Ofensiva “largpamëse” e Erdoganit në Siri

Ofensiva me emrin cinik “Dega e Ullirit”e Ankarasë në Sirinë veriore, e banuar më së shumti nga sirianë të etnisë kurde, ka ngjallur shqetësime në SHBA, në BE, por edhe në Moskë.  Ndërsa aviacioni turk dhe forcat tokësore turke godasin pozicionet e kurdëve, deri më tani, aleatë të SHBA në luftën kundër ISIS dhe kundër regjimit të Bashar Assad, Washingtoni paralajmëroi hapur Ankaranë për përmbajtje në këtë ofensivë. Nga njëra anë, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka bërë të qartë se do të shtrijë ofensivën e tij në të gjitha enklavat kurde e nga ana tjetër, amerikanët i kanë premtuar militantëve kurdë se do të garantojnë milicitë e tyre me dërgimin e një force prej 2000 militarësh, përveç furnizimit me armë dhe municion.

Kjo situatë nuk mund të mos gjenerojë tensione midis Washingtonit dhe Ankarasë. Një arësye më tepër e këtyre tensioneve është vizita e një delegacioni të lartë ushtarak turk në Moskë, vizitë, me sa mësohet, e pakoordinuar me NATO-n (Turqia është pjestar i rëndësishëm i saj). Rusia e sheh ofensivën turke si një shans të mirë për ta vënë Turqinë kundër SHBA dhe aleatëve të tjerë të NATO-s, ndaj edhe po stimulon, me tërheqjen e trupave të saj nga Siria Veriore, hyrjen më të thellë të Turqisë në enklavat kurde, pa rrezikuar shumë aleatin e saj Bashar Assad.

Kjo situatë e komplikuar ka bërë që Ankaranë ta vizitojë këto ditë një delegacion i përbërë amerikan, i kryesuar nga Sekretari për Punët Europiane dhe Euroasiatike, Jonathan Cohen dhe funksionarë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes. Përveç anës formale dhe diskutimeve mbi krizën e vizave, delegacioni ka zhvilluar bisedime në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë turke, ku është folur për përmbajtjen që duhet të ndjekin forcat turke të instaluara në Sirinë Veriore në objektivat e tyre. Nga deklaratat e zyrtarëve të lartë të Ankarasë, deduktohet se këto bisedime nuk kanë shkuar dhe aq lisho. Ministri i Jashtëm i Ankarasë deklaroi se “e ardhmja e marrëdhënieve Turko-amerikane varet nga Washingtoni”.

Ndërkohë mësohet për viktimën e parë të forcave turke gjatë operacioneve të saj në enklavën kurdo-sirianë të Afrinit. Ushtari mbeti i vrarë në ndeshje me milicitë kurde të YPG-së në fshatin kufitar Gulbaba, sipas burimeve të Ankarasë, ndërsa dhjetëra janë viktimat si nga ana kurde, ashtu edhe në rradhët e milicisë sirianë të pajtuar nga Ankaraja.

Ndryshe nga sa pretendon në komunikatat e saj Ankaraja zyrtare, ofensiva turke po shkakton dhjetëra viktima edhe midis civilëve të shumtë. Kujtojmë se enklavat kurde në Sirinë Veriore janë zona që sot strehojnë mijëra refugjatë të ardhur nga zona të tjera të Sirisë, pasi konsideroheshin më të sigurtat nga popullsia në kërkim të një vendi për t’i shpëtuar si ISIS-it, ashtu edhe forcave të Bashar Assadit. Ky emigracion e ka çuar popullsinë e zonës nga rreth 500 mijë banorë, kryesisht të etnisë kurde, në 1.200.000 banorë. Pikërisht për këtë arësye, ditë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson, duke njohur “të drejtën legjitime të Turqisë për të mbrojtur qytetarët e vet nga lementë terroristë që mund të ndërmarrin sulme nga Siria drejtuar territorit turk” i kërkoi me forcë të gjitha palëve të “ushtrojnë përmbajtje dhe të reduktojnë në minimum impaktin mbi civilët”.

Shkallëzimi i ofensivës turke dhe viktimat civile gjatë saj kanë shqetësuar edhe Parisin dhe kryeqytete të tjerë europianë; Franca kërkoi dhe mbajti një seancë të posaçme te Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi këtë çështje.

Përveç shpenzimeve të larta ushtarake, ofensiva turke në territorin sirian mund të sjellë pasoja jo të vogla në planin e brendshëm. Territori i Turqisë Juglindore është gjerësisht i banuar nga kurdë, të cilët, ashtu si sivëllezërit e tyre në rajonet kufitare fqinje në Siri, Irak e Iran, aspirojnë krijimin e një shteti kurd të përbashkët. Herëpashere forca kurde brenda territorit të Turqisë organizojnë atentate ndaj ushtarakëve të Ankarasë. Një përshkallëzim i aksioneve të tillë do ta bënte Turqinë një vend jo stabël, çka mund të sjellë efekte negative në investitorët, sidomos ata të huaj, por edhe në të ardhurat nga turizmi që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të këtij vendi. Duke konsideruar këtë situatë, Kryeministri Turk Biladi Yildirim (me origjinë kurde), u shpreh se ofensiva turke është e “kufizuar në krijimin e një zone sigurie rreth 30 km nga kufiri turko-sirian”. Për të qetësuar investitorët e huaj në Turqi, ai u shpreh se “operacioni ushtarak që po kryhet në rajonin sirian të Afrinit do të ketë një impakt shumë të kufizuar mbi ekonominë dhe bilancin e Turqisë. Investitorët tanë duhet të jenë të qetë se impakti do të jetë i kufizuar” Po ashtu, zëvendëskryeministri i Turqisë, Mehmet Shimshek theksoi se “operacioni do të jetë i shkurtër dhe rreziku i terrorizmit për Turqinë do të zvogëlohet”.

Natyrisht që investitorët e huaj kanë sy dhe veshë dhe i besojnë pak deklaratave të zyrtarëve të lartë të Ankarasë. Sipas parashikimeve, impakti i kësaj ofensive do të jetë i lartë, brendapërbrenda Turqisë dhe në marrëdhëniet e saj me SHBA dhe aleatët e tjerë të NATO-s. Aq më tepër që Presidenti i saj, Erdogan, me deklaratat e tij, bie në kundërshtim me frymën qetësuese që shprehin zyrtarët e lartë të shtetit të tij ndaj investitorëve të huaj: “Turqia nuk do të bëjë hapa mbrapa: pas marrjes së bastionit, do t’i vijë rradha Manbijit”. Është e qartë se Turqia e Erdoganit po përfiton nga rasti për të larë hesapet me kurdët dhe për të penguar krijimin e një zone federative kurde në Sirinë Veriore, ashtu siç u krijua në Irakun Verior pas rënies së Sadamit. Kujtojmë se një pjesë e madhe e popullsisë së përgjithëshme në Turqi është me origjinë kurde (55% e gjithë popullsisë kurde prej më shumë se 30 milionë banorësh dhe  20 % e popullsisë së Turqisë, sipas vleresimeve të shumanshme), pjesa më e madhe e së cilës jeton në trevat e veta në Turqinë Juglindore. Aspirata e kurdëve, si atyre të Turqisë, të Irakut, të Iranit, të Sirisë dhe Armenisë, vende ku ata përbëjnë grupin e dytë etnik të popullsisë, është krijimi i një shteti unik të Kurdistanit, aspiratë, realizimi i së cilës mund të vonojë, nuk dihet se sa kohë akoma, por që nuk mund t’u mohohet përjetë.