PANDI NASI, NJË MIK MË PAK NGA PËRMETI…

(Publikohet në “Impakt”, reportazhi “PANDI NASI NJË MIK MË PAK NGA PËRMETI”, botuar në gazetën “Shqip” më datë 24.10.2011 me rastin e përvjetorit të ndarjes nga jeta, të kësaj figure të njohur të qytetit të Përmetit).

 

Nga Kristo MËRTIRI

 

Në vend të një reportazhi nga qyteti i trëndafilave

“Kush nuk e njeh brengën, nuk ka të drejtë të quhet Njeri”

Fundprilli i sivjetëm ishte mbarsur dhe po priste zemërdridhur erëmajin e Dhëmbelit të shpërthente trëndafilat e Përmetit. Krejt ndryshe nga kryeqyteti i mbytur në detin e politikës parazgjedhore dhe shpesh larg halleve, gëzimeve e hidhërimeve të vërteta të njeriut. Se mjaft media në Shqipërizën tonë vrapojnë si të harbuara drejt foltoreve partiake e qeveritare, drejt kronikave erotike, gjokseve me silikon dhe atyre të zeza policore, pranë skupeve me “VIP-a” ordinerë nëpër disko, kafenera e pube me thashetheme bajate për të shitur “bukën” e gatuar jo rrallë në magjet e mediokritetit. Ndërsa jeta e vërtetë e njeriut në fshat e qytet, mjerisht po merr më tepër statusin e një “zone të ndaluar”. Shkurt, një lloj gazetarie e ngujuar në metropol, thatanike dhe pa lëngun e jetës në periferi atje ku lind e qan një foshnje; atje në fusha, kodra e male ku kullotin e mërzejnë bagëtia; atje ku përballohet jeta me krahë, me kalë, me pendët e qeve a me traktor; atje ku martohen e gëzohen; atje ku thinjen të gjallët dhe përcillen plot hidhërim e nderim të vdekurit. Është fjala për njerëzit e thjeshtë e të ndershëm që ikin nga kjo botë halleshumë dhe mbeten matanë dritareve të shtypit.
– Aman, të kam vëlla, rrëkëlleje me fund “nënen”(rakinë)e mos më ngatërro me faqen e katërt! Se është si ajo puna e dyfekut në zboret ushtarake, nganjëherë e mbush i paudhi…
Kështu thoshte Pandi Nasi mbi 30 vjet më parë, sa herë gjuha e tavolinave rrotullohej te politika. Gati tërë gazetat nuk e kalonin 4-faqëshin. Ai nuk e artikulonte drejtpërdrejt nenin e famshëm të agjitacion-propagandës (55/1), por kish zgjedhur jo pa zgjuarsi faqen e politikës ndërkombëtare ku ziente “lufta” kundër imperializmit e revizionizmit. Unë isha në lule të moshës. Lashë Tiranën e lakmuar aq shumë dhe mora udhën e gjatë të korrespondentit permanent në Jug të vendit. Por pata fat që nisa jetën bashkëshortore e profesionale mes njerëzve të mrekullueshëm të Përmetit.

Veçse atje u rraha edhe me vaj e me uthull !…Pandi ynë, miku i veçantë i gazetarëve që bujtnin me kënaqësi në atë rreth, sapo ishte rikthyer në punën e mëparshme te i vetmi “hotel-turizëm”.

Kishte kryer një dënim “riedukimi” të pamerituar, cinik e qesharak si punëtor krahu në ndërmarrjen pyjore. Pak përpara Plenumit të 4-t të ish KQ të PPSH. Një zëvendësministër arsimi fodull e hakmarrës kolltuku(D.H.), hyn befas në restorantin qendror. Duke u tundur e shkundur ulet te tavolina e vetme në qoshe me shënimin e dukshëm “E rezervuar”. Kishte marrë edhe vajzën e rritur me vete. Mirëpo kjo i ngriti supet qytetit: Mbante një fund 2 pëllëmbë të gjatë e me gjoksin të lëshuar përjashta.

