“Pavaroti, më thoshte: Artist lind, ai është gjithmonë brenda teje…”

Intervistë me tenorin

Saimir Pirgu

Maestroja im, Pavaroti, më thoshte gjithmonë: Artist lind, artisti është gjithmonë brenda teje… . Dhe jam bindur edhe unë se është pikërisht dhurata që mban brenda teje, ajo që të lejon të shkosh larg, por se duhet shumë vullnet i mirë, punë dhe përkushtim, fati nuk është se ju ndjek gjithmonë. Fati mund të jetë në anën tënde, një he rë, dy herë, por në vazhdim, duhet të jesh ti ai që i menaxhon aftësitë që ke”. Kështu shprehet gjatë një interviste, tenori i njohur shqiptar, i cili interpreton në skenat botërore, Saimir Pirgu. Duke mbartur edhe shqetësimin se “artistët, ata që janë vërtet të vlefshëm, janë gjithmonë e më të pakët” …

 

Z.Pirgu, nëse do të vendosnit një lidhjes mes muzikës dhe historisë suaj personale, në cilën vepër apo pjesë, do ta gjenit më mirë atë?

Më duket paksa e vështirë për të gjetur ngjashmëri mes historinë time personale dhe ndonjë opere lirike, sikundër, edhe historia e Saimirit, mund të jetë e ngjashme me atë të shumë të rinjve të tjerë shqiptarë, të cilët e lanë vendin e tyre, kush për një arsye dhe kush për një tjetër. Dhe që të lësh vendin tënd të lindjes, së bashku me të dashurit, kjo gjithmonë sjell dhimbje. E referuar kësaj, për të paraqitur pak a shumë gjithë dhimbjen e atij që lë vendin e tij, pavarësisht nga mënyra apo motivet se përse kjo i ndodh secilit prej nesh, në çdo rast, një opera përfaqësuese do të ishte ‘Nabucco’ e Verdit, e cila trajton pikërisht dhimbjen e një populli të keqtrajtuar nga sunduesi i Babilonisë, Nabukodonosori. Ne shqiptarëve, territori nuk na është mohuar kurrë, por kemi vuajtur diktaturën, edhe pse duke qëndruar në vendin tonë. Unë mendoj se do të vijë dita, kur ndonjë kompozitor shqiptar, ta krijojë një operë të tillë.

Saimiri fëmijë. Cili ishte i pari në familje që zbuloi talentin tuaj për muzikën?

Unë kam qenë gjithmonë i shtyrë nga familja ime, nga prindërit e mi për të kënduar. Unë i këndoja këngët e festivalit shqiptar dhe jo vetëm. Akuzohesha gjithashtu nga të mitë se kisha ‘vjedhur’ një pjesë të aftësive muzikore, që mund t’i kishte vëllai im binjak. Por duhet edhe të shtoj se, në Shqipëri në atë kohë, domethënë kur unë isha një fëmijë dhe ende ndiqja shkollën fillore, në vitin 1989, unë kam qenë në klasën e parë, ishim të ndjekur dhe të inkurajuar nga sistemi shkollor nëpërmjet kurseve të ndryshme të muzikës shqiptare si aktiviteteve jashtëmësimore, por edhe shumë mundësive të tjera për ta praktikuar artin nga fëmijët e interesuar.

 Tre tenorët, si dhe kush ju ka frymëzuar në mënyrë të veçantë në karrierën tuaj?

Imagjinoni: unë isha një fëmijë. Një koncert, si ai i tre tenorëve, i parë në televizor në shtëpi, i cili të lë të mrekulluar. Nuk kishin kaluar më shumë se dhjetë vjet, atëherë isha 19 vjeç, gjendesha në Merano dhe takoj njërin prej tyre, Pavarotin! Bëhemi miq, unë marr mësime prej tij, kam mundësi për të kënduar me të dhe për të realizuar një ëndërr! Është një përrallë dhe më besoni, edhe vetes sime, kur ia rikujtoj ato momente të jetës, nuk i duket e vërtetë. Edhe sepse unë mendoj se ishte një takim vendimtar në jetën time. Për shembull, edhe vetë babai im, pavarësisht se posedonte një pozicion të caktuar me ndikim në Shqipëri, zor se do të ishte në gjendje ta bënte realitet dhe konkret këtë takim për mua, me gjithë vullnetin e tij të mirë dhe angazhimin.

