Presidenti: Jo nënshtetësi shqiptare kosovarëve, rrezikojmë lëvizjen e lirë

Presidenti Iliri Meta, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, duke folur për vizitën e tij të fundit në Kosovë, komentoi dhe kërkesën e presidentit Thaçi që kosovarët të pajisen me nënshtetësi shqiptare, sipas Metës, marrja e nënshtetësisë shqiptare nga shtetasit kosovarë për të përfituar nga liberalizimi i vizave, do të mund të sillte pezullim të vizave dhe për shqiptarët.

“Marrja e nënshtetësisë shqiptare për t’iu gëzuar liberalizimit të vizave s’e zgjidh problemin e zhbllokimit të proceseve integruese të Kosovës. Shqipëria është nën monitorim nga vendet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian mbi plotësimin e detyrimeve për liberalizimin e lëvizjes së lirë. Një lëvizje e pakonsultuar në këtë drejtim mund të sillte pezullimin e vizave edhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Mund të mos ishte tepër produktive pavarësisht nga qëllimi i mirë pozitiv dhe ndihmues që ka një propozim i tillë”, është shprehur Meta për RTK-në.

Meta theksoi se Kosova ka përmbushur më shumë kritere se sa disa vende që tashmë e gëzojnë liberalizimin e vizave.

“Kjo natyrisht se nuk është normale dhe ne e kemi ngritur këtë çështje në takimet që kemi pasur me përfaqësuesit e BE-së se nuk është e drejtë që pas kaq vitesh qytetarët e Kosovës të mbesin të vetmit në Ballkan duke iu mohuar lëvizja e lirë”, tha Meta.

Presidenti tha më tej se duhen shtuar përpjekjet për të zhbllokuar çështjen e liberalizimit të vizave, si dhe duhet punuar me mirëkuptim dhe mirëbesim me Malin e Zi, por dhe me BE për çështjen e demarkacionit.