Pas Brexit do të ketë Grexit?

Christine Lagarde, shefe e FMN, kësaj rradhe është e prerë me rastin grek: “ose Europa t’i japë fund borxhit grek dhe qeveria  të miratojë reformat ose ne nuk marrim më pjesë”. Ideja e Grexit, e cila dukej sikur po fashitej, pritet të dale përsëri në sipërfaqe këtë verë.

Arësyet për këtë janë të shumta: Athina ka kryer vetëm një të tretën e reformave të kërkuara nga ish-Trojka.  Kjo vonesë epimeteoike e Athinës ka për shkak jo vetëm faktin se ekonomia greke nuk po njeh rritje sinnjifikative, por edhe pse mungon vullneti politik i qeverisë së majtë të Aleksis Tsipras për të ndërmarrë reforma që do të çonin në ristrukturimin e vërtetë të ekonomisë e të financave të shtetit. “Nuk do të aprovoj asnjë euro të vetme sakrificash të mëtejshme” deklaroi Tsipras kohët e fundit. Edhe herë të tjera kryeministri grek ka bërë deklarata të tilla, por më në fund, si zakonisht, përpara bombulës së rradhës të oksigjenit, ai i është përkulur kërkesave të kreditorëve.

Masat e derimëtanishme gjithsesi e kanë ulur shumë popullaritetin e Syrizas, partisë së majtë të Tsipras, ndërsa e djathta në opozitë, në rritje në sondazhet, edhe pse po paraqitet e shqetësuar  për gjendjen dhe po kërkon zgjedhje të parakohshme, po ia  lë të majtës nxjerrjen me duar të gështenjave nga zjarri.

Më 20 shkurt do të ketë një rivlerësim të Eurogrupit për gjendjen e financave  greke me qëllim që të arrihet një marrëveshje mbi këstin e ardhshëm prej 86 miliardë eurosh që do t’i duhen Athinës si fonde të domosdoshme. Ekspertët mendojnë se nëse nuk do të arrihet dot marrëveshja në fjalë, Athina duhet të presë majin për një takim tjetër me Eurogrupin e kjo do të thotë pak para skadencës për shlyerjen e 7 miliardëve në Bond që arka e shtetit grek nuk ka mundur t’i vërë mënjanë.

 

A do të mund Athina të respektojë skadencën apo do të fitojë ajo që thuhet se është versioni i “fshehtë” i Tsipras për t’i shpëtuar  tratativës: të shpallë zgjedhjet e reja!

Kreditorët janë mësuar tashmë me lëvizjet politike mashtruese të Athinës, por ata, megjithë konçesionet e mëdha të bëra, kanë mundur gjithnjë t’ia fusin të dyja këmbët në një këpucë, veçanërisht Tsiprasit, djaloshit “nga populli e për popullin” që i shkoi ndër mend të nxirrte me politika pseudo të majta Greqinë  nga llumi njëzetëvjeçar i gënjeshtrave mbi buxhetin dhe financat ku paraardhësit e kishin zhytur.

 

Por si paraqitet gjendja aktuale e Greqisë, ndërsa zërat për Grexit po bëhen gjithnjë e më të ndjeshëm?

Greqia ka marrë derimëtani 330 miliardë Euro borxh, një pjesë e konsiderueshme e të cilit është përdorur për të paguar këstet dhe për të shpëtuar vendin nga falimentimi total. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve janë lëvruar nga Banka Qendrore Europiane (BCE), Mekanizmi Europian për Stabilitetin (MES), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe një pjesë e vogël edhe nga qeveria amerikane.

Sipas marrëveshjes me kreditorët, në këmbim Greqisë iu vunë që në fillim disa kushte për t’i respektuar, si rritja e taksave, ulja e pensioneve, ulja e shpenzimeve publike joprodhuese, ulja e nivelit të taksueshëm të të ardhurave, lufta kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit në ekonomi, reforma e punës si dhe disa reforma të tjera që do të bënin të mundur pagesat e rregullta e në kohë të borxhit.

Megjithëse ka marrë një sasi të hatashme parash, qeveria e së majtës së bashkuar greke nuk ka mundur të realizojë, sipas zërave brenda vetë saj, as një të tretën e reformave të kërkuara. Fundi i programit ndërkombëtar për shpëtimin e Greqisë po afron (2018) dhe Greqia ndodhet ende larg, shumë larg objektivave të prefiksuar.

