Maqedonia sërish në dyrrugës

 

Nga fundviti i kaluar, pas zgjedhjeve të 11 Dhjetorit të vitit të kaluar, vendi fqinj i emëruar ndërkombëtarisht me emrin e pamundshëm FYROM (Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë), i thirrur shkurt dhe gabimisht “Maqedonia” nga ana e fqinjëve (përveç Greqisë që e njeh me emrin Skopja-Shkupi) si dhe nga ana e faktorëve të tjerë ndërkombëtarë,  vazhdon të lëngojë në një krizë të thellë politike e institucionale. Krizë që thellohet çdo ditë e më shumë dhe që po ashtu, çdo ditë e më shumë i lë vendin aktivizimit të skenarëve të rrezikshëm për këtë vend dhe destabilizuesë për të gjithë Ballkanin.

Nacionalisti Guevski nuk mundi t’i bindë partitë shqiptare dhe sidomos ish aleatin e tij Ali Ahmetin e BDI-së që të riformojë një koalicion qeverisës për të paktën katër vjetët e ardhshëm. Sipas burimeve, nuk ishte kushti i përdorimit edhe të shqipes si gjyhë e dytë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë, por besimi i bjerrur midis tyre si dhe kushtet e tjerë të së ashtuquajturës Platformë Shqiptare që e zmbrapsën atë nga një akord maksimal me përfaqësuesit politikë të popullsisë shqiptare të Maqedonië. Nuk bëhet fjalë për kushte të veçanta, por për fillimin e implementimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit (Gusht 2001), e cila, për shumë aspekte të saj, ka mbetur vetëm në letër. Këtë dështim politik Guevski e justifikoi me sloganet e njohur të “ndërhyrjes së huaj në punët e brendshme të Maqedonisë” duke u deklaruar hapur ndaj dhe kundër influencës deçizive të manjatit amerikan të financave Xhorxh Soros(!) ndër kundërshtarët e tij politikë të partisë së Zaev si dhe duke aluduar për influencën sidomos të Shqipërisë, por edhe  të Kosovës, mbi faktorin politik shqiptar në Maqedoni.

Në këto kushte, topi në lojë i kaloi sërish Presidentiti Ivanov të cilit, sipas Kushtetutës së vendit,  i duhej t’ia delegonte formimin e një koalicionit qeverisës partisë opozitare të majtë të Zaev e cila doli e dyta në zgjedhjet e fundvitit të kaluar.

Nga ana e tyre, Zaev dhe Platforma Shqiptare mundën të arrijnë një marrëveshje në linjat më të rëndësishme dhe arritën sëbashku diçka më shumë se numri i nevojshëm i deputetëve në Parlament për të formuar një maxhorancë qeverisëse.

I sikletuar nga ky përfundim, Presidenti Ivanon i heq, si i thonë,  petën e fundit lakrorit të gatuar në Moskë dhe Beograd: në shkelje të plotë të Kushtetutës së vendit nuk i akordon maxhorancës së re formimin e një koalicioni qeverisës, me mëtimin se Platforma Shqiptare është fryt i ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Tiranës në punët e brendshme të Maqedonisë. Absurditeti i rradhës i antishqiptarit të deklaruar Ivanov. Por më mirë kështu. Edhe pse dihej e njihej botërisht se “ku e kanë shtëpinë” Ivanov dhe Guevski, fakti që në këtë situatë ata dolën hapur jo vetëm si antishqiptarë, por edhe si antieuropianë, antiperëndimorë e sidomos antiamerikanë, e bën më të qartë situatën dhe u jep si faktorëve të shumtë properëndimorë në këtë vend, ashtu edhe interlokutorëve perëndimorë, një vizion më të qartë se me kë kanë të bëjnë.

Megjithëse i këshilluar sinqerisht si nga Uashingtoni, përmes ambasadorit të SHBA në Shkup, ashtu edhe nga Brukseli, përmes drejtpërdrejt Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtëme të BE-së Federica Mogherini gjatë vizitës së saj në Shkup, që të rishikojë vendimin e fundit të tij për të mos ia dorëzuar opozitës së Zaev çelsat ligjorë të qeverisjes së vendit (sipas Kushtetutës), Ivanov vazhdon ta mbajë vendin pezull politikisht e institucionalisht. Situatë tejet e rrezikshme për një vend si Maqedonia, e cila, me sa duket, nuk ka zgjidhur ndërkohë asnjë nga problemet e thella që e mbajnë shoqërinë e saj si etnikisht e kulturalisht, ashtu edhe politikisht, tejet të ndarë.

