i Kukësit përjetoi granatimet e ushtrisë serbe. Shumë kuksianë iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu si hasjanët dhe tropojanët”, u shpreh Thaçi.

Ndërsa, Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, ka thënë se kjo është një ditë e shënuar për banorët e Kukësit për shkak të vlerave të larta dhe ndjeshmërisë që kanë treguar në vitet e luftës në Kosovë.

“Thaçi ishte në Kukës si lider lufte, si luftëtar i lirisë, por sot ka ardhur si President i Kosovës për të na treguar se Kosova dhe kosovarët nuk na harrojnë.

Jo vetëm Kukësi, por i gjithë Qarku i Kukësit kreu detyrën ndaj vëllezërve kosovarë, detyrimet shumë shekullore që kemi ndaj njëri-tjetrit. Nderi më i lartë i vjen sot Kukësit nga Kosova, mirënjohja vjen pikërisht nga vendi që përjetoi ato ngjarje dramatike. Kjo merr rëndësi të veçantë, Kosova di të nderojë, Kosova nuk harron të kaluarën e vet, Kosova nuk harron Kukësin dhe kuksianët”, ka thënë Shehu.

Duke kërkuar mbështetjen e dy qeverive shqiptare, Shehu ka propozuar që të krijohet “Muzeu i Kujtesës”, për t’i përkujtuar ditët e vështira që kosovarët dhe kuksianët kanë kaluar së bashku.

Ceremonia u shoqërua edhe me valle tradicionale e këngë patriotike të përgatitura nga Qendra Kulturore e Bashkisë ne bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve.

Një vit më parë Bashkia e Kukësit u nderua nga presidenti Nishani me dekoratën “Nderi i Kombit”, ndërsa në vitin 2000 ishte kandidat për çmimin Nobel për Paqen, duke u bërë kështu qyteti i parë në botë i kandiduar për një çmim të tillë.

 

"Urdhëri i Lirisë" për Kukësin.

Me motivacionin: "Për kontributin e jashtëzakonshëm në strehimin e bashkombasve, e vëllezërve dhe motrave nga Kosova gjatë viteve të luftës 1998-1999"Presidenti i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e tij Z. Hashim Thaçi nderoi banorët e Kukësit me çmimin e lartë "Urdhri i Lirisë"."Urdhri i Lirisë" iu dorëzua Kryetarit të Bashkisë Kukës, Z.Bashkim Shehu në ceremoninë e organizuar për këtë qëllim."Kukësi gjithmonë ka qënë vend i afrimit të njerëzve, i bashkimit të njerëzve dhe epiqendra e shumë zhvillimieve për liri dhe pavarsi edhe të Shqipërisë por edhe të Kosovës. Ndihem shumë i nderuar që përsëri jemi këtu bashkë për të falenderuar dhe shprehur respektin më të lartë për autoritetet e Kukësit, për çdo familje dhe çdo qytetar, sepse edhe Kukësi, Hasi, Tropoja, gjithë kjo zonë kufitare, janë heronj të lirisë së Kosovës"- tha në fjalën e tij Presidenti i Republikës së Kosovë, Z.Hashim Thaçi.Ndërsa Kryetari i Bashkisë, Z.Bashkim Shehu duke falenderuar Presidentin Thaçi për vlerësimin që i bëhet qytetit dhe banorëve të Kukësit tha: "Jo vetëm Kukësi, por i gjithë Qarku i Kukësit kreu detyrën ndaj vëllezërve kosovarë, detyrimet shumë shekullore që kemi ndaj njëri-tjetrit. Nderi më i lartë i vjen sot Kukësit nga Kosova, mirënjohja vjen pikërisht nga vendi që përjetoi ato ngjarje dramatike. Kjo merr rëndësi të veçantë, Kosova di të nderojë, Kosova nuk harron të kaluarën e vet, Kosova nuk harron Kukësin dhe kuksianët."Ceremonia u shoqërua edhe me valle tradicionale e këngë patriotike të përgatitura nga Qendra Kulturore e Bashkisë ne bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve.

Geplaatst door Bashkia Kukës op donderdag 9 november 2017