Jared Kushner – mishërim i vizionit fitues

Deri në momentin e hyrjes në politikë, në mes të fushatës elektorale të Donald Trump, dhëndëri i talentuar i tij, Jared Kushner as që e kish menduar kurrë se jeta e tij do të merrte një kthesë të tillë.

Ishte Nëntor i 2015-tës.  Në bordin e Boeing 575,  gjatë  një prej  udhëtimeve të parë të kthimit nga një takim i Donald Trump me zgjedhësit e tij të ardhshëm, këtë rradhë nga Ilinois, i impresionuar nga impakti dhe jehona e mesazhit të vjerrit të tij, Kushner reflektoi thellë se si mund të bënte që i njëjti mesazh të arrinte në mënyrë të personalizuar në shtresat më të thella të shoqërisë. Nuk mjaftonte vetëm sulmi i drejtpërdrejtë dhe pa “ulje çmimi” ndaj kandidates Clinton. Kjo ishte njëra anë, madje ndoshta me disa efekte boomerang ndaj kandidatit Trump për President. Duhej ndërtuar një skemë me anë të së cilës të përdoreshin në mënyrë më inteligjente se deri në atë moment rrjetet sociale. Menjëherë më pas ai vetë ndërtoi një program kompjuterik të posaçëm për këtë qëllim. Kishte arritur të bënte një karrierë brilante imobiliare gjer në atë moment, megjithë moshën e re; ishte pronari i të përjavshmes The New York Observer, por gjithsesi nuk ishte marrë ndonjëherë mirëfilli me politikë.

Aksioni i Jared Kushnerit theu menjëherë skemën e deriatëhershme të aplikuar nga stafi i madh i Trump. Suksesi i këtij modeli inovator komunikimi doli që në fillim i garantuar. Ishte impresionant numri i njerëzve që i përgjigjeshin personalisht mesazheve në rrjetet sociale të cilët Jared Kushner i dërgonte nëpërmjet headquarter-it  “sekret” të tij në Teksas. Nuk kish menduar asnjëherë se ndër njerëzit e thjeshtë, punëtorët, shtëpiaket, pensionistët, do të kishte akumuluar kaq shumë deluzion për qeverisjen dhe politikat e Obamës e të Clinton. Familja e tij kishte mbështetur historikisht kandidatët demokratë gjatë fushatave të zgjedhjeve, por mënyra se si po shkonin gjërat në vitet e fundit i kishte shtyrë të ndërronin mendjen. Për këtë arësye, por edhe për vetë faktin se Jared ishte i martuar me vajzën e madhe të Donald Trump, Ivankën, me të cilën kishte tashmë tre fëmijë, ishte pjesë e pandashme e familjes, e bënë atë t’i dedikohej tërësisht fushatës së Republikanëve të kryesuar nga vjerri i tij Donald Trump.

Nga një vëzhgues dhe ndihmës në hije, Jared Kushner mori menjëherë në dorë gjithë fushatën elektorale. Mbi të gjitha komunikimin me zgjedhësit dhe financat. “Donald e ka përsëritur shumë herë se nuk do të donte që të pasurohej kurrkush me këtë fushatë dhe kërkonte të ishte i sigurtë se do të shpenzonim çdo dollar ashtu siç do të bënim në sipërmarrjet tona” dhe ai kështu bëri. Por ai nuk kurseu aspak shpërblimin për qindra operatorë të cilëve u ngarkoi të merreshin vazhdimisht me rrjetet sociale dhe marketingun. Nuk ishte e thjeshtë. Shumë prej tyre, të lidhur me Republikanët, ndjenin se peshonte shumë gjatë fushatës sensi i kundërshtisë së shumë prej republikanëve të njohur ndaj Donald Trump. Por falë Jared Kushnerit, marrëdhëniet filluan të shkrihen me shumicën e kundërshtarëve brenda partisë dhe fushata filloi të bëhet më kompakte e më e njëzëshme.

Në planin komunikativ, suksesi ishte gjithashtu i jashtëzakonshëm. U arrit të shiteshin deri edhe 80 mijë objekte gaxhet, si kapele, bluza, aksesorë të shumtë me portretin dhe sloganet e Trump, në të gjithë Amerikën. Kjo teknikë komunikimi, përveçse solli të ardhura të konsiderueshme për fushatën, rriti njëkohësisht në mënyre eksponenciale numrin e “manifesteve elektoralë njerëzorë”.

Me Kushner në krye të një stafi strategjik komunikimi e marketingu, gjithçka mori dimensione të mëdha, duke optimizuar gjithnjë shpenzimet.  Nuk nevojitej më një fushatë pompoze në kanalet më të zëshëm radio televizivë e në mediat më të njohura. Facebook dhe Twitter rezultonin më efikasë për mbërritjen e mesazhit dhe për të observuar se cili ishte feedback-u nga ana e elektorëve.

“Kemi provuar të punojmë shumë me ekonomi e me shumë shpejtësi. Kjo do të thotë që të marrësh vendime të shpejtë, të ndreqësh menjëherë atë çka nuk funksionon dhe të përqëndrohesh menjëherë në atë që përkundrazi, funksionon”.

Kjo solli që Kushner të bëjë të mundur mbërritjen e mesazhit të Trump edhe në shtetet ku tradicionalisht kanë fituar demokratët dhe ku Hillary Clinton dukej sikur kishte mbështetjen më të sigurtë.

“Jared Kushner ishte surpriza më e madhe e kësaj fushate” pranoi, në përfundim të fushatës, ish administratori delegat i Google, Eric Schmidt i cili vazhdon se ai (Kushner) “ka kuptuar botën e on-line më mirë se mediat tradicionale, ka udhëhequr një fushatë elektorale pa shumë resurse, duke përdorur një sistem teknologjik të ri dhe, mbi të gjitha, ai ka fituar”.

Sot Kushner është Senior Advisor i Presidentit Trump, një pozicion i synuar nga shumë politikanë karriere në SHBA. Aftësitë e tij, të harmonizuara me karakterin e tij të rezervuar, të qetë, refleksiv, komprensiv dhe me ambicjen legjitime për të dhënë një model të ri qeverisjeje e komunikimi, janë cilësi që ia vlerësojnë përgjithësisht të gjithë, aleatë dhe kundërshtarë.

Askush nuk mund të vërë bast, por duke parë realizimet dhe kualitetet, shumëkush mund ta imagjinojë se brenda këtij 36 vjeçari elegant aq sa edhe autentik në mënyrën e të konceptuarit të politikës pulson politikani i ardhshëm, vizionari i i Amerikës të së ardhmes.