Kanceri i gjirit – parandalimi dhe trajtimi mjeksor

Patologjia e kancerit të gjirit, për shtrirje dhe vdekshmëri, është në vendin e parë midis tumoreve malinjë që prekin seksin femëror. Megjithëse Europa nuk konsiderohet si zona ku ky lloj tumori ka shtrirjen më të madhe (Amerika e Veriut qëndron në vendin e parë), prapseprapë, incidenza është tepër e lartë: 300.000 gra sëmuren çdo vit nga kjo patologji në vendet e BE-së të marrë sëbashku.

Në Shqipëri, statistika e kësaj sëmundjeje flet për rreth 500 raste të rinj çdo vit, shifër kjo tejet shqetësuese në raport me popullsinë femërore të vendit! Karakteristikat e shprehjes së këtij lloj tumori në popullsinë femërore të vendin janë të ngjashme me ato të vendeve të tjerë europianë: raste të rrallë ndër gratë nën 30 vjeç, statistika pëson një rritje vertikale kur u referohet grave nga 40 deri në 50 vjeç, arrin kulmin në kategorinë e grave që gjenden në harkun diku pak para menopauzës e menjëherë pas saj si dhe dhe fillon e bie në grupin e grave që e kanë kaluar këtë periudhë me kohë.

Vijimësia gjenetike e kësaj sëmundjeje është një faktor i njohur. Kjo nuk do të thotë aspak se cilado grua ka familjaritet të ngushtë me kancerin e gjirit do të bjerë patjetër edhe ajo prehë e kësaj sëmundjeje. Trashëgimia e sëmundjes është e lidhur me shprehjen e dy proteinave onkogjene, BCRA1 dhe BCRA2 të cilat gjenden në cromozomën 3 e në atë 17. Statistikisht 5-10 për qind e rasteve kanë si shkak trashëgiminë gjenetike të sëmundjes.

Diagnoza e patologjisë së kancerit të gjirit bëhet normalisht nga mjekët specialistë të cilët, gjatë trajtimeve periodikë të pacienteve të tyre i ndajnë ato në gra me faktorë rreziku dhe gra pa faktorë rreziku. Si në njerën, ashtu edhe në tjetrën kategori observimi i parë është ai i gjendjes simptomatike apo josimptomatike të shprehjes së patologjisë. Në shumë raste pacientja nuk ka asnjë sinmptomë të caktuar dhe tumori i diagnostikohet gjatë një kontrolli ekografik rutinë. Në raste të tjerë shkohet pikërisht tek mjeku specialist pasi janë vërejtur e ndjerë ndryshime në profilin e gjirit dhe në gjendjen sekretive të tij.

Në një qasje të parë bëhet klasifikimi radiologjik dhe më pas ai bioptik i kancerit. Nga pikpamja diagnostike, tumori i gjirit klasifikohet sipas kriterit klinik BI-RADS i cili varion brenda një shkalle të prestabilizuar nga 1 deri tek 5-a. normalisht, për shkallën fillestare të shprehjes tumorale nuk është e nevojshme të kryhet biopsia, ndërsa është e preferueshme të kryhet menjëherë ndërhyrja kirurgjikale me anë të së cilës hiqet masa e indeve të tumorizuar duke i çrrënjosur en bloc ato sa më mirë të jetë e mundur nga sipërfaqja e kontaktit me indet në të cilat tumori është instaluar. Biopsia është e udhës të praktikohet në lezionet e thella të gjirit apo në ato që janë të vështira për t’i fokusuar e arritur nëpërmjet ekzaminimeve radiologjikë.

Të dhëna më të fundit vërtetojnë se ngacmimi i tepërt me ago, bisturi apo nëpërmjet instrumentëve të tjerë kirurgjikalë apo radiologjikë rrit aftësinë riparuese të vetë tumorit dhe stimulon faktorët proliferativë të tij, indukton angjiogjenezën dhe mundësitë e metastazizimit.

