NY Times  kundër Kryeministrit izraelian Benjamin Natanyahu

Ditët e fundit, testata e madhe amerikane NY Times ka ndërmarrë një sërë sulmesh të hapur e të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit izraelian Benjamin Netanyahu. Më i fundit, është publikimi i një komenti të një “lexuesi” i cili shkruan se kryeministrit izraelian i pëlqen të kontrollojë Kongresin e Shteteve të Bashkuara”  dhe se mbështetësit amerikanë të Izraelit janë “kolonë e pestë” e pandershme brenda SHBA. Ndërkohë, “lexuesi”  përkufizon vetë kryeministrin izraelian  si një  “parazit fajtor”.

NY Times jo vetëm që e ka pubikuar këtë koment të këtij “lexuesi” të zellshëm të saj, por i ka dhënë atij, si edhe një “lexuesi” tjetër edhe Shiritin e Artë si “NYT Pick”.

Komenti i “lexuesit”,  i firmosur me emrin Richard Marcley nga Albany i shtetit të Nju Yorkut, erdhi si një lloj dërgese nga Jerusalemi mbi hetimet që në Izrael po bëhen ndaj kryeministrit izraelian. Në këtë koment ai shkruan se Izraeli përfiton “4 miliardë USD në vit nga taksapaguesët amerikanë… Natanayahut i pëlqen që të ndikojë në zgjedhjet tona dhe të kontrollojë Kongresin amerikan nëpërmjet AIPAC. Është gjithnjë ai, është ai që ka dorë në 40 miliardët e kolonës së pestë të tij të ndjekësve në Amerikë… ai është një parazit i fajshëm!”.

Duke lexuar me keqardhje këto rradhë i lejojmë vetes që të risjellim një korregjim teknik të domosdoshëm: ndihmat amerikane për Izraelin janë në të vërtetë rreth 3 miliardë dollarë e shumica e tyre shpenzohen për teknikë dhe teknologji ushtarake. Është në interes të vetë SHBA që Izraeli të vazhdojë të jetë një bastion i fortë i Perëndimit në Lindjen e Mesme.

Po ashtu nuk është aspak e re ideja se qeveria amerikane është subjekt nën kontrollin e Izraelit; kjo të kujton falsifikimin antisemit të stilit të “protokollit të të urtëve të Sionit”.

Fallsitetin e këtyre deklaratave e hedh poshtë realiteti: Kongresi amerikan nuk ishte në gjendje të pengonte ish Presidentin Obama t’i hiqte Iranit sanksionet për një vlerë prej 700 miliardë dollarësh, pavarësisht përpjekjeve të Natanyahut dhe të mbështetësve amerikanë të Izraelit që kjo të mos ndodhte.

Për sa i përket termit  “kolonë e pestë”, mund të themi se ai është tepër ofensiv për vetë amerikanët që njohin kuptimin që i dha këtij termi gjenerali spanjoll Emilio Mola më 1936-tën duke karakterizuar me të një grup njerëzish “subversivë, që reagojnë në mbështetje të një invazori”.

Më tej, termi “parazit” është huazuar nga frazeologjia dhe propaganda naziste, për të cilën cilido hebre ishte një parazit që duhej zhdukur.

NY Times, me “tolerimin” e komenteve të tillë, po tregon se në cilën anë të historisë ndodhet. Gazeta e famshme, në krizë të fortë financiare dhe lexuesësh në vitet e fundit, nuk mjaftohet vetëm me një koment të vetëm, por i shton rreshtave të saj edhe një  tjetër koment, të një tjetër “lexuesi” të zellshëm të saj, në të cilin thuhet:

“Jam një hebre amerikan dhe një mbështetës i Izraelit, por që urren Natanyahun. Mënyra me të cilën ai trajtoi ish Presidentin Obama është shqetësuese dhe Natanyahu është shumë i ngjashëm me Trump…. një gënjeshtar patologjik dhe artist… Izraeli meriton kritika për trajtimin që u bën palestinezëve,  por ky vend i vogël, i dimensioneve sa Nju Xhersi, i ka dhënë botës shpikje dhe realizime në mjeksi, në shkencë e në teknologji pakrahësueshmërisht më shumë se cilido vend tjetër në botë përveç Amerikës”.

