Kultura shkatërruese e të qënit “politikisht korrekt”

Është stinë verore dhe të shumtë janë frekuentuesit e lokaleve, diskotekave, pub-eve, bareve në mjedise të hapur, konceteve dhe spektakleve masivë, etj..
Në shumë nga këto mjedise, njerëzit, sidomos të rinjtë, i përkushtohen më shumë se zakonisht pijeve alkolike dhe më shpesh përdorimit të drogave të ndryshme. Iluzioni i lumturisë i pushton veçanërisht të rinjtë dhe adoloshentët të cilët nuk kanë arritur ende gjendjen e maturisë së nevojshme e për këtë arësye bien viktimë e kulturës së miteve të rremë të konsumit, të zbavitjes e të të “bërit qejf” me çdo kusht e me çdo çmim.

Shumë prej kësaj kategorie të rinjsh, në majë të delirit të seksit, alkolit dhe të drogës, rrezikojnë gjer edhe jetën. Megjithë shembujt tragjikë, kultura e delirit dhe e iluzioneve vazhdon të pushtojë mendjet e të rinjve dhe është në një farë mënyre shndërruar në një kulturë grupi, mase.

Nga ana tjetër, sistemi social dhe edukativ që kemi ngritur bën shumë pak për të forcuar kapacitetin diskrimimues kultural tek të rinjtë, për të rritur ndërgjegjen e tyre individuale e cila është e kundërt nga ajo e masës. Shkolla dhe institucionet e tjera të edukimit nuk kanë programe lidhur me këtë proçes; Në mediat, sidomos ato vizive, shfaqen shpesh edhe një sërë specialistësh që studiojnë dhe observojnë këto fenomene, por ata merren më së shumti me fenomenin dhe jo me shkaqet që çojnë në të.

Nga ana tjetër, shumica e vendeve ku ky fenomen është i përhapur, midis të cilëve edhe Shqipëria, nuk bëjnë gjë tjetër veçse forcojnë masat represive .
Ndërkohë, kjo lloj “kulture” (lexo: antikulturë), përhapet gjithnjë e më shumë ndër adoloshentët dhe të rinjtë, sidomos në vendet e lindjes të cilat bënin pjesë në të ashtuquajturin “sistem socialist”.

Ndërkëto vende, Shqipëria kishte sistemin më represiv dhe më të izoluar nga të gjithë. Gjatë këtij sistemi ku sundonte mendimi unik, forca represive të regjimit ndalonin pjesën më tëmadhe të aktiviteteve të tilla, ndaj edhe shumë prej prindërve të sotëm të adoloshentëve dhe të të rinjve, nuk do të donin që fëmijët e tyre të privoheshin nga këto “kënaqësi” siç u privuan ata gjatë gjithë rinisë së tyre, ndaj bëhen më tolerantë dhe më të shkujdesur.

Institucioni i familjes, edhe në Shqipëri, po pëson modifikime që nuk kontribuojnë në rritjen e nivelit koshiencial të individëve. Familja shqiptare ka pësuar modifikime të rëndësishme në sistemin e saj tradicional të funksionimit dhe nuk është më ajo forcë kohezive e mëparshme, proçes që ka sjellë, padyshim, disa benefite në afirmimin e lirisë individuale, por edhe mjaft dëme në planin formativ dhe edukativ. Pasqyrë e një proçesi të tillë janë marrëdhëniet e familjës me shkollën: një lojë e vazhdueshme ping-pongu ku të dyja palët ia hedhin fajin njëra –tjetrës për mosmbarëvajtjet e ndryshme të fëmijëve e të rinjve.

Humbja në përgjithësi e forcës tërheqëse të institucioneve edukative, Familja, Shkolla, Shoqëria sjell në mënyrë të paevitueshme rritjen e forcës centrifugale të individëve, veçanërisht të brezave të rinj.

Ku përfundojnë ata?

Të paaftësuar e të paedukuar për të krijuar një kulturë individuale, ata bëhën pre e çdo lloj manipulimi mendor që tenton të krijojë një kulturë masash të pagjegjshme që beson në mitet e rremë të konsumit. Këtë lloj kulture e shohim jo vetëm në diskoteka e pub-e të shumtë, por edhe në shumë emisione televizivë skadentë të cilët mbahen në këmbë nga fakti se ata që i financojnë kanë kontribuar në krijimin e një baze të dobët ideore mbi jetën tek të rinjtë dhe shndërrohen, nga ana e tyre, në amplifikatorë të këtj manipulimi. Mjafton të shohësh disa programe televizivë në Shqipëri e nuk mund të mos mendosh se janë ndërtuar e financuar enkas për të realizuar kulturën e masës dhe jo kulturën e individit. Këto programe madje tentojnë të devijojnë përpjekjet për të ndërtuar kulturën individuale duke e adresuar atë drejt figurave dhe miteve false të rrugës, këngëtarë e gjithfarë personazhesh të stisur, një mjegull e tërë ku vezollojnë vetëm marka sendesh e pijesh, Status Symbol për t’u arrirë, identifikimi me të cilët, tenton të pushtojë sa më shumë hapësirë në mendjet e njerëzve dhe largon individin nga rruga e njohjes së vetvetes.

