Hashashi/ Basha përgëzon Krimet e Rënda dhe SHISH: Arrestoni kokat politike. Zgjidhja, qeveri antimafia

 

Kryetari i PD Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat mbi ngjarjet e zhvilluara ditët e fundit në sajë të trafikimit të drogës drejt Italisë, përgëzoi strukturat ligjzbatuese dhe partnerët e huaj për rezultatet e arritura duke i inkurajuar të vënë autorët para përgjegjësisë.

“Dua ta nis me një përgëzim për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Shërbimin  Informativ të Shtetit dhe partnerët e huaj, të cilët bënë të mundur kapjen e një sasie droge rekord në Vlorë, pronë e klanit “Habilaj” dhe, t’u bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit, organeve të drejtësisë, prokurorisë në mënyrë të vecantë, të veprojnë pa vonesë në administrimin e këtyre provave dhe për vënien e autorëve para përgjegjësisë.

Pas arrestimit të Moisi Habilaj në Itali, prokuroria dhe organet e drejtësisë duhet të veprojnë pa vonesë për të vënë prapa hekurave dhe para përgjegjësisë të gjithë anëtarët e këtij klani të rrezikshëm mafioz, të sekuestrojnë pasuritë e tyre dhe të veprojnë me vendosmëri për vënien para përgjegjësisë të kokave politike të këtij klani, duke nisur me Sajmir Tahirin”, deklaroi Basha.

Më tej Basha foli për implikimin e ish-minisrit të brendshëm Saimir Tahiri në këtë tafik, duke influencuar me paratë drogës në zgjedhjet e 25 qershorit.

“Ka 48 orë që fakte tronditëse të lidhjes së drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimit të Sajmir Tahirit me këtë bandë kriminale, janë bërë publike botërisht, ndaj çdo vonesë në këtë drejtim, është e pafalshme.

4 tonëshi i kapur sot është maja e ajsbergut. 2.5 milionë rrënjë të deklaruara nga Policia e Shtetit përkthehen në 10 mijë tonë. Pra, 4 tonë nuk është as më pak, as më shumë se 2.5% e sasisë së drogës që menaxhon sot kupola e korruptuar e Policisë së Shtetit për llogari të Saimir Tahirit, të Agron Xhafajt dhe vëllait të tij, Ministrit të ri të Brendshëm, dhe natyrisht, për llogari të kryeministrit, i cili është përfituesi i drejtpërdrejtë i qindra-milionë eurove të kësaj droge, të përdorura siç vërtetojnë dhe përgjimet italiane në zgjedhjet e 25 qershorit”, tha Basha.

 

Basha theksoi se ka vetëm një rrugë për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë e ilegjitimitetit, largimi i kryeministrit, formimi i një qeverie anti-mafia, me mbështetje të të gjitha forcave politike, e cila do të shembë lidhjet e kupolës mafioze në krye të qeverisë shqiptare, lidhjet e krimit me politikën dhe do të përgatisë përmes një reforme zgjedhore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të kthyer legjitimitetin në vend.

 

I pyetur nga gazetarët se ku ndryshon krijimi i qeverisë për reformën zgjedhore nga kërkesa për krijimin e qeverisë teknike, Basha tha se “ Nuk dua të hyj në modalitete që i takojnë pastaj tryezës së partive politike. Hapi i parë dhe i domosdoshëm është largimi i menjëhershëm i kryeministrit si përgjegjësi politik dhe njeriu që ka mbrojtur për këto 4 vite krimin e kupolës mafioze-politike dhe e ka drejtuar atë, për përfitimet e tij, politike dhe financiare”, deklaroi kreu i PD.