Kuvend/ Dështon raundi i dytë për KLGJ dhe KLP. Mazhoranca u jep turqve aeroportin e Vlorës

Kuvendi i Shqipërisë nuk ka arritur as në këtë raund të dytë, që të miratojë listat e kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Duhen të paktën 93 vota pro që të miratohen këto dy lista që iu paraqitën Kuvendit.

Sakaq, janë miratuar edhe disa projektligje të tjera të rendit të ditës.

Mazhoranca miratoi me 74 vota projektligjin “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive turke “CENGIZ CONSTRUCTION & KALYON CONSTRUCTION” me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të qytetit të Vlorës”, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet KM të RSH, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Cassa Depositi e Prestiti S.P.A., për projektin me objekt “Studime fizibiliteti, hartim dhe planifikim në nivel përfundimtar dhe studim të ndikimit mjedisor në fushën e infrastrukturës”, po me 74 vota.

Gjatë seancës së sotme plenare, u rrëzua në parim projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 69/2012 “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, si dhe projektvendimi “Për miratimin e listës në bllok të kandidatëve të përzgjedhur për KLP dhe KLGJ, u rrëzua, pasi nuk mori 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Seanca e sotme plenare u shoqërua dhe me replika të forta. Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Edmon Spaho u përjashtua nga punimet e sotme të seancës plenare.