ISSH: Tani pensionet edhe në banka

Instituti i Sigurimeve Shoqërore njoftoi se ka arritur marrëveshje të veçanta me shtatë banka të nivelit të dytë për t’iu ofruar dhënien e pensionit pensionistëve shqiptarë.

“Për Institutin e Sigurimeve Shoqërore, shërbimi cilësor ndaj qytetarëve është objektivi më i rëndësishëm, prandaj duam të eleminojë burokracitë dhe radhët e panevojshme. Një nga këto shërbime është edhe pagesa e pensioneve në banka, e cila e ndërthurur edhe me sistemet informatike i mundëson qytetarëve që të marrin përfitime të drejta, në kohën e duhur” thuhet në njoftim.

Sipas këtij instituti pensionistët do ta marrin pensionin në bankë pas asnjë komision sikurse ka ndodhur deri tani me shërbimin e ofruar nga Posta Shqiptare.

Shërbimi i kësaj poste ka afro dy dekada që ju ofrohet pensionistëve shqiptarë në të katër anët e vendit. Ai erdhi në një kohë të vështirë për Shqipërinë, mungesës së sitemit bankar në të gjithë vendin dhe veçanërisht pas trazirave të dhunshme të vitit 1997. Në atë kohë makinat e bankave që transportonin para, mes tyre dhe fondet e pensioneve, ishin në shënjestër të bandave të armatosura dhe jo pak herë u bënë pre e tyre. Duke marrë përsipër këtë shërbim Posta Shqiptare në vite kreu me sukses një detyrë mjaftë të vështirë.

Por zhvillimi ekonomik i vendit, formalizimi i ekonomisë kërkoi hedhjen e një hapi të ri. Tani pensionistëve shqiptarë do t’u lëvrohen pensionet në bankat që ata dëshërojnë prej ku ata do të vendosin se kur do t’i tërheqin. Sipas statistikave janë rreth 580 mijë pensionistë në të gjithë vendin, ndërsa fondi i pensioneve është rreth 100 milionë dollarë në vit.