 

Revizioni i dytë i situatës, i cili do të duhej të përfundonte në dhjetorin e shkuar e që akoma po tërhiqet zvarrë, do t’i lejonte Greqisë të rishikonte sektorët ku mund të shkurtoje ende shpenzimet publike e të arrinte objektivat fiskalë, por në vend të këtyre masave Athina po luan “tërhiq e mos e këput” me Europën për të përfituar çdo lloj koncesioni të mundshëm.

Në një shkallë më të gjerë, kjo paaftësi e Athinës për të marrë mbi vete përgjegjësitë që i takon po vë seriozisht në diskutim kapacitetin e saj për të realizuar objektivat e bilancit para mbylljes përfundimtare të programit ndërkombëtar të shpëtimit më 2018. E, dihet, për programe të tilla madhorë, më pak se dy vjet nuk janë një kohë e mjaftueshme, por duhen konsideruar si të ishte dje.

Javashllëku, ca autentik e ca i studiuar mbi tavolinë i Athinës në kryerjen e reformave mund t’ikushtojë shumë asaj. Nëse FMN tërhiqet nga odiseja e borxhit grek, automatikisht bie edhe mbështetja e Gjermanisë e cila e ka kushtizuar atë më pjesmarrjen e FMN-së në këtë program. Pas Gjermanisë, e cila shkon në zgjedhje, edhe Hollanda e Franca do të krijojnë me siguri vonesa të tjera në takimet midis Eurogrupit dhe qeverisë greke për shkak të zgjedhjeve të reja  që do të mbahen edhe në këto vende. Po ashtu, ky javashllëk po bën që Greqia të humbë shansin për të marrë pjesë në programin Quantitative Easing të BCE-së (Banka Qendrore Europiane) i cili parashikon blerjen e letrave me vlerë (tituj shteti) nga ana e bankave për të incentivuar ekonominë dhe kredidhënien. Pjesmarrja në këtë program është për Greqinë shumë e rëndësishme, për stabilizimin afatmesëm e afatgjatë të ekonomisë së saj, pas daljes nga plani i shpëtimit.

Athina ka patur gjithnjë prezuncionin se faktorin kohë mund ta kthejë në një avantazh për të, e pjesërisht edhe ia ka arritur, por këtë rradhë nyjet po mblidhen në krëhër dhe faktori kohë mund të jetë edhe i vetmi që ta lërë në baltë e ta çojë drejt Grexit atë.

Është ndoshta kjo që Athina pret të ndodhë? Nëse kështu do të ishte, do të thotë se Greqia ka shërbyer deri më tani si “kolonë e pestë” në zonën Euro, për llogari të forcave antieuropeiste në nivel global?!

Sondazhet e fundit, për aq sa vlerë kanë ato,  vënë në dukje se mbi 50% e grekëve mendojnë se Euro nuk është monedha e përshtatshme për Greqinë. Ideja e rikthimit në Dhrahminë po del përsëri në sipërfaqe në opinionin dhe mediat e Athinës. Mirëpo rikthimi në Dhrahminë, ish monedhën vendase, nuk është dhe aq i thjeshtë, në kushtet kur Greqia ka bërë tym rreth më shumë se çerekun e prodhimit të përgjithshëm të saj nga 2010 deri më tani; ndërkohë që është reduktuar fuqia blerëse me 30%, janë reduktuar pensionet me 25%, gjysma e familjeve marrin ndihmë sociale, papunësia ka arritur në 24% (44% midis të rinjve nga 15 në 24 vjeç). Borxhi i jashtëm ka arritur në 176% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe, sipas FMN-së, me këto ritme, në 2060 do të arrinte në 275%. Madje nuk do të arrinte; Greqia do të falimentonte si vend para se të arrijë atje. Raporti më i fundit prej 38 faqesh i FMN-së vë në dyshim kapacitetet e Greqisë për të realizuar mbetjen parësore prej 3.5 përqind të ëndërruar më shumë se të mirëkalkuluar, në fund të vitit 2018. Edhe pse në muajt e fundit vendi ka një lloj rritjeje ekonomike dhe të konsumeve, jemi larg të krijuarit të një mbetjeje parësore (avance neto në bilanc). Greqia vazhdon të ketë nevojë për të marrë borxh për të larë këstet e borxheve të marra. Për këtë, Athina akuzon drejtpërdrejt FMN-në si një fajdexhi shumë i kripur për të, por gjithsesi i institucionalizuar.

