Pas SHBA-ve edhe Britania i refuzon vizën kryeministrit Haradinaj

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që refuzuan të pajisin me vizë kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, duke i pamundësuar edhe një vizitë në këtë shtet, të njëjtën gjë e ka bërë edhe një shtet tjetër mik i Kosovës.

Gazeta Koha Ditore në numrin e së shtunës shkruan se Britania e Madhe ka refuzuar që ta pajisë me vizë kryeministrin kosovar, duke i mohuar edhe një vizitë në këtë shtet që Haradinaj planifikon ta bëjë më 26 shkurt.

Haradinaj rrezikon që të mos marrë pjesë fare në një konferencë për investime e organizuar për shtetet e Ballkanit Perëndimor, e cila do të mbahet më 26 shkurt.

Sipas Koha Ditore ka tri ditë që ka dërguar pyetje për këtë në Kryeministri, por në artikull thuhet se kjo zyrë nuk ka kthyer përgjigje.

Përgjigje për këtë ka refuzuar të jap edhe ambasada e Britanisë në Kosovë, me arsyetimin se nuk e praktikojnë të japin detaje për aplikime individuale për viza.

Haradinaj së fundmi është pajisur me pasaportë të Shqipërisë, që i mundëson të lëvizë pa vizë në shtetet e Zonës Shengen, por jo edhe në Britani, pasi kjo e fundit nuk është anëtare e kësaj zone.

Ky izolim i kryeministrit kosovar duket se vjen pas mbështetjes që Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi i kishin dhënë iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Dy ambasadorët, ai i SHBA’së dhe ai i Britanisë, kishin qenë më aktivët për të penguar këtë nismë. Ata shumë qartë edhe kishin kërcënuar liderët kosovarë, se nëse kjo iniciativë nuk ndalej, Kosova do të izolohej. Pra, kërcënimet e tyre, duket se tani edhe po konkretizohen.