Negociatat me Bashkimin Europian, mazhoranca dhe opozita bien dakord

Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asociimin Shqipëri-BE mbylli punimet e sesionit të dymbëdhjetë.

Në ditën e dytë të punimeve u diskutua nga anëtarët e KPSA-së për zgjedhjet, reformën zgjedhore dhe rekomandimet e OSBE-së. Krahas tyre, një tjetër pikë e diskutimeve ishte edhe lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe luftën ndaj kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike.

Pas përfundimit të diskutimeve, u miratua edhe deklarata e përbashkët Shqipëri- Bashkimi Europian.

Partitë politike e mbyllën me një deklaratë të përbashkët mbledhjen e Komitetit të Stabilizim – Asociimit. Ata i kërkuan së bashku Komisionit Europian të rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe u angazhuan të japin secila ndihmesën e tyre.

Deputeti i PD, Genc Pollo tha se “Është një dokument i mirë me të cilin ne jemi të gjithë të kënaqur, se ndryshe nga ç’ndodh në seancë plenare, vendimet morën votat e mazhorancës dhe të europarlamentarëve”.

Nga ana e tij deputeti Taulant Balla vlerësoi dakordësinë e plotë me opozitën për rekomandimet e Këshillit. “Më në fund ne kemi një dakortësi të plotë mazhorancë- opozitë për rekomandimet që Komiteti i Stabilizim Asocimit i drejton Këshillit, Parlamentit Europian lidhur me mënyrën sesi Komiteti i sheh çështjet kryesore.

Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian, Monica Macove tha se “Është kënaqësi e madhe për mua të njoftoj që kemi përfunduar me sukses këtë takim të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri dhe për herë të parë pas një kohe goxha të gjatë ia kemi dalë që të miratojmë me unanimitet të plotë rekomandimet për autoritetet në Shqipëri dhe për institucionet e tjera të BE-së.

Çelja e negociatave për Shqipërinë do të thotë progres për vendin sepse do të hapni të gjitha kapitujt për tregtinë, për drejtësinë apo çdo element tjetër, për shembull për tenderat, për konkurrencën, për lirinë e shprehjesh, për të drejtat e njeriut dhe më pas vendi dhe autoritetet, parlamentet janë të detyruar që të miratojnë legjislacion të ri, të ndryshojnë legjislacionin, gjë e cila çon në ndryshimin e jetës për shqiptarët.”