Çfarë peshe ka fati për një artist?

Unë, nga njëra anë, mendoj se kam qenë me fat që kam pasur mundësinë e disa takimeve të rëndësishme. Por, megjithatë, preferoj të sjell ndërmend një shprehje që përdorte maestroja im, Pavaroti, i cili më thoshte gjithmonë: “Artist lind, artisti është gjithmonë brenda teje… “. Dhe jam bindur edhe unë se është pikërisht dhurata që mban brenda teje, ajo që të lejon të shkosh larg, por se duhet shumë vullnet i mirë, punë dhe përkushtim, fati nuk është se ju ndjek gjithmonë. Fati mund të jetë në anën tënde, një herë, dy herë, por në vazhdim, duhet të jesh ti ai që i menaxhon aftësitë që ke. Në rastin tim, për shembull, përveç të përgatiturit për të kënduar, duhet gjithashtu të jesh i pajisur edhe me një dozë të mirë të aftësive të komunikimit për të bashkëvepruar me publikun. Nëse kjo nuk mbërrin nga ana e artistit, publiku vështirë se të duartroket.

 Gjuha universale e muzikës, një vepër e trajtuar nga aspekti lirik, por e interpretuar me tekstin në gjuhën amtare, a ka ndonjë pjesë ndaj së cilës jeni i lidhur në veçanti?

Që kur ishim fëmijë, kanë qenë kolona të ndryshme zanore që kanë shoqëruar paksa fazat e ndryshme të rritjes sonë. Fatkeqësisht, sa i përket muzikës lirike dhe operistike në Shqipëri, shumë pjesë, ne nuk mund t’i ndiqnim direkt nga operat, por nga kinematografia, duke qenë të përshtatura si kolona zanore për filma të ndryshëm. Për shembull, filmi që më ka impresionuar gjithmonë, për dramën, por sidomos për kolonën e tij zanore, ka qenë një film shqiptar, “Mësonjëtorja”. Muzika e filmit ka qenë e krijuar nga kompozitori shqiptar Limoz Dizdari, të cilin unë personalisht e konsideroj si Xhuzepe Verdin shqiptar. Interpretimi i këngëtarit të madh shqiptar, Gaqo Çako, në këngën “Fjalët e qiririt”, me tekst vargjet e Naim Frashërit, poetit të madh shqiptar dhe muzikë të Limoz Dizdarit, janë vërtet shumë emocionuese!

Kompozitori botëror dhe shqiptar që vlerësoni më shumë?

Kompozitorët në nivel botëror që unë dua veçanërisht, janë Verdi dhe Mozart, dy gjeni që ia kanë përkushtuar jetën e tyre muzikës, dhe që i kanë transmetuar botës mesazhe të përjetshme. Kurse kompozitori shqiptar im i preferuar, mbetet Pjetër Gaci, pasi unë e konsideroj atë të veçantë dhe autentik, unik në veprat e tij, i përafërt me stilin e  Donizetianos dhe Belinit.

“Muzika klasike”-“muzika që shërben si model”, por muzika klasike nuk u ofrohet të gjitha shtresave të publikut. Sipas teje, për muzikën lirike, çfarë mund të bëhej për ta afruar më shumë tek publiku?

Përgjatë shekujve, muzika ka pësuar ndryshime të rëndësishme. Në ditët e sotme, muzika eksperimenton variacione të ndryshme, ose “binjakëzime” me muzikën ‘pop’, ‘jazz’ dhe të tjera. Por, në rastin e muzikës lirike dhe operistike, jam i mendimit se ajo mbetet një muzikë elitare, ndryshe nga shekujt e mëparshëm kur ajo ishte më afër popullit, sot më duket e vështirë t’i afrosh të rinjtë drejt kësaj muzike për ta dëgjuar dhe admiruar. Njerëzit e sotëm, kanë nevojë, mbi të gjitha për një “qetësi” ekonomike dhe bashkë më ketë, njëkohësisht marrin një “status” që i përket publikut që dashuron muzikën lirike. Pastaj është dhe diçka tjetër, sot opera prezantohen shumë, por artistë, nga ata që janë vërtetë të vlefshëm, janë gjithnjë e më pak.