Të rinjtë sot janë shndërruar vërtet në një objekt i një lloj inxhinierie sociale, të formave nga më të ndryshmet të kontrollit mendor, të zhytur në mjegullën e butë të iluzioneve dhe të orientuar nga stimujt e kulturës së konsumit. Të gjitha këto tentojnë dhe ia kanë arritur të mbysin sinjalet që vijnë nga brendësia e ndërgjegjes së tyre. Në krahësim me masën, janë të paktë ata të rinj që kuptojnë se dikush apo shumëkush i ka shtyrë në një lloj iluzioni për të qënë viktima të lehta. Janë ata që kanë mundur të krijojnë, falë mirëedukimit në familje, por shpesh falë edhe nga një proçes autentik të rritjes së vetvetes, një lloj sensi kritik, ata që kanë mësuar të zgjedhin burimet e vërteta kulturore të ushqimit të mendjes së tyre, të cilat nuk janë ato që ofron shumëherë sistemi mediatik. Shpesh këta individë të emancipuar goditen nga ky lloj sistemi i krijuar, lihen mënjanë e përqeshen si “obsoletë”, ngaqë shembulli i tyre mund të tërheqë të tjerë nga masa e njehësuar me kulturën e masave, mund të forcojë rradhët e atyre që nuk e pranojnë supremacinë e kësaj të fundit mbi vlerën e individit dhe të jetës së vërtetë, e më në fund, mund të rrisë masën e kritikëve ndaj pushtetit apo pushteteve që kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin. Individët që investojnë në afirmimin e individualitetit të vet dhe që arsyetojnë me mendjen e vet bëhen skomodë për ideatorët dhe kultivuesët e kulturës së masave, kësaj sindrome që është një lloj antidoti kundër realitetit e që kërkon ta manipulojë atë. Këta individë bëhen gjithnjë e më të pavarur nga pseudovlerat që hedh në treg për konsum mendor sistemi dhe jo vetëm kaq; ata shtrëngojnë shumë forca fizikisht të padukshme në shoqëri, por që manipulojnë sistemin, të shfaqen, të “dekonspirohen” e nga ky moment, forca e tyre bie, pëson një lloj kolapsi të koherencës që mund të kompromentojë e dëmtojë gjithë sistemin e ngritur për të manipuluar masat.

Ajo që quhet “Hipnozë e Masave” është një lloj gjendjeje që prodhojnë sëbashku mite, ngjyra, tinguj, imazhe, metafora, skena, kontekste, të përdorur nga pseudo politikanë, pseudoartistë, pseudopersonazhe e personazhe të sofistikuar, media të shkruara e vizive në funksion të tyre, manipolatorë profesionistë, të cilët gjejnë tek përsëritja konstante e imazhit dhe e mesazhit të tyre mundësinë për të hyrë lehtë në mendjet e njerëzve, për t’u bërë “të shtëpisë” brenda saj. Viktimat e këtij proçesi janë sot një masë e madhe njerëzish (për fat të keq gjithnjë e më shumë), të cilët harxhojnë gjithë kohën, energjitë e tyre fizike dhe mendore në ndjekje të këtyre personazheve dhe miteve të rremë, duke u shndërruar në autolezionistë të vëtetë. Por ata konsiderohen nga sistemi “politically correct”, ndërsa individët që me pavarësinë e tyre të të menduarit e të të vepruarit “sfidojnë” këtë proçes të njehësimit me “kulturën e masave” në të kundërt: “not politically correct”.

“Politikisht korrektja” është një vizion i ngurtë, doktrinar, çensurues dhe atrofizues në mos vdekjerurës për mendjen, për linguazhet e shumtë të saj, për kapacitetin e lindur njerëzor të vizionit në kohë-hapësirë dhe të organizimit të hapësirës. Është një përmbajtje që shkon kundër kompleksitetit mbi të cilin ndërtohet vetë modeli ynë biologjik, kundër shpirtit kërkues, poliedrik, të të qënit i hollë dhe i rafinuar në të arsyetuar, kundër shpirtit dyshues që ka çuar përpara shkencën, artin, kulturën të cilat kanë emancipuar në kohë njerëzimin dhe civilizimin e tij.
Më në fund, të mos harrojmë që kultura e të qënit “politikisht korrekt” është ajo që në historinë e njerëzimit ka sjellë edhe tradegjitë më të mëdha. Historia më e afërt, ajo e nazizmit, fashizmit dhe komunizmit, është mëse e mjaftueshme për t’u bindur për këtë.