Para ndërhyrjes kirurgjikale do të ishte e udhës që pacientja e prekur nga kjo sëmundje t’i nënshtrohet disa ekzaminimeve klinike, të domosdoshme për ndërtimin e një strategjie terapeutike afatgjatë dhe efikase. Ndër to, vendin kryesor e zënë ai i tomografisë së kompjuterizuar, tomografia kranike edhe në mungesë të plotë simptomash dhe studimi morfofunksional i indeve të butë dhe atyre muskoloskelektrikë. Po ashtu edhe analiza eparametrave që konsiderohen markers tumoralë është shumë e rëmdësishme.

Në çrrënjosjen kirurgjikale të tumorit të gjirit merret gjithnjë në konsideratë prania apo jo e pozitivitetit për linfonodin e quajtur “sentinella”. Në rast pozitiviteti, kirurgu vlerëson, në bazë të arritjeve më të mira të kirurgjisë në këtë fushë, për një ndërhyrje të pjesshme në indet e gjirit apo për një ndërhyrje më substanciale apo radikale.

Pavarësisht zgjedhjes kirurgjike, ajo që përcakton fatin e mëtejshëm të pacientes së prekur nga kjo sëmundje është pikërisht analiza histoimunokimike e lezionit tumoral dhe e linfonodeve të marrë në ekzaminim. Studimi i vëmendshëm i të dy këto indeve ka nxjerrë në pah jo rallëherë diferenca të dukshme për një qasje terapeutike sipas strategjisë së një blloku shumëreceptorial. Kjo do të thotë se studimi histoimunokimik duhet të evidentojë të gjithë tipet e receptorëve të pranishëm, si në indet e gjirit, ashtu edhe në ato të linfonoduleve të marrë si repertë gjatë ndërhyrjesd kirurgjikale të kuadrant apo mastektomisë. Kjo si për të evidentuar kuotën somatike, ashtu edhe për atë të neoangjiogjenezës në funksion të të cilave do të përcaktohet më vonë edhe algoritmi i duhur terapeutik.

 

Cilët janë faktorët e njohur që shkaktojnë tumorin e gjirit?

Studime të ndryshme shkencorë kanë konstatuar se në gratë që janë mbajtëse të një tjetërsimi të genit BRCA1 rreziku i të prekurit nga kanceri i gjirit është rreth 87%, përkundrejt jo më shumë se 10 % që vërehet se është sëmundshmëria ndër gratë që kanë familjaritet me këtë sëmundje.

Rreziku i kësaj kategorie të fundit rritet nëse në familje ka patur më shumë se një person me këtë lloj kanceri.

Mungesa e shtatzanisë apo shtatzania e parë e arritur në një moshë relativisht të madhe, mbi të tridhjetat, shton disi faktorët e rrezikut. Shtatzania në moshë të re, rreth të njëzetave, ul ndjeshëm rrezikun e të sëmururit nga kanceri i gjirit. Po ashtu, menarkia e parakoshme apo menopauza e vonuar konsiderohen faktorë të rritur të rrezikut. Dhënia e gjirit të porsalindurve është gjithashtu një tregues i rëndësishëm: gratë që nuk mbajnë fiziologjikisht në gji të porsalindurit e tyre kanë inçidenzë më të lartë të kancerit të gjirit në krahësim me gratë që vazhdojnë dhënien e gjirit për një kohë relativisht të gjatë.

Ushqimi është gjithashtu një ndër faktorët e rëndësishëm në etiologjinë e sëmundjes.

Dieta e bazuar në përdorimin e përditshëm të brumrave me miell të rafinuar, të bardhë dhe nw pwrdorimin e yndyrnave me origjinë shtazore është ajo që rrit më shumë faktorët e rrezikut. Obeziteti, sidomos ai i shprehur në moshën e menopauzës, është një faktor i padiskutueshëm rreziku: indet adipozë prodhojnë vazhdimisht estrogjene të cilët, nga ana e tyre, stimulojnë receptorët përkatës të gjendrës të gjirit.

Përdorimi për një kohë të gjatë i kontraceptivëve është po ashtu një rrezik potencial për t’u prekur nga kjo sëmundje.