Ky vend i vogël ballkanik, një e treta e popullsisë së të cilit përbëhet nga shqiptarë etnikë, nuk e ka luksin e mbajtjes pezull të një situatë të nderë politike e të një krize institucionale të këtyre dimensioneve. FYROM apo Maqedonia, thënë ndryshe,  nuk është Belgjika. Në të kundërt të asaj çka mëtojnë Ivanon dhe Guevski, faktori shqiptar në Maqedoni është më i priruri për të stabilizuar vendin. Kushti i vetëm i këtij faktori, i marrë kompleksivisht, është që Maqedonia të vazhdojë të jetë e orientuar nga Perëndimi dhe të abandonojë lojën e forcës me Perëndimin, të planifikuar në Moskë dhe në Beograd që deri më tani e ka lënë këtë vend peng të synimeve kapriçove gjeopolitike dhe gjeoekonomike të saj. Shqiptarët kompleksivisht mund t’i bashkohen cilësdo force politike në Maqedoni që në themel të programit të saj ka oksidentalizimin e vendit, integrimin e tij në BE dhe në NATO. Kjo është mëse e qartë dhe është edhe e vetmja arësye përse Ivanov dhe Guevski këtë rradhë dolën kaq hapur kundër tyre.

Përfaqësuesve të interesave të Moskës dhe të Beogradit në Maqedoni nuk i mbajtën më maskat “demokratike”. U detyruan t’i heqin vetë.

Për mendjet e shëndetshme në Shkup, është mëse e qartë se Moska dhe Beogradi, përveç mbajtjes peng të Maqedonisë dhe përdorimit të saj si një gur i vogël në bilancën e brishtë ballkanike dhe më gjerë, nuk kanë ç’ti ofrojnë asaj, as aktualisht e as në perspektivë. Ivanov e Guevski konsiderojnë Tiranën dhe Prishtinën si invazorë në punët e brendshme të Maqedonisë. Çdo të mund të thuhej atëherë për Moskën dhe Beogradin millosheviçian? U dëshmua botërisht me qëndrimet më të fundit të Ivanovit  dhe Guevkit  se ata nuk janë thjesht ndërhyrës në punët e brendshme, për padronë të punëve të brendshme të Maqedonisë. Janë në gjendje të shtyjnë Presidentin e vendit të shkelë hapur e në mënyrë të paprecedent në Europë, ligjin themelor, Kushtetutën!

Në të kundërt, është e vërtetuar në mënyrë konstante se Shqipëria dhe Kosova kanë kontribuar dukshëm në stabilizimin e Maqedonisë, në daljen e saj nga çdo impasse në të cilën e ka vënë veten në njëzetepesë vitet e fundit. Askush nuk mund ta mohojë këtë e të pohojë të kundërtën. Platforma Shqiptare e përkrahur hapur dhe jo prapa kulisave nga Tirana zyrtare dhe personalisht nga Kryeministri Rama  është një tjetër kontribut për stablizimin e Maqedonisë. Nëse nuk është kuptuar si e tillë nga Ivanov apo Guevski, ky është një problem i tyre.

Kriza e fundit në Maqedoni u dëshmon edhe një herë shqiptarëve në Balkan se rruga e vetme e afirmimit jo vetëm të identitetit të tyre kulturor, por edhe e idesë së bashkimit të tyre është ajo europiane, perëndimore, ajo e kontributit më të madh në rritjen e nivelit të lirive dhe të demokracisë në Shqipëri dhe në  të gjithë vendet e tjerë ballkanikë ku ata jetojnë, e rritjes së prosperitetit ekonomik, social e intelektual të tyre. Çdo rrugë tjetër do të ishte një qorrsokak me pasoja të rrezikshme për ardhmërinë e kombit dhe të entitetit shqiptar. Rruga europiane dhe perëndimore i bën ata popullin më të gatshëm të bëjë të vetin çdo nismë dhe aksion për afrimin gjithnjë e më të prekshëm të vendeve ballkanike në të cilët shqiptarët jetojnë shtetërisht të ndarë që nga 1912-ta me BE-në, NATON dhe sistemin perëndimor të vlerave në tërësi.

