Intervistë me Artan Markun/ Kur fantazia bredh në horizonte të panjohura

 Arti-Tregu. Dy fusha të veprimtarisë njerëzore që nuk përputhen gjëkundi me njëra-tjetrën. Megjithatë, kjo përplasje është normale, është një përplasje midis botës fizike dhe asaj shpirtërore. Ku pavarësisht betejave që fiton e para, në fund, triumfi është padiskutim për të dytën…” Kështu e komenton gjatë një interviste të posaçme për “Impakt”, piktori i njohur Artan Marku, çështjen e komercializmit të artit, i cili po shfaqet dukshëm edhe në vendin tonë. Ndërsa në lidhje emigrantët artistë, ai shprehet se “artisti është artist kudo që të jetë”.

“Artisti gjithmonë ngelet një emigrant edhe pa lëvizur kurrë nga vendi i tij. Emigrimi në art është një fenomen i përjetshëm, fantazia jonë mund të bredhë nëpër universe të panjohura më parë duke sfiduar të gjitha pengesat fizike: kohën, gravitetin, distancën. Ne mund të eksplorojmë shpirtrat njerëzorë duke hyrë nëpër labirinthe që mjekësia as i përfytyron. Kur ne bëjmë art, një pjesë e shpirtit tonë emigron ndër shpirtrat e njerëzve të tjerë duke i influencuar ata emocionalisht, shpeshherë më shumë edhe se vetë feja. E pra, i gjithë ky, nuk mund të quhet ndryshe veçse një proces migrator i përjetshëm, kështu që emigranti artist ose artisti emigrant nuk është një lloj i veçantë, ai nuk është përjashtimi, por rregulli”, thotë ai për “Impakt” …

 

 

Z. Artan, a mund të bëni me dije për publikun, se cili është “shqetësimi” juaj i fundit artistik? Me se po merreni realisht?

– Faleminderit për këtë mundësi komunikimi që më krijoni me publikun. Përsa i përket shqetësimit tim të radhës, ai është kryekëput artistik. Aktualisht, jam duke punuar për realizimin e një ekspozite tjetër personale, e cila do të jetë e përmasave të tjera dhe vetëm në skulpturë, kështu që dhe puna e kësaj radhe është shumë më voluminoze. Vërtet kjo është një periudhë pushimesh, por besoj  kaq ‘’sakrificë” për krijimtarinë duhet bërë.

 

Ç’do të thotë të jesh artist në kohët e sotme? Mund të thuhet se je një artist “me kohë të plotë” apo ju dhe të tjerë, jeni thjesht robër të pasionit për artin?

– Nëse unë do të jepja një përkufizim të plotë të përgjigjes, mbase do t’i largohesha shumë pyetjes. Por për mendimin tim, çdo tentativë e të bërit art, kur ka sinqeritet dhe dashuri brenda saj, të bën edhe artist. Këto në fakt, nuk ka të bëjë koha e plotë e marrjes apo jo me tentativën, sepse në përgjithësi njeriu dhe aq më tepër artisti, ka interesa të gjera në jetë dhe ai, duhet të ketë një personalitet shumëplanësh për ta përdorur atë si armë për të operuar në humnerat e shpirtit njerezor, ku edhe e ka për detyrë të qëmtojë dhe gërmojë, e me mineralin e gjetur, të krijojë të bukurën artistike dhe emocionale.

 

Ju keni patur një kalvar interesant, si jetësor, ashtu edhe artistik. Sa ka ndihmuar apo penguar kjo në krijimtarinë tuaj?

– Për mua, pengesat kanë qenë të kapërcyeshme, dhe sipas një fjale të vjetër greke “ajo që s’më vret, më bën më të fortë”. Gjithashtu, besoj se e ka ndihmuar krijimtarinë time edhe nga pikëpamja e eksperiencës jetesore dhe emocionale, siç edhe më ka penguar në aspektin kohor dhe në energjinë e humbur.

 

A ekziston lloji “emigrant-artist”, apo artisti është artist kudo që të jetë?

– Padyshim, që artisti është artist kudo që të jetë dhe këtu më duhet të sqaroj që nuk hyn suksesi apo mos-suksesi komercial artistik. Artisti gjithmonë ngelet një emigrant edhe pa lëvizur kurrë nga vendi i tij. Emigrimi në art është një fenomen i përjetshëm, fantazia jonë mund të bredhë nëpër universe të panjohura më parë duke sfiduar të gjitha pengesat fizike: kohën, gravitetin, distancën. Ne mund të eksplorojmë shpirtrat njerëzorë duke hyrë nëpër labirinthe që mjekësia as i përfytyron. Kur ne bëjmë art, një pjesë e shpirtit tonë emigron ndër shpirtrat e njerëzve të tjerë duke i influencuar ata emocionalisht, shpeshherë më shumë edhe se vetë feja. E pra, i gjithë ky, nuk mund të quhet ndryshe veçse një proces migrator i përjetshëm, kështu që emigranti artist ose artisti emigrant nuk është një lloj i veçantë, ai nuk është përjashtimi, por rregulli.

 

Si e ndjeni perballjen me realitetin shqiptar në konceptimin artistik?

