Mbledhja e parë e qeverisë, Haradinaj: Mos fajësoni pararendësit, të ecim përpara

Nën drejtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, kabineti i ri qeveritar i Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhjen e parë të rregullt, në të cilën është bërë konstituimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe është shqyrtuar Programi i Qeverisë.

Kryeministri Haradinaj ka hapur mbledhjen duke iu drejtuar kabinetit qeveritar me urimin për punë të suksesshme në detyrat dhe përgjegjësitë e pranuara.

Ai ka shprehur bindjen e plotë se angazhimi i të gjithëve do të rezultojë me sukses.

Kryeministri Haradinaj, në mbledhjen e parë të Qeverisë, në shenjë solidarizimi me popullin amerikan për sulmet e 11 shtatorit shprehu bashkëndjenjën me popullin amerikan.

“Kosova solidarizohet me popullin amerikan dhe me Amerikën në këtë ditë, dhe do të jetë çdo herë përkrahëse e koalicionit botëror kundër terrorizmit dhe në këtë kontekst do të vazhdojë të jetë në krah të ShBA-së”, tha kryeministri Haradinaj.

Pika e parë që u diskutua ishte programi qeverisës i Republikës së Kosovës. Kryeministri Haradinaj tha se besimi që i është dhënë për të udhëheq me Qeverinë përbëhet nga shumë parti politike, nga komunitetet etnike dhe detyrë e saj është që ato orientime programore qeverisëse të kthehen në program qeverisës të mirëfilltë.

“Kjo Qeveri nuk do të kthehet mbrapa vetëm për t’u ankuar sa keq ka punuar dikush, por do të shkojë përpara dhe e vetmja që na duhet ne janë informatat nga ministritë se si mund ta bëjmë diferencën për më mirë në këtë vend”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit që të mos nisen nga logjika për të fajësuar ata që kanë qeverisur përpara, por të nisin punën me logjikën se çka mund të bëhet më mirë nëpër sektorë veç e veç.

Kryeministri Haradinaj tha se do të punohet çdo ditë deri në orët e vona.

“Orientimi ynë është që të hënën e ardhshme t’ia dorëzojmë Parlamentit, popullit të Kosovës programin qeverisës”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj para kabinetit qeveritar foli edhe për zgjidhjen e preokupimeve për qytetarët, për rritje ekonomike të vazhdueshme, reale dhe të qëndrueshme, për sundimin e ligjit dhe rendit, që arsimi dhe shëndetësia të përmirësohen, kurse bujqit dhe ndërmarrësit të mos mbetën të vetmuar.

“Perspektiva jonë për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar dhe  për njohje, është jo e lehtë, por do të jemi bashkë dhe do të punojmë ngushtë  edhe me partnerët tanë”, tha ai.

Kabineti qeveritar, me dy abstenime, mori vendim për shkarkimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Kryeministri Haradinaj tha se për këtë hap është konsultuar me partnerët politikë.

“Meqë Komisionit i ka skaduar mandati unë i propozoj Qeverisë shkarkimin e këtij komisioni i cili përbëhet nga pesë anëtarë dhe kam kërkuar që profesor Shpejtim Bulliqi të udhëheq me këtë komision. Ai do të marr përgjegjësitë për të krijuar komisionin e ri dhe t’ia sjellë Qeverisë të gjeturat për punët rreth shënimit të kufirit me Republikën e Malit të Zi dhe ne ta kemi të qartë se si të veprojmë më tutje dhe si ta avancojmë këtë temë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj bëri të ditur se bartësit e institucioneve shtetërore kanë komunikim të mirë me Podgoricën zyrtare.