Shqiptarët në FYROM nuk çuditen pse Moska dhe Beogradi tentojnë me të gjitha mënyrat për të ruajtur dhe shtrirë më tej interesat e tyre në Maqedoni. Është “legjitime”. Në fund të fundit, Maqedonia politike  është thjesht pjella e tyre. Një shtet i formuar për të garantuar interesat e Rusisë dhe zhvillimet serbocentrike në Ballkan. Në Shkup ashtu si edhe në Sofje (Bullgari) e dinë mirë këtë. E dinë mirë se maqedonishtja është frut i modifikimit të bullgarishtes në Institutin moskovit të Studimeve të Sllavishtes dhe dinë edhe emrin e gjuhëtarit rus që realizoi këtë projekt jo thjesht gjuhësor, por gjeopolitik.

Kush është Maqedonia historike dhe cilët janë maqedonasit e vërtetë historikë, këtë mund ta thonë dhe dëshmojnë katërcipërisht vetëm shqiptarët. Nuk mund të jenë objektivisht as sllavomaqedonasit e sotëm e ca më pak serbët ata që mund të dëshmojnë kush ishin maqedonasit e lashtë.

Për të gjitha këto arësye, historike po aq sa aktuale, nuk mund të mos bashkohemi me përgjigjen e fortë, por konçize e në kohën e duhur,  të Kryeministrit Rama ndaj Presidentit Ivanov: “Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni!”.

Gjasat për rivendosjen e normalitetit politik e institucional në Maqedoni brenda një kohe të shkurtër ekzistojnë vetëm falë presionit të faktorëve ndërkombëtarë perëndimore mbi Presidentin Ivanov. I takon atij të korrigjojë vetë dhe në mënyre të menjëhershme një gabim kushtetues të pafalshëm, për të cilin, në fund të mandatit të tij, do t’i duhet të përgjigjet para drejtësisë.

Shumica sllave e këtij vendi, pavarësisht lidhjeve historike dhe matricës kulturore sllave të përbashkët, nuk meriton të mbahet peng nga logjika obsolete që mund ta mbajnë atë larg nga tendenca prioritare e zhvillimeve në Ballkanin perëndimor, ajo e integrimit gjithnjë e më të plotë të tij në BE. Nuk janë e nuk mund të jenë shqiptarët autoktonë  “armiku” që i pengon ata të zhvillohen, por klasa e stërkorruptuar politike e Guevskëve që është e gatshme të sakrifikojë interesat perspektivë të vendit për hir të interesave të vogla e kokë e këmbë të kompromentuara të saj.

Java e ardhshme do të jetë deçizive për zhvillimet aktuale në FYROM; a do të rishikojë Ivanov vendimin e gabuar të marrë për të mos ia deleguar Zaevit dhe koalicionit të tij me partitë shqiptare  mandatin e qeverisjes së ardhshme apo do ta shtyjë ai më tej vendin në krizë, produket e së cilës mund të jenë dy: në rastin më të mire arritja e një marrëveshjeje kompleksive mes të gjitha palëve për formimin e një qeverie teknike e cila do shërbente thjesht për të shkuar sërish në zgjedhje e, në rastin më të keq, rritja e tensioneve sociale dhe etnike në kë të vend, i cili ka tashmë një eksperiencë të hidhur lidhur me çka do të thotë kjo.

Kohë e një prove të vështirë e historike për sllavo-maqedonasit. Ata duhet të fillojnë të emancipohen si një popull europian e perëndimor e të mos kthejnë kokën nga fishkëllimat e stepës. Zgjedhjet e mëdha politike që bënë në dhjetëvjeçarët e fundit sivëllezërit e tyre bullgarë, pavarësisht kontradiksioneve,  me adermin e plotë në BE e në NATO, janë rruga që garanton edhe të ardhmen dhe prosperitetin e tyre.

M.S