Kosova pritet të hapë ambasadën në Emiratet e Bashkuara Arabe

Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikes se Kosovës, Behgjet Pacolli, në kuadër të takime të tij në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara takoi në një takim të veçantë homologun e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Naya.

Në kuadër të këtij takimi, Pacolli, falenderoi homologun e tij nga Emiratet e Bashkuara për mbështetjen sistematike dhe të palëkundur të vendit të tij ndaj Kosovës dhe popullit të saj nëpër të gjitha proceset, Tutje, ai shprehi vulletin e tij për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimin dy-palësh në mes dy vendeve, duke theksuar në veçanti investimet e mundshme nga Emiratet e Bashkuara Arabe në fushën e turizmit, bujqësisë, teknologjisë informative dhe shërbimeve.

Gjatë takimit është përmendur si shenjë positive edhe hapi i ndërmarrë nga Institucionet e Republikës së Kosovës për heqjen e vizave për të gjithë shtetasit, që janë në posedim të Pasaportave të lëshuara nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Si hap konkret për rritjen e mundësive në fushën e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve është vlerësuar edhe organizimi i përbashkët të Forumit Ekonomik dhe Investimeve në Abu Dhabi vitin e ardhshëm. Gjatë këtij takimi është ri-konfirmuar, gjithashtu, mbështetja e Kosovës për anëtarësim në gjitha Organizatat Ndërkombëtare.

Me qëllim të thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit, Republika e Kosovës, pritet që së shpejti të hap Ambasadën e saj në Emiratet e Bashkuara Arabe.