Sot do ngjante me ato që shesin mishin e bardhë…Askush nuk i njihte. Klientët lanë lugët e pirunët dhe i mbërthyen sytë tek ajo.
– Rregullova shpejt papionin si pykë te gryka nën jakën e bardhë dhe u urova mirëseardhjen në lokal. Kur më tha detyrën e lartë shtetërore, ia prita aty për aty: Qofshi shëndoshë, por kësaj shoqes nuk mund t’i shërbej kështu! Le të stoliset si njeri dhe unë jam në shërbim të saj…”Është vajza ime!”, tha prerë zëvendësministri dhe u nxi në fytyrë”. E paç me jetë, por…”. Ai kërciti dhëmbë e dhëmballë me sharje inatçori, u ngritën e dolën me turfullimë jashtë. Dhe drejt e në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, që ishte as 20 metra larg “hotel-turizmit”. Pak minuta më vonë pashë drejtorin e ndërmarrjes që po ngjiste shkallët nga dy e tre…Të nesërmen përfundova duke hapur gropa për mbjelljen e pemëve në Pyjore. Lashë profesionin tim dhe shkova me vendim nga lart “për riedukim”. Dhashë prova e më vonë u riktheva këtu. Të shkuara, të harruara!…Por nuk u gëzova kur mora vesh pas Plenumit të famshëm se ai zëvendësministër ishte internuar për “gabime ideologjike” në një rreth të largët si punëtor krahu. E zuri haka jote, më thonë shokët. Por mua vërtet më dhimbset. Nuk kënaqem kurrë me fatkeqësitë e të tjerëve…
Merceologu Foti që e donte shumë Pandin, më ka treguar një episod tjetër nga koha e monizmit. Me zonjën Vjollca Kallajxhi, ish-zëvendësministre e Tregtisë. Po debatohej gjatë edhe për luftën kundër ryshfetit të qindarkave që mund t’u lihej kamerierëve, si shfaqje e huaj perëndimore. Mbaheshin fjalime, bëheshin kritika e merreshin zotime. Ajo tavolina e rezervuar ishte bërë gati për drekë. Kryekamarier Pandi do shërbente vetë, sepse “sot na nderon një e bëjëshme”(e madhe në pozitë). Kur nuk donte ta merrnin vesh “sekretin” të tjerët, përdorte menjëherë nëndialektin e dogances. Të ardhurit nga Tirana hëngrën e pinë plot humor e shaka nga kuzhina e mirënjohur përmetare. Në fund, zëvendësministrja këmbënguli të paguante e para. Donte të provonte në praktikë se si po zbatoheshin porositë taze nga dikasteri. Pandi e nuhati “provokacionin” dhe u afrua te tavolina. Mori paratë sipas çmimeve dhe i vuri në portofolin e ndërmarrjes. Ndërsa ato pak qindarka të dhuruara, i kapi si me ceremoni, i futi në xhepin e vogël të jelekut dhe u largua me urimin “U bëftë mirë!”. S’kaloi shumë dhe e njoftuan se e kërkonte urgjent “e bëjshmja” nga Tirana. “More kamarier, nuk e kupton se me këtë sjellje po prish ndërgjegjen?!…”. –Aaa, të lutem shoqja zëvendësministre, keni të drejtë që prishet ndërgjegjja, por ama ndreqet ekonomia…Plasën të qeshurat. Humori u bë urë shpëtimi edhe nga drejtuesit që e njihnin mirë Pandin.