Athina e ka luajtur mirë kartën e emigracionit si dhe atë të marrëdhënieve problematike me Turqinë për të përfituar lehtësira nga kreditorët. Tani po luan edhe kartën tjetër ndaj Europës: efektin Trump dhe politikën e re të administratës Trump ndaj BE-së.

A do të bjerë Europa në këtë “grackë” greke, apo do ta  sakrifikojë Greqinë për të investuar vetëm mbi muret e fortë të BE-së e jo më mbi muret e bjerrur?

Tema e “Grexit” po del aty këtu edhe në fushatat preelektorale gjermane, hollandeze dhe franceze; me të drejtë elektorali i këtyre vendeve pyet se çfarë sensi ka që të mbahet me borxhe në Euro një vend si Greqia që nuk arrin të realizojë as edhe një të tretën e impenjimeve që merr përmes marrëveshjeve të përbashkëta me kreditorët. Në fund të fundit, një pjesë e mirë e fondeve të lëvruara Greqisë burojnë edhe nga taksat e tyre dhe elektorati në këto vende do të dijë nëse kanë shërbyer për rimëkëmbjen reale të Greqisë e nëse një ditë do t’u kthehen.

Një Grexit i mundshëm iminent, brenda kësaj vere, është, në planin e imazhit, një goditje jo e vogël për Europën, pas asaj të Brexit. Athina e di mirë këtë dhe kërkon të përfitojë nga konjuktura e vështirë politike në të cilën ndodhet Europa nën efektin Trump. Athina mendon se Europa është më shumë për një kompromis të ri me Greqinë, mirëpo tanimë nuk është vetëm Greqia nevojtare në ballon europiane me maska. Disa vende të tjerë europianë kanë vështirësi serioze ekonomike e financiare që kërkojnë të njejtin gjenerozitet nga ana e Europës. A do të jetë ajo në gjendje t’i trajtojë ato njëlloj siç po trajton Greqinë?

A do të jetë në gjendje Europa të shpërndajë në të gjithë vendet përbërës të  saj peshën e problemeve të mprehta financiare të krijuara ndërkohë që Greqia po absorbon pa asnjë feedback pozitiv resurse të mëdha financiare? Për të arritur çfarë? Mbajtjen me forcë të Greqisë në zonën Euro? Absurde! Nëse Europa, lidhur me Greqinë, përhumbet në arësyetimet e gjeopolitikës së saj të komplikuar,  me të drejtë FMN i kërkon me insistim BE-së që të reduktojë në mënyre sinjifikative borxhin grek ose ajo do të dalë jashtë rolit të saj në këtë histori. Christinë Lagardë ka marrë ndërkohë kritika të shumta e të drejtpërdrejta nga disa vende në zhvillim, anëtare të FMN-së, për gjenerozitetin me të cilin e ka trajtuar deri më tani rastin grek (!). Ndaj FMN është e para që i kërkon sërish me forcë Greqisë imponimin e taksave të reja dhe shkurtimeve të tjera në shpenzimet publike si masa të menjëhershme për t’iu afruar sadopak objektivave të 2018-tës. Masa të cilat Tsipras, edhe kështu i diskretituar para  elektoratit, ka deklaruar se nuk do t’i implementojë.  Kryeministri grek po luan madje edhe kartën e ortodoksisë para se të hyjë sërish në bisedimet e fundshkurtit.  Akorde të mundshëm midis Greqisë dhe Rusinë së Putinit, veçanërisht në planin e investimeve dhe të pranisë ruse në Mesdhe e në Ballkan,

Athina mendon se mund të shtojnë arësyet për mbështetje të vazhdueshme të  Greqisë nga ana e  Europës. Por a do të jetë kjo e fundit e gatshme që ta ndjekë gjer në fund Greqinë në këtë lojë të marrë?

 

Redaksia Impakt.al