Vështirë të gjesh në Nju York një “mbështetës” kaq kontradiktor të Izraelit!

Vetë fakti se nëse Izraeli në këta vjet është shndërruar në një fuqi shkencore, teknike dhe teknologjike, kjo është padyshim edhe meritë e politikave të ndjekura nga Natanyahu, e zhbën domethënien dhe qëllimin e keq të këtij komenti. Por NYT e tejkalon një kontradiksion të tillë duke shpikur këtë “lexues”, “mbështetës të Izraelit” por që “urren Natanyahun”, të cilit për më tepër i ka dhënë edhe shiritin e artë “NYT Pick”. Do të ishim kuriozë ta shihnim në sy këtë personazh të zellshëm të NYT!

Nga ana e tij Kryeministri izraelian Benjamin Natanyahu nuk ka ndenjur duarkryq ndaj të gjithë sulmeve që kohët e fundit po i vijnë atij nga brenda e nga jashtë vendit. Ditët e fundit ai deklaroi se e majta izraeliane dhe mediat e saj janë të prirur të sajojnë “histori të pambarimta dhe tituj të pambarimtë”, me shpresë se kështu mund ta rrëzojnë. Më tej ai shtoi se “ata janë impenjuar në një gjueti shtrigash obsesive kundër meje dhe kundër familjes sime për të kryer një grusht shteti”.

Natanyahu nga ana e tij i kujtoi mbështetësve të shumtë të grumbulluar rreth tij thënien e një mbështetësi real po aq sa realist të politikave të tij: “ ata (të majtët) e dinë se nuk mund të fitojnë me kutitë e votimit, ndaj kërkojnë që ta anashkalojnë demokracinë e të na rrëzojnë pa zgjedhje”.

Kryemnistri izraelian deklaroi se të majtët “e dinë se nuk është ndonjë koinçidencë fakti që ne vazhdojmë t’i fitojmë zgjedhjet, ngaqë e kemi sjellë Izraelin në situatën më të mirë që vendi ka njohur ndonjëherë”.

Mbështetja e Natanyahut brenda Izraelit është e fortë. Vetëm në një miting spontan dolën në mbështetje të tij më shumë se 3000 vetë. Më e fortë akoma është mbështetja e lidershipit aktual amerikan ndaj tij. Në turin e tij të fundit në Europë, kryeministri izraelian i dëshmoi Kontinentit të Vjetër, me shumë probleme të vjetra e të reja ndaj Izraelit dhe hebraizmit në përgjithësi, se Izraeli është një partner i denjë dhe i fuqishëm dhe se bashkë me të mund të realizohen gjera të mëdha kur shpirti politik është i çliruar nga hijet ogurzeza të së kaluarës, kur ajo shihet në sy dhe denoncohet publikisht e me kurajo politike.

Kjo ndodhi në Francë me Macron dhe në Hungari e Orban.

Natanyahu nuk doli kundër masave antisorosiane të disa qeverive europiane, si ajo hungareze; Izraeli e konsideron Sorosin një spekulator jo vetëm financiar, por edhe ideologjik, një pengesë dhe jo një incentiv për paqen në Lindjen e Mesme.Pas kapërcimit me zgjuarsi  të krizës së Malit të Tempullit, Natanyahu ftoi në Jerusalem përfaqësues të kombeve myslymane të Afrikës dhe pati mbështetjen e plotë të tyre për politikën e tij të paqes.

Ndërkohë, prokuroria izraeliane po kryen hetime ndaj Natanyahut, ndaj të cilit është ngritur dyshimi se ka kryer akte korruptive. Asnjë shenjë frike nuk ka demostruar deri më tani kryeministri izraelian, i cili është shprehur në favor të zhvillimit të hetimeve të pavarura nga ana e prokurorisë. Po ashtu edhe shumë mbështetës të tij në Likud, partia e Natanyahut në pushtet, janë shprehur pro hetimeve të pavarura. Nuk ka mënyrë më të mirë e më të hapur se sa kjo për të mbrojtur demokracinë dhe institucionet e saj të pavarura. Për këtë është i rëndësishëm shembulli i Izraelit në një rajon si ky i Lindjes së Mesme dhe Mesdheut, ku në shumicën e vendeve sundojnë regjimet gjysmë diktatoriale dhe autokratike.