Pezullohet veprimtaria e “policisë gri”

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, pezullioi veprimtarinë e ushtrimit të kontrollit në rrugë ose e ashtuquajtura “polica gri”, nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe strukturat e saj të varësisë

Pezullimi i veprimtarisë së kontrollit në rrugë do të bëhet deri në ristrukturimin e këtij institucioni dhe miratimin e ndryshimeve të nevojshme të Rregullores së Zbatimit të Kodit Rrugor, të miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave, si dhe miratimin e akteve të tjera nënligjore, siç parashikojnë kërkesat e kësaj rregulloreje. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe strukturat e saj të varësisë.

Aktualisht, kontrolli në rrugë ushtrohet në vende rastësore nga strukturat përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor edhe pse rregullorja referon që kontrolli ushtrohet në vende të posaçme, të përcaktuara me Udhëzim. “Ushtrimi i kontrollit në vende të papërshtatshme paraqet rrezikshmëri, jo vetëm për jetën dhe shëndetin e drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në rrugë, por edhe për atë të kontrollorëve të rrugëve”, citohet urdhëri.

Gjithashtu, theksohet më tej, kontrolli ka shpesh mbivendosje me kontrollin e ushtruar nga organet e tjera të siç janë shërbimet e Policisë Rrugore dhe organet tatimore, duke sjellë shqetësime dhe pengesa në punën e operatorëve të transportit, deri në abuzime ndaj tyre dhe shkelje të sigurisë rrugore.

 

 

Çfarë është policia gri dhe cili është bilanci i saj?

Struktura përbëhet prej 110 inspektorësh, që kanë për detyrë të kontrollojnë respektimin e rregullave në transportin rrugor.

Këta inspektorë që vishen më uniformë policie ngjyrë gri, qëndrojnë kryesisht në rrugët kombëtare për të kontrolluar automjete e rënda që transportojnë mallra dhe pasagjerë.

Kjo është lista e dokumentave që të ashtuquajturit policët gri kontrollojnë ndaj drejtuesve të automjeteve.  Në total janë 47 të tilla.

Nëse do t’u referohemi të dhënave, në 6 muajt e parë të këtij viti 110 inspektorët kanë kontrolluar 3022 makina, ku përfshihen kamionë, maune dhe autobusë.

Ndërsa ka vendosur gjoba në masën 14 milion lekë, ku penalitetet më të mëdha janë regjistruar në Fier dhe Tiranë.

Por në sitën e kësaj strukture janë përfshirë edhe makinat me targa të huaja.

Funksioni i inspektorëve është i parashikuar si në ligjin për transportin, ashtu dhe në Kodin Rrugor.

Ndaj shkrirja kërkon një rregullim tërësor ligjor, në mënyrë  që këto kompetenca t’i kalojnë Policisë Rrugore.

Policia gri ka ekzistuar prej vitesh, me emërtimin kontrolli i shfrytëzimit të automjeteve, ndërsa sot këta inspektorë janë në varësinë e Drejtorisë së Shërbimit dhe Transportit rrugor.