Izraeli dhe SHBA tërhiqen nga UNESCO

Izraeli njoftoi tërheqjen nga UNESCO ashtu si dhe SHBA për shkak të pozicionimeve anti-izraeliane.

“Kryeministri Benjamin Netanyahu i ka dhënë instruksione Ministrisë së Punëve të Jashtme të përgatisë tërheqjen e Izraelit nga UNESCO, paralelisht me SHBA-në”, thuhet sipas zyrës së kryeministrit izraelian.

“UNESCO është bërë teatër i absurdit ku deformohet historia në vend që të ruhet”, deklaroi Netanyahu.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu lavdëroi vendimin e SHBA-ve, duke e quajtur “të guximshëm dhe të moralshëm”, thuhet në deklaratën e lëshuar prej tij.

Agjencia është e njohur për përcaktimin e siteve të Trashëgimisë Botërore, siç janë Palmira e Sirisë dhe Kanioni i Madh në Shtetet e Bashkuara.

Tërheqja e SHBA-ve do të bëhet efektive në fund të dhjetorit të vitit 2018, por deri atëherë, Amerika do të mbetet anëtare me të drejta të plota. Shtetet e Bashkuara do të ngrejnë një mision mbikëqyrës në organizatën me seli në Paris, për të zëvendësuar kështu përfaqësimin, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Përveçse e akuzoi UNESCO-n për qëndrime antiizraelite, DASH tha gjithashtu se është i shqetësuar për rritjen e vonesave financiare në agjenci, duke kërkuar reformimin e saj. Vendimi vjen pas një sërë vendimesh të UNESCO-s, që kanë shkaktuar kritika të forta nga SHBA dhe Izraeli.