Hapet viti kulturor Austri-Shqipëri

Arti dhe kultura kanë treguar se shërbejnë si ura komunikimi mes popujve dhe njerëzve dhe si instrumentet më të mirë për t´i bërë bashkë ata. Bashkëpunimi kulturor dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Austrisë ka një traditë të gjatë dhe mund të cilësohet si një ndër pjesët më të rëndësishme të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

Ishte kjo arsyeja që sot u mbajt një konferencë shtypi për të çelur vitin kulturor Austri-Shqipëri 2018. Paneli i kësaj konference për shtyp u përfaqësua nga emra të njohur si, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Ambasadori i Republikës së Austrisë në Shqipëri Johann Sattler, Drejtori i Muzeut Kombëtar Dorian Koçi, Drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit  Zana Çela, sopranoja Inva Mula, autorja, studiuesja dhe përkthyesja Lindita Komani.

Dokumentet historike dhe imazhet fotografike të Shqipërisë dhe monarkisë austro-hungareze gjatë viteve 1916-1918, u prezantuan sot gjatë një ekspozite fotografike dhe konference shkencore  në ambientet Muzeut Historik Kombëtar, në kuadër të çeljes së vitit kulturor Austri -Shqipëri 2018.

E titulluar “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”, në ekspozitë u sollën për të pranishmit dokumente dhe fotografi të periudhës së viteve 1916-1918 , kohë në të cilën Austro-Hungaria administroi më tepër se gjysmën e territorit të Shqipërisë.

Në ekspozitën fotografike u paraqitën imazhe të ndryshme për publikun duke rikujtuar dhe një herë këtë marrëdhënie e cila ka lënë gjurmë në memorien e atij brezi që e ka përjetuar por dhe brezi i ri i cili me anë të këtyre imazheve, mëson shumë nga ajo periudhë.

Ndër imazhet më interesante të ekspozuara ishin fotografitë e grave shqiptare me veshjet karakteristike popullore,imazhet e burrave malësorë të Mirditës me veshjet e veçanta në të cilat ndërthurej tradita dhe folklori.

Gjithashtu e veçanta tjetër në këtë ekspozitë ishin dhe imazhet e disa prej qyteteve si Tirana, Durrësi, Elbasan etj, gjatë ndikimit të monarkisë Austro-Hungareze në vendin tonë gjatë periudhës 1916-1918.

Në fjalën e saj inistrja Kumbaro, e cila u shpreh:

”Të zbulosh të përbashkëtat në historinë dhe kulturën e dy popujve është si të udhëtosh në një monopat drite e errësire, ku i vetmi fill drejtues mund të jetë e vërteta dhe historia e dokumentuar. Për fat të mirë vitin përkujtimor të marrëdhënieve shqiptare-austriake po e hapim përmes një iterenari kulturor e historik me një ekspozitë fotografike të Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe një Konferencë Shkencore, ku imazhi dhe dokumenti historik janë të ndërthurura për të na dhënë gjithë panoramën e kësaj periudhe”.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi u shpreh se: “Sipari i aktiviteteve për vitin kulturor Shqiptaro-Austriake çelet me ekspozitën dhe Konferencën shkencore Austro-Hungaria dhe Shqipëria në vitet 1916-1918, që organizohet në sajë të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Muzeut Historik Kombëtar, Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Ambasadës së Austrisë në Tiranë”.

Ambasadori austriak Johan Satler tha se: ”Sa më larg të hedhim vështrimin aq më larg do shohim të ardhmen kjo është moto që na shoqëron në këtë aktivitet për të shprehur dhe një herë kënaqësinë dhe nderin e këtyre marrëdhënieve midis dy shteteve Austri-Shqipëri”.
”Kjo konferencë shërben për të rikujtuar lidhjen e veçantë midis dy vendeve tona në të shkuarën dhe gjithashtu dhe lidhjen e ngushtë që kemi sot ku Austria për Shqipërinë është një mik strategjik”, u shpreh ai.
Ambasadori gjithashtu shtoi se  “ne do të theksojmë perspektivën e marrëdhënieve të ardhshme akoma më intensive në familjen e përbashkët evropiane”.