Nis fushata e vaksinimit kundër gripit, kategoritë që e përfitojnë falas

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik dhe në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë çelën fushatën e vaksinimit ndaj gripit.

Kjo fushatë nisi në ambjentet e spitalit të mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Ky spital, vitin e kaluar ka përballuar një numër shumë të madh personash me komplikacione nga gripi, ndaj vaksinimi nisi me personelin shëndetësor pikërisht në këtë institucion.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të garantojë vaksinimin falas të personelit shëndetësor në të gjithë vendin, të grave shtatzana dhe pjesës më të riskuar për komplikacione nga gripi.

Zv/Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e pranishme në këtë aktivitet, u shpreh se “Për herë të parë fushata fillon në Tetor, në kohën e duhur për të qenë efikase për gripin stinor, në mënyrë që të minimizohen komplikacionet”.

Dr. Silva Bino, shefe e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP bëri thirrje për vaksnimin të popullatës në risk, sidomos fëmijët, gratë shtatzëna dhe të moshuarit me sëmundje kronike, pasi vaksina, sikurse u shpreh ajo, arrin një mbullim nga 70-90% të viruseve të gripit, duke ulur ndjeshëm komplikacionet.

Përfaqësuesja e zyrës së OBSH në Shqipëri, Nazira Artykova shprehu mbështetjen e OBSH për procesin e vaksinimit për kategoritë më të rrezikuara në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik ka siguruar nje sasi prej 100,000 dozash vaksine të parakualifikuar nga OBSH për vaksinimin ndaj gripit.

Tetori shënon fillimin e sezonit të gripit. Gripi është një sëmundje infektive virale, e cila paraqitet në forma të lehta dhe pa komplikacione por që në raste të veçanta dhe kryesisht tek personat e moshuar, ata me sëmundje kronike, gratë shtatëzëna, dhe fëmijët, mund të shkaktojë forma të rënda dhe komplikacione të rrezikshme për jetën. Personat të cilët preken më shpesh nga gripi janë edhe punonjësit e shëndetësisë. Për këtë arsye, që nga viti 2014, Shqipëria ofron një program vaksinimi për punonjësit e shëndetësisë. Komiteti i ekspertëve për vaksinimin rekomandon vaksinimin e gripit sidomos tek personat e moshuar, ata me sëmundje kronike, gratë shtatëzëna, personat që vuajnë nga obeziteti dhe fëmijët.