 Tek Rigoleto, Duka i Mantovës, një nga rolet e repertorit tuaj, këndoni: “La donna è mobile..”. Personazhi shpreh konsideratat e tij, mes dramës së operës për figurën e gruas. Nga ana tuaj, a ka ndonjë citim ose konsideratë të veçantë për gratë në përgjithësi?

“La donna è mobile” edhe sipas këndvështrimit tim. Por kujdes, kjo që them unë nuk është një konstatim cinik, egoist, apo ofensiv. Mund të rezultojë ndoshta edhe pak maskiliste, por duhet të shtoj se nëse bota do të drejtohej nga gratë, ndoshta do të ishte më mirë për të gjithë ne.

Përsa i përket interpretimit në rolin e Rigoletos, përgjegjësia ka qenë e madhe, pasi publiku e njeh personazhin përmendësh, njeh operën dhe unë kam detyrën të prezantoj interpretimin tim në lartësinë e duhur.

Verdi dhe politika: Verdi ishte i lidhur me politikën, ishte anëtar i parlamentit të Italisë. Po Saimiri dhe Politika, çfarë raporti kanë?

Raporti im me politikën është një raport neutral. Përsa i përket Shqipërisë, jam gjithmonë i interesuar që arti im të kontribuojë për të shtuar prestigjin e vendit tim në botë. Por për fat të keq, deri tani, nga politika shqiptare nuk kam vënë re përpjekje të veçanta që të kenë sjellë përfitime për qytetarët shqiptarë. Duhet të mendojnë, nuk ka rëndësi nëse janë të majtë apo të djathtë, për të mirën e vendit dhe të popullit. Ndjej keqardhje kur shoh që një vend i vogël si i yni, ka kaq shumë kundërshti dhe jo produktivitet të politikanëve. Qytetarët shqiptarë, ata që jetojnë brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe ata që jetojnë jashtë, kanë nevojë për mbështetjen e shtetit kudo që ndodhen. Shteti shqiptar duhet të jetë më tepër i pranishëm për emigrantët në botë, nuk duhet t’i braktisë, por të tregojë përgjegjshmëri ndaj tyre. Unë do të dëshiroja, për vete dhe gjithë qytetarët shqiptarë, që të arrijmë në pikën që kur kalojmë kufirin dhe gjendemi në çfarëdo shteti të huaj, prestigji dhe respekti ndaj nesh të jetë i njëjtë si ai që u bëhet qytetarëve të tjerë.

Pasione dhe interesa të tjera në jetë…?

Jeta ime private dhe ajo familjare, mbeten të rezervuara. Jeta e një këngëtari popullor dhe ajo e një këngëtari lirik, janë të ndryshme. Dihet një lloj kokëfortësie e disa gazetave, ku lajmet e këqija bëjnë titujt kryesorë, ndaj përpiqem gjithmonë të jem i rezervuar. Në pasionet e mia bën pjesë vrapimi. Sapo kam pak kohë të lirë, preferoj të vrapoj, kjo edhe për të mbajtur linjat, gjë që jo gjithmonë rezulton e lehtë. (Qesh).

 2013 është viti i Verdit… Axhenda është e pasur me spektakle në këtë periudhë?

Viti im verdian u hap në janar 2013 me koncertin e Vitit të Ri në teatrin ‘La Fenice’ të Venecias dhe ka vazhduar me ‘Traviata’ në ‘Metropolitan’ Opera të Nju Jorkut, pranë Plaçido Domingos, si edhe me impenjime të tjera të rëndësishme. Mes datave të tjera të mija është 8 shtatori në Vienë me veprën ‘Requiem’ të Verdit. Më pas do të jem ‘Rigoletto’-n në Zyrih dhe Londër. Do të vazhdoj me vepra të tjera të Verdit në Monaco të Bavarisë dhe në teatrin ‘Musikverein’ të Vienës. Me këto vepra do të mbyll dhe vitin tim verdian. Në nëntor dhe dhjetor do të jem në Paris me veprën “La Clemenza di Tito”, vepra unike e Moxarit në program për këtë vit.