– Realiteti shqipetar ka brenda tij anët e ndriçuara dhe të errëta .Ai s’mund të jetë një univers paralel pa pika kontakti me pjesën tjetër të botës, ashtu dhe unë i prek të dyja këto pjesë, të ndirçuarën dhe të errëtën. Në pjesën e ndriçuar, unë kam familjen, sidomos vajzën time të cilën e dua shumë, gjë kjo në fakt e cila për shumicën e prindërve nuk përbën lajm. Në këtë pjesë, unë kontaktoj me miqtë e shumtë si artistë dhe njerëz të afërt ose shokë që operojnë në fusha nga më të ndryshmet të shoqërisë sonë. Marr pjesë në veprimtari të ndryshme artistike, bëj punën time si mësues në shkollën e mesme artistike “Jakox Xoxa’’ në Fier, lexoj, merrem me politikë, me peshkim, i cili është një hobi i kahershëm i imi, udhëtoj në vende që s’i kam parë më parë dhe patjetër, më kryesorja: krijoj. Pikërisht, që këtu, fillon edhe kontakti fillestar me pjesën tjetër të botës, atë të errëtën…qoftë si përjetime njerëzore me fenomene të ndryshme të shoqërisë sonë, ashtu dhe si shqetësime artistike. Nuk është patjetër e thënë të jesh pjesë e kësaj ane të errët për ta kuptuar dhe përshkruar atë ashtu, sikundër edhe është detyrim moral apo artistik për ta ndriçuar atë. Në këtë realitet unë do veçoja marrëdhëniet e mia më miqtë e mi artistë dhe intelektualë, si përshembull me mikun tim, piktorin e njohur, Helidon Haliti, me të cilin të vetmet “sherre” janë ato artistike ose me mikun tim “ekonomist” dhe politikan, Altin Kristo. Gjithashtu, një pjesë të veçantë të jetës sime e zënë dhe marrëdhëniet e mia me politikanin e njohur dhe kurajoz, Dritan Prifti. Ky është një “ndriçim” që i bëj unë anës me dritë të jetës sime, pjesa tjetër le të ndriçohet nëpërmjet artit tim.

 

Ju keni organizuar së fundmi një ekspozitë me skulptura me figura paksa të deformuara e disi grotekse. Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni me to?

– Nuk mund të them me saktësi ç’kam dashur të shpreh. Mbase shpirti im ka pasqyruar emocionalisht një pjesë të realitetit tonë, i cili në shumë aspekte ka deformime deri në të frikshme si dhe herë-herë groteske. Duke u bashkuar, këta elementë, mbase zbusin njëri-tjetrin dhe na bëjnë të reflektojmë sadopak. Edhe titulli i ekspozitës, ishte “Tolerancë”.

 

Arti dhe tregu, si shkojnë me njëra-tjetrën dhe ku mendoni se është defekti i punëve të sotme, të cilat duket se nuk gjejnë hapësirë shpalosëse.

– Temë e gjatë. Arti-Tregu. Dy fusha të veprimtarisë njerëzore që nuk përputhen gjëkundi me njëra-tjetrën. Këtë që them, ma vërteton historia sepse qysh herët, arti është nje fenomen paratregtar. Tregu nga vetë fjala, tregton mallra, ndërsa arti nuk është një i tillë sado të përpiqesh ta trajtosh kështu. Megjithatë, kjo përplasje është normale, është një përplasje midis botës fizike dhe asaj shpirtërore, një përplasje që pavarësisht betejave që fiton e para, në fund, triumfi është padiskutim për të dytën. Kjo përplasje, padyshim që do të ketë të njëjtin përfundim në hapësirën fizike të vendit tonë. Unë do të marr si shembull çështjen e prishjes së kishave dhe xhamive në kohën e komunizmit ku pavarësisht ekzisencës fizike si institucione, ato u rikthyen triumfatore në fund.

 

Në çfarë raporti ndodhet arti ynë figurativ në raport me artin e huaj. Çfarë ka ndryshuar në këto 20 vite?

– Raporti i artit tonë figurativ me atë të huajin, sot është një raport i padrejtë nga pikëpamja komerciale. Sot tek ne, arti figurativ i çliruar tashmë nga vargonjtë e socializmit, ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Kjo ndihet në të gjithë veprimtarinë artistike të vendit, si në emrat e artistëve të rinj dhe krijimtarinë e tyre, ashtu dhe në emrat e autorëve të mëhershëm që themeluan traditën e shkollës shqiptare. Raporti është i padrejtë, sepse shoqëria jonë dhe institucionet e saj drejtuese nuk e kanë kuptuar ende që arti nuk mund të trajtohet si një mall i zakonshëm tregu, por se ai do një perkujdesje të veçantë siç përkujdeset prindi ndaj fëmijës së tij, që ai të jetë i shëndetshëm shpirtërisht. Një vend me art dhe kulturë të zhvilluar, padiskutim që është i imunizuar nga shumë sëmundje sociale të cilat e shqetësojnë botën e sotme moderne dhe aq më tepër shoqërinë tonë. Sa më herët ta kuptojmë rëndësinë e kësaj përkujdesje, aq më mirë do të jetë për ne të gjithë dhe do të na bëjë neve në raport me të tjerët, që të kemi më tepër respekt për veten, historinë dhe vendin tonë, gjë që të cilën artistët tanë tashmë e kanë bërë në mënyrë individuale. Unë jam shumë optimist për të ardhmen sepse tradita e shkollës sonë është një traditë pozitive dhe unë shoh rreth vetes me qindra të rinj, të cilët kanë një talent të lindur që thjesht duhet përpunuar.

 

“impakt.al”