Kryeministri i ofroi post të rëndësishëm? Majlinda Bregu: Po, kam aplikuar

Ish-deputetja demokrate Majlinda Bregu reagon lidhur me shkrimet në media se Kryeministri pritet ti caktojë në një detyrë të rëndësishme.

Më konkretisht përflitet se Majlinda Bregu është propozuar si kandidatura e vetme e Shqipërisë për Sekretare e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Lidhur me këtë zëra, ajo pranon se ka aplikuar për këtë pozicion, duke sqaruar se nuk është një pozicion që varet nga qeveria shqiptare dhe si i tillë, nuk mund të ofrohet prej saj.

 

Reagimi i plotë i Bregut në Facebook

“Po lexoj një lajm që paska marrë dhenë për aplikimin tim për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm, të Keshillit të Bashkëpunimit Rajonal .

E para: PO! Kam aplikuar me emrin tim për këtë pozicion. I cili është i pari i këtij niveli që nëse do ta fitoj, i jepet një shqiptari.

E dyta! Nuk është pozicion që varet nga qeveria shqiptare dhe për rrjedhoje nuk mund të ofrohet nga qeveria shqiptare. Nota duhet të përcillet zyrtarisht nga Ministria e Jashtme siç ndodh me çdo kandidat nga vendet e tjera që kanë aplikuar.

Zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm është një proces i gjatë përzgjedhje, votimesh në disa nivele nga të gjitha vendet e Evropës Juglindore dhe ku Komisioni Europian është partneri i tij kryesor. Sigurisht që nuk i kushton asnjë lekë taksapaguesve shqiptarë. E fundit! Nëse do ta fitoj këtë pozicion, do të jetë një nder për mua, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në rajon.”