Më së fundi, por jo për nga rëndësia, mjedisi. Prania e pollucionit të tepruar, e benzeneve që çlirojnë mjetet automobilistikë, impiantet industrialë, infiltrimi i pesticideve me të cilët trajtohen frutat dhe perimet, ngarkesat e radiacioneve të ndryshëm (midis të cilave edhe të atyre diagnostikë apo kuruesë si radioterapitë e tiroides apo të linfomave), të disa parasitëve, metaleve të rëndë të pranishëm në ujë, në ushqimet e ndryshme, të disa substancave kimike të përdoruira në kozmetikë, si parabenet, etj., nuk bën gjë tjetër veçse shton rrezikun e të sëmururit nga tumori i gjirit.

Mjekimi i kancerit të gjirit bëhet ekskluzivisht pranë strukturave publike dhe private të autorizuara. Ai nuk është e nuk mund të jetë kompetencë e asnjë figure tjetër as brendapërbrenda sistemit sanitar e ca më pak jashtë këtij sistemi.

Trajtimi parashikon aplikimin e protokolleve të standartizuar dhe të kolauduar në shumë klinika të botës.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, strategjia terapeutike përcaktohet nga specialisti në onkologjinë mjeksore sipas të dhënave të stadimittë sëmundjes (TNM). Sipas të dhënave klinike që paraqet pacientja, zgjidhja terapeutike bëhet mbi bazën e algoritmeve të monokimioterapisë, asaj të polikimioterapisë, terapisë antireceptoriale, hormonoterapisë, terapisë me target molekular.

Sofistikimi i teknikave të radioterapisë po hap perspektiva të reja për rritjen e rolit terapeutik të saj në kurimin e kësaj sëmundjeje dhe të lezioneve në distancë, në inde e organe të tjerë ku ajo mund të ketë proliferuar.

Përsa mund të jenë sofistikuar ndërkohë qasjet terapeutike farmakologjike apo radiologjike, kirurgjia mbetet gjithsesi zgjidhja radikale e kancerit të gjirit.

Riparaqitja apo përhapja në distancë e kancerit të gjirit përcakton edhe ineksin e mbijetesës dhe cilësinë e jetës së pacientes që e vuan atë. Në shumë raste, kjo sëmundje është rezistente ndaj trajtimeve kimioterapeutike dhe trajtimeve të tjerë radiofarmakologjike. Kjo për shkak se qeliza staminale kanceroze e gjirit paraqet një gjenicitet tumoral të lartë, si karakteristikë biologjike bazë e saj. Duke ui bazuar në të dhenat statistikore, në komunitetin mjeksor e atë kërkimor-shkencor, është gjithnjë e më i bashkëndarë opinioni sipas të cilit kimioterapia rezulton efikase në reduktimin e vëllimit të indeve tumoralë: të tjera terapi ndihmojnë kronicizimin, për një farë kohe, të sëmundjes. Protokolle terapeutikë më kompleksë mund të rrisin efikasitetin dhe shërueshmërinë.

Për këtë është e nevojshme që të rivlerësohet domosdoshmëria e hetimit të sa më shumë receptorëve në indet tumoralë dhe në ata linfonoidalë, jo më duke u limituar në hetimin e receptorëve Er/PgR/Her2, por duke u zgjeruar edhe në hetimin e receptorëve EGFR/Her1, IGFR, CD117/cKIT përsa i përket kuotës qelizore somatike e në VEGFR, PDGFR, bFGFR përsa i përket kuotës neoangjiogjenetike. Kjo do të sillte rritjen e rrezes së aksionit terapeutik edhe nëpërmjet përdorimit të molekulave të tjera jo domosdoshmërisht vetëm kimioterapeutike.

Qëllimi i arritjes së sinergjive terapeutike të tilla është induktimi i qelizës kanceroze staminale drejt apoptozës(vdekjes së programuar).

Aktualisht janë në studim e sipër molekula me një aksion të tillë selektiv ndaj qelizës staminale kanceroze, si Sunitinib (e cila reagon ndaj c-Kit), medikamentet demetiluesë, inibitorët e prolatinës etj, të cilat veprojnë ndaj disfunksioneve qelizore te evidencuar.

Qëllimi i fundmë multiterapisë së integruar nuk mbetet gjë tjetër veçse remisioni biologjik dhe jo vetëm ai klinik i sëmundjes kanceroze të gjirit.

“Impakt.al”