Ndotja e ajrit në Prishtinë, nis ndalimi i hyrjes së automjeteve në kryeqytet

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë takuar me Ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, si dhe me Ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, me kërkesa konkrete për hapat që duhet ndërmarrë bashkërisht për të ndikuar kështu në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit në kryeqytet.

Në takimin e përbashkët me këto institucione, të mbajtur në Komunë të Prishtinës, u dakordësuan që, nga 31 janari të fillojë zbatimi i masave emergjente, që janë të përkohshme deri në një vendim tjetër:

– Reduktimi i numrit të makinave që qarkullojnë në kryeqytet, qoftë përmes ndaljes të të gjitha makinave që vijnë nga qytetet tjera, në hyrjet e kryeqytetit, në intervalet kohore 06:00-09:00 dhe 16:00-22:00; qoftë përmes seleksionimit të qarkullimit të makinave varësisht numrit të targave në të gjithë qytetin e Prishtinës (targat që numrin e fundit e kanë tek, qarkullojnë në datat tek; targat që numrin e fundit e kanë çift, qarkullojnë në datat çift). Do të sigurohen hapësira për parkim në hyrje të kryeqytetit, derisa të tejkalohet kjo fazë emergjente. Në të dyja rastet, do të shfrytëzohen pa pagesë autobusët e Trafikut Urban, që do të stacionohen në pikat më të frekuentuara.

– Subvencionimi i Trafikut Urban për këtë shërbim bëhet nga ana e Qeverisë së Kosovës.

– Ndalohet shitja dhe përdorimi i thëngjillit në Prishtinë – Drejtoria e Inspekcionit bashkë me Inspektorët e Ministrisë do t’i kontrollojnë bizneset që përdorin thëngjillin si lëndë djegëse, si dhe ekonomitë familjare, ashtu që të ndërmarrin masa në secilin rast ku tejkalohet norma e ndotjes.

Tashmë, gjashtë ekipe të Drejtorisë së Inspekcionit janë në terren për të kontrolluar dokumentacionin e automjeteve transportuese, dhe për të verifikuar nëse e kanë bërë kontrollimin sipas ligjit (çdo 6 muaj). Tri ekipe të tjera të Inspekcionit, janë aktivizuar në akset kryesore të hyrjes në Prishtinë, për t’i ndaluar taksitë ilegalë që vijën nga komunat e tjera.

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saja për ta tejkaluar këtë situatë emergjente.

 

Vendimi lidhur me masat për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit

 

I. N D A L O H E T shitja e thëngjillit brenda territorit të Komunës së Prishtinës.

II. N D A L O H E T qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda qytetit të Prishtinës, nga ora 06:00 – 22:00, përveç:

1. Automjeteve të transportit publik;
2. Automjeteve emergjente;
3. Automjeteve të Policisë së Kosovës;
4. Automjeteve të misioneve diplomatike;
5. Automjeteve të FSK-së;
6. Automjeteve të KFOR-i;
7. Automjeteve të EULEX-i;
8. Automjeteve të Drejtorisë së Inspeksionit;
9. Automjeteve – taksi të licencuara;
10. Automjeteve për bartjen e personave me aftësi të veçanta të cilat mbajnë shenjë identifikuese.

III. Zona e ndaluar përfshinë këto rrugë:
1. Bulevardi “Bill Klinton” nga udhëkryqi i rrugëve “Idriz Gjilani” dhe “Bekim
Fehmiu”, gjegjësisht nga shtatorja “Bill Klintoni”;
2. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga rrethrrotullimi i flamuri!
3. Rruga “Agim Ramadani” nga udhëkryqi i konvikteve;
4. Rruga “Edmond Floxha” te salla “1 Tetori’,;
5. Rruga “Ilir Konushevci”, nga hyrja e drejtimit të Podujevës;
6, Hyrja nga rrethrrotullimi i lagjes “Arberia” në rrugët “UÇK” dhe “Fehmi Agani”

IV. Transporti i udhëtarëve nga NPL “Trafiku Urban” në intervalin kohor të cekur në pikën I, do të bëhet pa pagesë, financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

V. Furnizimi i bizneseve me mallra duhet të kryhet në intervalin kohor prej orës 22:00 – 06:00.

VI. Për zbatimin e këtij vendimi obligohet Drejtoria e Inspekcionit.

VII. Policia e Kosovës do të asistojë në zbatimin e pikës II të këtij vendimi.

VIII. Ky vendim fillon të zbatohet nga data 31 janar 2018, deri në marrjen e një vendimi tjetër nga Komuna e Prishtinës.