Konsulencë amerikane për regjimin fiskal e kontraktual të marrëveshjeve hidrokarbure

 

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, mori pjesë në tryezën e mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Byroja e Burimeve Energjitike, Departamenti Amerikan i Tregtisë dhe ai i Thesarit, me temë “Kornizat fiskale dhe kontraktuale për zhvillimin e sektorit të hidrokarbureve”. Konferenca shërben për ofrimin e një perspektive globale mbi praktikat më të mira në kontraktimin dhe regjimet fiskale në naftë dhe gaz me synim që Shqipëria të mund të tërheqë sa më shumë investime në këtë fushë. Në fjalën e tij ministri Gjiknuri theksoi se Shqipëria ka burime hidrokarbure dhe mund të përfitojë më shumë prej tyre, po Shqipëria ka nevojë për një kuadër rregullator, përmirësim të legjislacionit dhe mbi të gjitha drejtim të kapaciteteve të nevojshme qoftë nga autoritetet fiskale qoftë nga autoritetet e mbikëqyrjes së burimeve natyrore.

“Pasuritë e naftës dhe gazit shpesh herë janë edhe burim konfliktesh kontraktore. Shpesh herë ku ka naftë e gaz ka edhe përplasje mes qeverisë dhe kontraktorëve privatë. Edhe ne kemi qenë dëshmitarë i atyre përpjekjeve modeste që kemi bërë dhe konflikteve juridike që kemi filluar me kompaninë, por është momenti që ne të mendojmë përtej  eksperiencës tonë të shkurtër në këtë drejtim. Është momenti që të realizojmë edhe një kuadër më të mirë fiskal dhe rregullator pse jo të ndryshojmë edhe modelet tona të kontratës”, deklaroi Gjiknuri.

Gjiknuri theksoi më tej se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave si edhe me një asistencë ndërkombëtare nga departamenti amerikan i shtetit, po punohet për të hartuar një sistem më të thjeshtë fiskal . “Kuptohet, – vijoi më tej Gjiknuri – se kjo mund të hapë edhe debat me kontratat ekzistuese. Ne jemi për respektimin e  marrëveshjeve nuk dua të jap këtu mesazhin që Shqipëria në mënyrë të njëanshme do të ndryshojë marrëveshjet, por pse jo të hapim një diskutim të drejtë, sepse marrëveshjet bëhen të qëndrueshme kur secila palë të marrë atë që i takon.”

Në vijim Gjiknuri tha se institucioni që ai drejton po punon për një reformë të thellë hidrokarbure. “Qoftë me AKBN që është autoriteti përkatës, duke bërë një organizim të ri dhe duke patur një menaxhim më të mirë të burimeve aty, sepse në fund të fundit gjithçka fillon nga burimet njerëzore, dhe duhet të kemi kapacitete më të mira për të monitoruar kontratat hidrokarbure. Shumë shpejt do të krijojmë edhe Institutin e Naftës dhe të Gazit dhe ky do të jetë një institut shumë teknik, pasi mund të kemi shumë të dhëna të naftës që janë të përpunuara keq. Element me rëndësi është edhe elementi mjedisor, që shpesh here ne nuk i kushtojmë rëndësi. Fatkeqësisht industria e naftës ka edhe ndotje mjedisore, dhe këto janë elementë që ne na kanë munguar në monitorimin e kontratave tona.”- theksoi ministri Gjiknuri.

Në përfundim Gjiknuri u ndal në kompaninë e vetme shtetërore të naftës dhe gazit në vend, Albpetrol, për të cilën tha se së shpejti do i nënshtrohet një procesi risktrukturimi. “Albpetroli do të reduktohet. Shumë asete që ka Albpetroli do t’i jepen investitorëve të huaj ato që kanë mbetur, dhe Albpetroli pjesa tjetër e punonjësve do të trajtohen për një periudhë tranzitore me pagesë, por ne nuk mund të  mbajmë më një kompani e cila thjesht konsumon të ardhura që vijnë nga nafta dhe që praktikisht nuk sjellin ndonjë gjë të madhe  për publikun shqiptar”, – përfundoi ministri Gjiknuri.