Se dikur mund të gjeje vërtet belanë. Hyje në vallen e egër të kritikave dhe vështirë të dilje pa u lagur. Ligësia i gjen kurdoherë edhe nenet e kodet, rregulloret. (Kristo vëllai, nuk thoshte kot xha Golja yt: “Shtegu i lig të merr dyfeknë”. Gazetarit rebel Xh. Spahiu, iu bë ferrë një letër e shkruar me humor “Sesion shkencor për rakinë”, gjetur në sirtarët e zyrës. Ia nisën lart, në majë të “Olimpit”, bashkë me komentet përcëlluese. Dhe e degdisën në zgafellat e minierës së Valiasit. Librin me vjersha për minatorët ia kthyen në karton!). Por “djali i Tomakes”, dinte ku bënte shaka të ëmbla e të hidhura. Një pasdite vonë, pas punës sfilitëse “për riedukim” në ndërmarrjen pyjore, i njoftojnë për një mbledhje me rëndësi. Salla u mbush plot. Hyri prokurori Ibrahim Aliko, miku i vet. Do bënte zbërthimin e disa ligjeve, duke plotësuar edhe planin “për edukimin e masave”. Parafytyroni punëtorët e rraskapitur nga puna e ditës me kazma e lopata. Çdolloj leksioni dukej tërkuzë. Befas në krahun e djathtë të Pandit vërshoi një gërhimë mbytëse. Foren e kishte zënë gjumi. Një bërryl e shkundi dhe pyeti: -Ç’po rrokanis ky prokurori, o Pandi?… “Lëre, lëre ç’vete, o Fore. Ka gati 2 orë që po lufton të na mbushë mendjen për të ngritur normat e hapjes së gropave”, i thotë “seriozisht” pranë veshit. Foria u ngrit i irrituar në këmbë dhe derdhi zërin e lartë nga fundi i sallës: – Shoku prokuror, ne na ka kënduar kazma në duar tërë ditën e perëndisë dhe ti na këndon kartërat e zyrave për të rritur numrin e gropave…mos na dëno më shumë!”…Salla gjëmoi nga zhurma e papritur. Ibrahimi supengritur, kur pa Pandin që po qeshte fshehurazi në krahun e Fores, thërriti: “Pandi Nasi, dil përjashta!”. Me dashje pa dashje asaj mbledhjeje i erdhi shpejt fundi. Por mesazhi mbeti…
– Po më do vërtet si mik, më duaj me gjithë huqet! Këtë postulat e mbante në majë të gjuhës. Ishte i mençur. Po të hyje në zemrën e tij, nuk dilje kollaj.

 

Si gazetar i ri në profesion e në moshë, më ka ndihmuar e shpëtuar shpesh “të mos shkelja në dërrasë të kalbur”. I njihte mirë njerëzit. Sidomos ata zyrtarë të paaftë, tinëzarë e burracakë që mund të merrnin kot më qafë qytetarët e pafajshëm. Se vetë Pandit që më vonë i pëlqente ta thërrisnim “De Nasi”, jeta i kishte dhënë shkollë jo të vogël. Veçse jo gjithmonë i lulëzonte bahçja edhe në dimër! Fjala vjen, për Eglën e shtrenjtë që sot është gazetare e redaktore që nga “Koha Jonë”, agjenci lajmesh etj., unë di hollësira që ndriçojnë portretin e një babai jo të zakonshëm. Që nga fëmijëria buzë Vjosës e gjer në kryeqytet. Sytë e tij rrinin kurdoherë të rrëmbushur nga dhimbja e gëzimi prindëror. Ai iku në atë botë 6 muaj më parë, por nuk e mësoi dot një refren nga ish-gazeta jonë e dashur “Bashkimi”. Sa herë vija në analizat e redaksisë në Tiranë, kur hyja në mbledhje miku e kolegu i vjetër Petraq Shtrepi ngrinte zërin: “Shkruaj o Kristo Mërtiri, tek Ura e Kardhiqit, shkruaj!…”. Askush në redaksi nuk e mori vesh të vërtetën e plotë të asaj thirrjeje. Për çdolloj shkrimi duhej shkuar në vend, duhej prekur me dorë, me veshë e sy më sy. Jo si sot që mjaft shkrime përgatiten nga zyrat në Tiranë e rrethe. Nuk kishte fakse, celularë, kompjuterë, internet e e-mail, as autovetura në dispozicion. Miqtë e parë ishin shoferët e korrierëve(tip autobusi) dhe ata të parqeve automobilistike në Sarandë, Gjirokastër, Përmet e Tepelenë. Por ajo natë e paharruar na zuri te porta e Kardhiqit. Do shkonim në Sarandë, por skoda e Feimit nga Delvina pësoi një defekt të rëndë. Aty u njoha me Malo Daden, bilbilin e këngëve të Mashkullorës, që populli e zgjidhte shpesh në krye të këshilltarëve të zonës. E gdhiu bashkë me ne në një zyrë të vogël. Pandi zbrazi mbi tavolinë trastën me mish lepuri të butë, me glikora Përmeti dhe 2 shishe rakie e vere. Nuk vinte kurrë duarbosh te Afroviti, te motërzeza që jetonte e punonte mësuese në Sarandë. Pas mesnate, përmes gurgullimës së humorit e të këngëve, më shkeli syrin e më thotë se sonte do provosh sa më do Feimi mua. Dhe nëpër errësirë, ashtu çakërqejf e pa pirë asnjë çast mendjen, shkoi te cepi i Urës, vuri dy pëllëmbët e hapura të duarve te goja dhe grisi terrin e natës kardhiqiote: “Shkruaj o Kristo Mërtiri, shkruaj tek Ura e Kardhiqit! Jepe haberin në gazetë, se unë do të vërvitem në përrua për faj të “karrocierit” të Irakli Nikës (drejtor i Parkut) që na la në mes të katër rrugëve”. Mirëpo ndërsa qielli po pikonte, miku ynë shpatullgjerë, Feim Zejnati, e mori seriozisht betimin e Pandit. Kokrrat e lotëve të burrit delvinjot rridhnin natyrshëm dhe na lutej si të shpëtonim nga ajo “hata” e papritur…
…Kur vazhdonte shkollën e mesme pa shkëputje nga puna, një mbrëmje mësuesi i gjeografisë(shok fëmijërie) i thotë para klasës se do i bënte një pyetje të “rëndë”. Nëse përgjigjej saktë, ardhjen në mësim do e kishte fakultative: – Kur lind dielli në mëngjes, cilën majë kap për herë të parë në qytetin tonë?…”-Profesor, për mua e kullandrisët këtë gjëegjëzë të vështirë?, dhe sikur ra në mendime të thella. -E gjeta! Për herë të parë kap kokën e Qako Macingos (nga burrat më të gjatë në qytet) dhe pastaj majat e Nemërçkës e të Dhëmbelit…”.
Për mendjelehtët e mburravecët qarkullon ende këshilla e tij: Lëre të hajë një copë bukë, ai i ka mendtë në majë të thanës!.

