Nxitja e energjisë diellore, Gjiknuri: Qasje e kujdesshme për një treg likuid

 

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim organizuan një tryezë dialogu me grupet e interesit rreth garave konkurruese për kapacitetet e reja në energjinë diellore.

Kjo tryezë vjen në vijim të memorandumit të nënshkruar mes palëve që synon nxitjen e investimeve të qëndrueshme në gjenerimin e energjisë diellore, përmes një sistemi me ankand, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Në fjalën e tij, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, deklaroi se energjia diellore është një burim jashtëzakonisht i rëndësishëm edhe për Shqipërinë, për shkak të pozicionit gjeografik të vendit dhe ekspozimeve që ka ndaj rrezatimit diellor.

“Nxitja e këtyre investimeve bëhet domosdoshmëri edhe nisur nga fakti se jemi aktualisht 100% të varur nga energjia ujore. Ligji i ri për energjitë e rinovueshme dhe plani kombëtar i qeverisë për promovimin e këtyre burimeve po hedh hapat e para duke shtruar platformën operacionale dhe ligjore për të konkretizuar investimet e para”, u shpreh Gjiknuri.

Në bashkëpunim me BERZH-in tha ai, po punohet që 30 deri 50 mega të jepen mbi bazën e ankandeve, duke afruar investitorë seriozë por edhe të marrim tarifa të përballueshme.

Sipas tij, zhvillimi i energjive të rinovueshme në Shqipëri, do të kontribuojë si në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji të vendit nëpërmjet shfrytëzimit të të gjitha burimeve kombëtare, ashtu edhe për diversifikimin, krijimin e mundësive për shfrytëzimin e këtyre burimeve për përdorim familjar apo për nevojat e prodhimit dhe te shërbimeve, për plotësimin e të gjitha detyrimeve për reduktimin e gazrave, si dhe një kontribut të rëndësishëm në zhvillimet në tërësi si rritjen e punësimit dhe të GDP-së.

Sipas ministrit Gjiknuri, sfida me të cilën ndeshemi është se si ta kthejmë këtë në një proces të qëndrueshëm. “Që kapacitetet që jepen të jenë në një treg të konkurueshëm, por mbi të gjitha të kenë një treg likuid që bën të mundur kthimin e investimit. Kjo do të thotë që jo çdo burim diellor mund të kthehet në burim energjie për aq kohë sa në një  treg të rregulluar siç jemi ne, ato paguhen nga konsumatori final. Në hapin tonë të parë zgjodhëm të promovojmë 50 mega në energji diellore e cila mund të jetë pak në fillim por është e mjaftueshme dhe qëndrueshme në tarifat që kemi sot në fuqi”, nënvizoi Gjiknuri.

Duke u ndalur më tej tek plani i mëtejshëm i rimëkëmbjes së sektorit elektroenergjitik, z.Gjiknuri tha se shumë shpejt falë rimëkëmbjes do krijohet mundësia për potenciale të reja në energjinë diellore.

“Duhet një qasje e balancuar sepse gjërat që nuk kanë qasje të balancuar shpesh herë përfundojnë në inflacion që i bën të paqëndrueshme nga ana financiare. Nëse nuk ka treg likuid që do ta tërheqë këtë energji, këto mund të kthehen në një problem të madh siç ka ndodhur në vendet e tjera”, u shpreh Gjiknuri.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me grupet e tjera të interesit, është angazhuar për krijimin e bursës së energjisë ne R.SH. (Albania Power Exchange) që do të jetë krijimi dhe funksionimi i tregut të organizuar, te hapur, transparent e konkurues. Bursa do të krijojë mundësi reale për të gjithë prodhuesit e energjisë, që të përfitojnë nga mundësitë që ky organizim sjell, për një pjesëmarrje jo vetëm në tregun nacional, por edhe atë rajonal e më gjerë.

Për herë të parë, mbështetja do të jepet në formёn e njё shpёrblimi pёr arritjen e çmimit tё caktuar, si shtesё çmimit tё referencës – Kontratat CfD. Kontrata për diferencë parashikohet për një shpёrblim të ndryshueshёm, tё llogaritur si diferenca midis çmimit me të cilin prodhuesi i energjisë së rinovueshme është shpallur fitues në procesin konkurrues për dhënien e ndihmës (çmimi paracaktuar) dhe çmimit tё tregut të energjisё elektrike (çmimi reference). Këshilli i Ministrave, do të miratojë procedurën për organizimin e procedurës konkuruese të ankandit, për dhënien e mbështetjes ndaj prodhuesve me përparësi të energjisë.

Mbështetja financiare pёr prodhuesit e energjisë së rinovueshme do të jepet deri në vetёshlyerjen e plotë të impiantit, në përputhje me rregullat e kontabilitetit dhe çdo ndihmë investimi të marrё më parë. Kontrata për diferencë do të ketë një kohëzgjatje maksimale prej 15 vjetësh.