“Magjia e Gramofonit”, ekspozohet koleksioni i rrallë

Mbi 18 mijë pllaka gramofoni, 20 gramofonë mekanikë dhe elektrikë, 2 fonografë dhe një mori revistash periodike kushtuar muzikës në pllaka, u ekspozuan për herë të parë për publikun në mjeddiset e Muzeut Historik Kombëtar.

“Magjia e gramafonit”, me gramofonët dhe revistat e Fonotekës së Arkivit Qendror Shtetëtor është dhe ekspozita e përbashkët e Muzeut Historik Kombëtar dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, që anonçohet në kuadër të veprimtarive të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Në vitin 1986 koleksionisti britanik Martin Moir i dhuroi AQSh-së mbi 18,000 pllaka gramofoni, 20 gramofonë mekanikë dhe elektrikë, 2 fonografë dhe një mori revistash periodike kushtuar muzikës në pllaka. Kjo çoi në krijimin e Fonotekës së AQSh si sektor i zgjeruar. Objektet ruhen në Fonotekën e AQSh dhe përveç një katalogu të lëndës muzikore, asgjë tjetër nuk i është bërë e njohur publikut.

Çelja e ekspozitës “Magjia e gramafonit” bëri të mundur që në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të lançohej muzikë popullore shqiptare, regjistruar në disqe të një teknologjie që prej vitesh nuk ekziston më dhe transmetuar po nga gramafonë një pjesë e të cilëve datojnë si prodhim që para viteve të Luftës së Dytë Botërore.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm vijimin e bashkëpunimit duke theksuar gjithashtu se ekspozita të tilla të bëjnë të kuptosh se si ka qenë jeta sociale e shqiptarëve. “E kemi filluar këtë bashkëpunim edhe më herët siç ishte ekspozita e vulave të shtetit shqiptar, po e vijojmë me ekspozitën e gramafonëve dhe shpresojmë të ketë edhe ekspozita të tjera për të nxjerrë në pah vlerat e trashëgimisë tonë kulturore, historike, muzeale që ndajnë dy institucionet”, tha ndër të tjera Dr. Dorian Koçi gjatë fjalës së tij të rastit në çeljen e ekspozitës “Magjia e gramafonit”.

Po të të njëjtën linjë edhe drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Dr. Ardit Bido, duke u shprehur se “Shqipëria është një vend i pasur me trashëgimi kulturore”, do të shtonte se bashkëpunimi mes dy institucioneve do të vazhdonte me qëllim që objektet muzeale, që janë pronë e arkivit, të mund të dalin në dritë dhe të njihen nga publiku pikërisht nëpërmjet ekspozimit në një vend atraktiv siç është Muzeu Kombëtar. “Ka pasuri që janë ekspozuar shumë rrallë, por shumica asnjëherë” u shpreh Dr. Ardit Bido.

Në këtë ekspozitë paraqitet në origjinal koleksioni i fonografëve dhe gramafonëve, si dhe disa disqe gramafoni, LP dhe vinyl-e. Përmes kësaj ekspozite AQSh shpalos një anë të panjohur të tij, pasurinë muzikore që ruan heshtazi prej 30 viteve. Pjesë e dhuratës së vitit 1986 ishin edhe disa seri revistash, si “The Monthly Letter”, “The Strand”, “Gramophone” apo botime lidhur me historinë e gramafonit dhe muzikës, disa prej të cilave do të ekspozohen pranë koleksionit të gramafonëve.