Por edhe trishtohej apo shpërthente për ndonjërin që sot e mbante me bukë dhe të nesërmen mirësisë së tij i binte me gurë. Gulçonte e merrte frymë me zor përballë fatkeqit dhe fukarait”.

 

Ndërsa e qeshura e tij më ngjante shpesh me valët e Vjosës në prill e maj, thotë Astriti, miku ynë i përbashkët që sot i dridhen gjunjët e i njomen qerpikët sa herë shkon në Përmet.

Tufa jote me lule mbi kokën e Pandit në Bolëngë, ende nuk është tharë. Të donte shumë…”.
– O vëlla, jam siç më thoshe në mesazh: “Trupin te doktorët/

Mbi kokë Vitorinë/

Na shtrinë o Pandi, na shtrinë!”…
Dhe qeshte me shpirt në celular, ashtu i dërmuar pas një sëmundjeje të rëndë”. Dëgjo mua, për Tomkën do i djegim sëmundjet me gërnetë, këngë e raki Përmeti. Do më vish patjetër në dasmë. Jam bërë me krushqi të mirë në Mallakastër. Edhe Ariola po më bëhet si çupat e mia. Do molloisemi për Pashkë në Tiranë…”.

Kur ia lavdëroja Tomkën, më ngulte sytë e ndezur dhe ma kthente serioz:- Të kam thënë, do bëhet plotësisht djalë i hairit kur të mos ia hajë asnjëherë qeni shkopin!…

 

Në Përmet e donin të gjithë, të varfër e të pasur, të majtë e të djathtë. Kafeneja e tij në zemër të qytetit të trëndafilave, ka pritur e përcjellë me dashuri mjaft gazetarë e poetë, mësues e këngëtarë të dëgjuar, ushtarakë, bujq e barinj, por edhe deputetë e ofiqarë të ndryshëm që shpesh braktisin njeriun…

 

2

Por ti ike papritur miku im i mirë!

Prushi i syve të tu u fik në Tiranë. 

Ike në agun e Pashkëve, më 23 prill 2011.

Për herë të parë nuk e mbajte llafin me mua, o Pandi De Nasi! Se ti nuk ishe nga ai brumë që lë dasmën e shkon për shkarpa.

Me një gur të rëndë në zemër, vetëm sot arrita të marr penën për ty, pushtuar nga një mjegull kabaje tronditëse e mall i çuditshëm njerëzor. Shpirti yt në prehje e paqe do të kujtohet gjatë. Brenda e jashtë Përmetit…