Mbyllet sërish qeveria amerikane

Senati amerikan votoi të premten herët në mëngjes, për të miratuar një projektligj të kombinuar për të financuar qeverinë deri më 23 mars dhe një buxhet dyvjeçar federal.

Ligji tashmë i ka kaluar dhomës së përfaqësuesve që pritet të votojë të premten.

Qeveria amerikane u mbyll të enjten në mesnatë pasi që Kongresi nuk arriti të përmbushë afatin për të ripërtërirë fondet e qeverisë federale.

Ligji për të cilin votuan 71 senatorë, ndërsa 28 ishin kundër, u zvarrit në senat të enjten mbrëma meqë njëri nga kundërshtarët e tij, senatori Rand Paul, refuzonte votimin e përshpejtuar. Në një fjalim maratonik ai tha se buxheti dy vjeçar do të “plaçkiste thesarin”.

Ky është rasti i dytë i mbylljes së pjesshme të qeverisë në më pak se një muaj. Demokratët bllokuan në janar një projektligj financimi, duke shkaktuar një mbyllje treditëshe të qeverisë federale, kryesisht për shkak të afrimit të datës së skadimit të programit DACA të administratës së ish presidentit Barack Obama, për emigrantët pa dokumenta që kanë hyrë në SHBA në moshë të mitur. VOA