Ndahet nga jeta albanologu Robert Elsie

 

Albanologu kanadez Robert Elsie, ndërroi jetë në moshën 67 vjeçare.

Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër të Kanadasë. Në University of British Columbia, studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua në vitin1972.

Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor, pastaj në Ecole Pratique des Hautes Etudes në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit, ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978.

Ai ka marrë pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për vjet me radhë. Pasi mësoi gjuhën shqipe dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë. Robert Elsie ishte autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë.

Robert Elsie ishte anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se më vdekjen e Robert Elsiet, “u shua një nga mendjet më të ndritura albanologjike. Robert Elsie ka lënë një trashëgimi të pasur si historian i letërsisë. Ai, me shumë studime dhe libra, e afirmoi kulturën dhe letërsinë shqipe në përmasa botërore”.