Kadri Veseli rizgjidhet kryetar i parlamentit të Kosovës

Parlamenti i Kosovës, zgjodhi me 62 vota për dhe 52 kundër kryetarin e parlamentit, duke përmbyllur seancën konstituive e cila filloi më 3 gusht, por u zgjat për shkak të mungesës së votave të koalicionit fitues të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën.

Në emër të koalicionit PAN si fitues i zgjedhjeve, propozimin për kryetar të Kuvendit e paraqiti deputeti, Enver Hoxhaj.

Me këtë rast, në emër të këtij koalicioni, ai propozoi që Kadri Veseli, lider i Partisë Demokratike të Kosovës, të rizgjidhet kryetar i Kuvendit.

Ky propozim u hodh në votim, ndërkaq, kryesuesi konstatoi se Kadri Veseli, me shumicë votash është rizgjedhur kryetar i Kuvendit.

Është vijuar më pas me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve të Kuvendit.

Nga koalicioni PAN është propozuar deputeti Xhavit Haliti, nga VV-ja Aida Dërguti dhe nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala.

Gjatë procesit të votimit, u konstatua po ashtu se të propozuarit morën votat e mjaftueshme për të qenë nënkryetarë të Kuvendit.

Me shumicë votash Kuvendi zgjodhi edhe një nënkryetar nga komuniteti jo shumicë, si dhe një nënkryetar nga Grupi Parlamentar i Listës Serbe. Përfaqësuesit e këtyre komuniteteve për nënkryetarë të Kuvendit u zgjodhën: Myfera Shinik dhe Sllavko Simiq.

Pas kësaj, deputetëve u është drejtuar kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili ndër të tjera tha: “Së bashku mund dhe duhet ta kthejmë Kuvendin e Kosovës nga vend inatesh personale në vend bashkëpunimi; nga shesh akuzash në forum idesh e ligjesh për zhvillimin e vendit. Nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të orientohemi në çështje të interesit strategjik të vendit, forcimin e shtetit, rikthimin e madh të besimit qytetar në institucione dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarit tonë”. Në vijim, kreu i legjislativit nënvizoi:” Konsensusi është i mundur dhe i domosdoshëm sepse qëllimi që na bashkon është fuqizimi i shtetit të Kosovës. Ne duhet ta bëjmë këtë. Jemi të obliguar ta bëjmë. Për hir të qytetarëve të vendit tonë, të fëmijëve tanë dhe kombit tonë. Na priftë e mbara”, tha në fund të fjalës së tij kryeparlamentari, Veseli.