Patronazhimi, shërbim shëndetësor afër vendbanimit

 

Minstrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vizitoi spitalin rajonal të Gjirokastrës, ku një ekip mjekësh nga spitalet universitare të Tiranës, po japin shërbime shëndetësore të specializuara, duke plotësuar kështu nevojat e pacientëve të këtij qarku, që deri dje, i drejtoheshin Tiranës për këto shërbime.

“Sistemi i patronazhimit po mundëson dhënien e shërbimit të specializuar afër vendbanimeve të qytetarëve, me cilësi të lartë, por çka është po kaq e rëndësishme për vazhdimësinë dhe për të ardhmen është edhe rritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu.

Mjekët e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” prof.asc. Eliona Demaliaj, dr. Fatjon Balla, dr. Ernald Zeqja, dr. Lorenc Buzo, dr. Spiro Damo kryen një ndërhyrje të komplikuar e cila nuk ishte kryer më parë në spitalin e Gjirokastrës, ndërsa realizuan edhe 15 vizita të grave shtatzëna dhe të fëmijëve të porsalindur dhe 20 ekografi gjinekologjike.

Një tjetër ekip që po ofron shërbim të vazhdueshëm në këtë spital është ai i spitalit universitar të Traumës, të cilët, nën drejtimin e prof.asc. Arben Zenelaj, realizuan ekografi të enëve të gjakut, të cilat nuk kryeshin më parë në spitalin rajonal të Gjirokastrës.

Gjatë kësaj vizite, prof. Myftar Barbullushi, si pjesë e mjekëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” që po angazhohen në këtë program të ri të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, garantoi ndërveprimin me spitalin rajonal të Gjirokastrës për të ngritur në të njëjtin standart me QSUT-në shërbimin e dializës edhe në Gjirokastër.

Ministrja e Shëndetësisë zhvilloi një takim me mjekët e spitalit të Gjirokastrës, të cilëve ju garantui mbështetjen maksimale, jo vetëm përmes programit të patronazhit por edhe me fuqizimin e spitalit me aparatura biomjekësore, si mamografia e re, eko abdominale, defribilatorë, inkubatorë etj, të cilat do t’i shtohen flotës shumë të mirë të aparaturave të spitalit të Gjirokastrës, brenda 3-mujorit të parë të këtij viti.