Laguna e Nartës, ‘shtëpia’ e flamingove lozonjarë – video

Ato tërheqin vizitorë të shumtë në vëzhgimin e piruetave të tyre, herët në fillim dite dhe përshëndesin diellin në perëndimin e tij.

Kjo është koha më e mirë për “baletin “e tyre klasik.

Zogjtë shtegtar në përgjithësi dhe ata lagunorë në veçanti, janë kthyer në një destinacion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.

Një nga më të preferuarat mbetet Laguna e Karavastasë, në Divjakë, për shkak të kushteve të infrastrukturës rrugore, afërsisë me kryeqytetin dhe species së veçantë të Pelikanit Kaçurrel.

Por, një nga lagunat më të mëdha e më të rëndësishme të Shqipërisë është ajo e Nartës, në Vlorë.

Ajo ndodhet në  veri-perëndim të qytetit të Vlorës, rreth 14 km larg saj dhe ka një sipërfaqe prej rreth 42 km 2. Ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe plazhe të vegjël pa bimësi  të dendur.

Në këtë lagunë bënë pjesë dhe Zvërneci, me ishullin e vogël të tij.

Pikërisht këtu fillon dhe laguna e Nartës që shtrihet  në veri deri në brigjet e Vjosë dhe në grykëderdhjen e saj në Adriatik.

Prej aty mund të soditësh një pjesë të lagunës dhe gjallesat e saj.

Shumë vizitorë përdorin dylbi për të parë nga afër zogjtë lagunorë në jetën e tyre të përditshme. Rreth lagunës shtrihen mjaft fshatra të banuar, ku më i afërti është ai i Akërnisë, ku së shpejti do të ndërtohet aeroporti i Vlorës.

Përveç bukurisë natyrore, monumenteve të kultit, historisë së trevës, interes të veçantë paraqet për vizitorët  biodiversiteti i gjallesave që gëlojnë në këtë lagunë.

Specia më interesante dhe më spktakolare në ujrat e saj, mbeten flamingot.

“Laguna e Nartës mund të quhet dhe shtëpia e tyre ”, thotë për ATSH, Nexhip Hysolakoj, përgjegjësi i Sektorit  të Monitorimit të lagunës në Administratën e Zonave të Mbrojtura (AdZM) e Vlorës.

Nexhipi shpjegon se Flamingot kanë qenë të përhershme në këtë lagunë, por u larguan gjatë viteve të tranzicionit dhe me vendosjen e moratoriumit që ndalon gjuetinë e paligjshme, u rikthyen në shtëpinë e tyre të vjetër.

Ai shpjegon gjithashtu se Laguna e Nartës është mjaftë e përshtatshme për këtë specie të bukur e lozonjare për shkak të kushteve që krijon.

Është relativisht e cekët me thellësi deri në 1.5 metër, me ujë më të kripur se lagunat e tjera të vendit dhe e mbrojtur nga rrymat e ftohta dhe hapësira e gjerë që ka, i mban larg dëmtuesit dhe vëzhguesit e tyre.

”Vizitorë të apasionuar pas vëzhgimit të shpendëve ujorë, vijnë pranë zyrave tona, marrin instruksionin e duhur, mjetet e duhura dhe të shoqëruar nga specialistët tanë, dalin në vëzhgim të zogjve ujorë e në veçanti të flamingove”, thotë Nexhipi.

Laguna e Nartës, mbetet vendi kryesorë ku zbarkojnë flamingot e bukura gjatë stinës së vjeshtës, për ta mbyllur spektaklin e “baletit” mbi ujë në fund pranvere ku dhe ujërat fillojnë e nxehen. ATSH

 

VIDEO/ Laguna e Nartës, “shtëpia” e flamingove lozonjare

VIDEO/ Laguna e Nartës, “shtëpia” e flamingove lozonjarehttps://www.ata.gov.al/video-laguna-e-nartes-shtepia-e-flamingove-lozonjare/Shumë vizitorë përdorin dylbi për të parë nga afër zogjtë lagunorë në jetën e tyre të përditshme. Rreth lagunës shtrihen mjaft fshatra të banuar, ku më i afërti është ai i Akërnisë. Përveç bukurisë natyrore, monumenteve të kultit, historisë së trevës, interes të veçantë paraqet për vizitorët biodiversiteti i gjallesave që gëlojnë në këtë lagunë.

Geplaatst door Agjencia Telegrafike Shqiptare op donderdag 8 februari 2018