Kanceri i gjirit – MSHMS: Paketë e re radioterapie, trajtim falas në spitalet publike dhe jopublike, dyfishuam rimbursimet

 

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në mbledhjen e Komisionit të Shëndetësë dhe Çështjeve Sociale në Kuvend, foli për masat e marra përsa i përket luftës ndaj kësaj sëmundjeje.

“Ne e gjetëm QSUT me një aparaturë të vjetër kobalti, e cila më shumë nuk punonte sesa trajtonte pacientët. Sot kemi shënuar sukses të dukshëm, me kalimin e ofrimit të shërbimit të radioterapisë nga rrezatimi me kobalt, në trajtimin të preçizuar me 2 akseleratorë linearë”, tha Manastirliu.

Në lidhje me sa është bërë në katër vitet e fundit, ka thënë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, “Në vitin 2013, ne e gjetëm rimbursimin e diagnozës së kancerit të gjirit në nivelin e 71 milion lekëve, ndërsa sot, kjo shifër është dyfishuar. Janë 139 milion lekë rimbursim, ndërkohë që barnat Antineoplazike dhe Imunosupresore, vetëm nga skema e rimbursimit financohen me 1.2 miliard lekë. Një skemë, nga e cila përfitojnë 3349 pacientë në vit”.

Sipas ministres, “Është prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë trajtimi i semundjeve tumoriale dhe kryesisht i kancerit të gjirit ku vetëm sasia ‘Herceptinës’ – e cila përdoret për trajtimin e kancerit të gjirit dhe rrit mbijetesen e grave të prekura – është rritur me 4 herë, në krahasim me 2013”.

Manastirliu është përgjigjur në komision, edhe në lidhje me atë që pritet të bëjë qeveria shqiptare vitin e ardhshëm, për trajtimin e këtyre sëmundjeve.

“Në lidhje me paisjet mjekësore, brenda 2018 do të investojmë në ofrimin e 5 mamografëve të rinj në spitalet Rajonale Durrës, Gjirokastër, Kukës, Vlorë dhe Dibrës. Po kështu, shumë shpejt, brenda nëntorit presim akseleratorin e dytë linear, pranë Njësisë së Radioterapisë në Shërbimin Onkologjik në QSUT”.

“Ne aktualisht po hartojmë për herë të parë paketën e radioterapisë, duke zgjeruar edhe më shumë përfituesit dhe duke minimizuar rradhët për të sëmurët me kancer, me ofrimin e trajtimit radioterapeutik falas në spitalet publike dhe jopublike”, ka thënë Manastirliu para deputetëve të Komisionit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri një apel për të gjitha gratë, për të kryer ekzaminimin e gjirit, për t’u diagnostikuar hershshëm, pasi në këtë mënyrë, mundësitë e mbijetesës janë shumë të mëdha.