Marrëveshja e detit, Bushati: Nuk ka presione, do të jetë më e favorshme se e 2009-ës

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në një interpelancë lidhur me bisedimet me Greqinë dhe marrëveshjet e pritshme, mbajti një video-interpelancë të kërkuar përmes Platformës së Bashkëqeverisjes nga një grup studentësh të ekselencës.

Gjatë interpelancës është pyetur se bisedimet e vendit tonë me Greqinë janë bërë nën presionin grek, ku vendi fqinj kërcënon me veto për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ministri ka deklaruar se nuk është në interesin strategjik të Greqisë sipas tij të përdorë politikë bllokuese ndaj vendit tonë.

“Praktika e së shkuarës ka qenë e larmishme. Eshtë Greqia e vitit 2014 që mbante timonin e presidencës së BE, kur ne morën statusin e vendit kandidat, është po kjo qeveri që i ka përmendur me durim dhe gjakftohtësi palës greke që ka qenë e pashpjegueshme për ne që si traktati në NATO dhe MSA janë ratifikuar nga parlamenti grek në momentin e fundit, ne kemi pritur që Greqia të ishte një nga vendet më të zjarrta që do t’i çonte këto traktate në parlament në momentin e parë.

Ne kemi rënë dakord për të diskutuar integrimin, ekspertizën në planin teknik e politik që mund të na japë Greqia”, u shpreh Bushati.

Gjatë bashkëbisedimit ministri bëri të ditur se marrëveshja me Greqinë për regjimin kufitar, do të jetë më e favorshme se ajo e 2009-s; marrëveshje e arritur nga qeveria ‘Berisha’, ku kishte gabime trashanike në thelb dhe në procedurë.

“Do të jetë marrëveshje e drejtë, e ndershme dhe e zbatueshme, sepse nevojitet të kemi një marrëveshje të drejtë në mënyrë që të dy palët të dalin nga procesi i bisedimeve me ndjesinë që kanë marrë atë që i takon.

Të dy vendet kanë kuptuar që duhet pasur një marrëveshje të zbatueshme në praktikë.”

 

Brenda 6-mujorit të parë presim që Greqia të shfuqizojë Ligjin e Luftës

Ministri sqaroi se kërkesa për shfuqizimin e ligjit të Luftës nuk lidhet me të ndjerit të kërcënuar, pasi jemi vende anëtare të NATO-s, por nga ana tjetër tha ai, gjendja e luftës ekziston.

“Janë disa raste të qytetarëve shqiptarë që kanë tentuar të fitojnë të drejtën e pronës dhe për shkak të kësaj pengese nuk ja kanë dalë dot.

Ne kemi kërkuar që ligji i luftës apo dekreti mbretëror që sanksionoi gjendjen e luftës me Shqipërinë dhe që vuri nën sekuestro një pjesë të mirë të pronave të shtetit shqiptar, qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve shqiptarë me kombësi greke të shfuqizohet me një akt po të një vlefshëm”.

 

Çështja çame

Duke folur për “Çështjen Çame”, ministri tha se nuk lidhet me pretendime territoriale, siç përpiqen ta përshkruajnë politikanë të ndryshëm në Greqi.

“Për ne kjo është një çështje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut si shkruhet në programin tonë të qeverisjes apo dokumentin strategjik që kemi shkëmbyer me palën greke dhe që më pas të dyja palët e kanë depozituar pranë shërbimeve të Komisonit Europian.

Po synojmë, që komuniteti çam të ketë mundësinë t’i drejtohet instancave greke për të drejtën e pronës. Sikundër për ne, çështja e të drejtës përkujtimore apo ndërtimi i një obelisku do ti krijonte mundësi komunitetit çam të mbajë gjallë lidhjen me historinë”

Ministri bëri të ditur po punohet për njohjen e ndërsjelltë të patentave, njohjen e kontributeve për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi, si dhe për heqjen e rezervës apostile.